User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Vende arkeologjike
Forumi Amantin   Arkeologjia shqiptare
Hop to: 
Search Tags: arkeologji
Views:796     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Lyhnida
 Author    



Rank:Silver Member

Score: 55
Posts: 55
From: Albania
Registered: 07/10/2012
Time spent: 0 hours

(Date Posted:07/10/2012 06:47)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

Dafina e djegur e Luigi Ugolinit
21/09/2012

Dafina e djegur e Luigi Ugolinit
Germime ilegale ne sitin arkeologjik ne Finiq
Prof. Sandro De Maria nje emer i njohur i arkeologjise ne Itali dhe ne Europe drejton prej 12 vitesh misionin arkeologjik ne Foinike (Finiq). Ai shkruan i shqetesuar me shkaterrimin qe po ndodh ne kete vend arkeologjik

Nga Prof. Sandro De Maria

Një simbol shprehës na imponon imagjinatën përsa i përket degradimit të Phoinike-s (Finiqit) antik, që mesa duket është i pandalshëm. Një fotografi e famshme që paraqet arkeologun italian i cili zbuloi këtë qytet antik më 1926: Luigi Ugolini (1895-1936) shfaqet pranë një muri me blloqe gjigande, pjesë e kësaj foto është edhe një dafinë që duket sikur mburet me gjelbërimin e saj. Kjo dafinë mbijetoi për gati një shekull. Por një muaj më parë, kodra e cila mbart mbetjet e çmueshme të periudhës helenistike dhe romake iu vu zjarri, një zjarr që pa asnjë dyshim të bën me dhimbje, autorët e të cilit, si gjithmonë mbeten të paidentifikuar e të pa ndëshkuar. Edhe dafina e Ugolinit nga ky zjarr u dogj mizorisht. E me të gjithashtu u dogj i gjithë qyteti, me monumentet të cilat janë nxirrë nga hiri i zjarrit dhe rrethuar nga ai pak vegjetacion, që tashmë është karbonizuar. Simboli i kësaj dafine të djegur është vërtet impresionues, jo vetëm për ata që i dashurojnë dhe i studiojnë prej kohësh këto vende antike.
Por zjarri nuk është i vetmi degradim që po shkatërron këto monumente të rëndësishëm për historinë e popullit shqiptar: gërmimet klandestine kohët e fundit kanë rifilluar në mënyrë të frikshme si brenda qytetit antik, gjithashtu edhe në zonat përreth, edhe në këtë rast asnjë i ndëshkuar përsa i përket kësaj zone. Agresioni nëpërmjet banesave dhe ndërtesave moderne në zonat me mbetje të lartë arkeologjike, që pa asnjë rregull ligjor po ze vend mbi varrezat antike dhe muret rrethues të qytetit antik, është një tjetër problem madhor dhe i pa zgjidhur. Kafshë, vandalë dhe hajdutët e hekurit gjithmonë e më shumë po shkatërrojnë atë çfarë e kaluara na ka dërguar.
Në dymbedhjetë vjet Misioni Arkeologjik Italian i Universitetit të Bolonjës që unë drejtoj, sëbashku me Institutin Arkeologjik Shqiptar, ka prodhuar, mendoj, një punë me vlera të mëdha, sipas vlerësimeve që vijnë nga studiues të ndryshëm: gërmimi i agorasë dhe bazilikës, i teatrit helenistik dhe romak, një lagje me ndërtesa private dhe një pjesë e nekropolit është gërmuar deri më sot. E gjithë kjo pasuri, sot rrezikon mbijetesën e saj.
Eshtë urgjente një ndërhyrje që do të vendoste në siguri të gjithë zonën e Phoinike-s: që është e mbrojtur nga ligji, por njëkohësisht e injoruar. Duhet të bëhet më shumë: duhet ruajtur, mbrojtur njëkohësisht restauruar dhe duhen dënuar ata që nuk respektojnë ligjet. Phoinike ndodhet në një peisazh të mrekullueshëm, midis maleve dhe detit. Një peisazh me mijëra vite jetese, që përmbledh histori, evidenton periudha dhe etapa të ndryshme. Peisazhi historik është identiteti ynë, në qoftë se humbasim dhe shkatërrojmë shenjat që historia na ka dhënë, humbasim një pjesë të historisë të vetvetes sonë, dënojmë vetveten me një anonimat.
Unë jam një i huaj në tokën shqiptare, por e dashuroj këtë vend dhe qytetarët e saj, dokumenteve historike të Shqipërisë, i kam dedikuar shumë vjet të jetës time si arkeolog, dhe me mua edhe qindra studentë e të rinj që studiojnë e formohen, midis këtyre jo vetëm italianë, por dhe nga shumë shtete të tjera europiane të cilët kanë ardhur këtu për të mësuar dhe rritur njohuritë e tyre mbi historitë më të largëta të Shqipërisë, dhe për të rindërtuar të kaluarën që lidh Ilirinë me Greqinë, Romakët me Bizantinët, popuj dhe kultura të ndryshme që kanë bërë që ky vend të jetë magjepsës në një mënyrë të vecantë dhe të pa krahasueshme.
Po rrezikojmë të humbasin përgjithmonë një dëshmi të çmuar dhe të papërsëritshme, dhe me këtë, sic po thoja, kujtesën që transmetohet nga një brez në tjetrin. Le të shpëtojmë Phoiniken dhe monumentet e saj, mos të dorëzohemi përpara asaj që çdo ditë duket si e pashmangshme...

Sandro De Maria- Profesor i Arkeologjise Klasike ne Universitetin e Bolonjas
usertype:2
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 1# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Vende arkeologjike
(Date Posted:18/10/2012 15:32)

Trashëgimia Kulturore Shqiptare:”Arkeologjia”

Arkeologjia

Interesi për vlerat arkeologjike të Shqipërisë nis qysh në shek. XIX kur studjues të gjeografisë historike iu kushtuan lokalizimit dhe identifikimit të të dhënave
nga burimet antike. Kështu është i pari që viziton Shqipërinë francezi Pouqueville (F.C.H.L. Pouqueville, Voyage dans la Grèce, comprenant la description ancienne et moderne de l’Epire, de l’Illyrie grecque etc. Paris 1820-21, v.5) Anglezi Martin Leake, nga shëtitja që bëri në Shqipërinë e Jugut deri në Apoloni, botoi një përshkrim të hollësishëm të rënojave të objekteve arkeologjike që i ranë në sy (W.M. Leake, Travels in northern Greece, London 1835, v. 4). Më vonë arkeologu francez L. Heuzey vizitoi Shqipërinë dhe në studimin e tij u ndal kryesisht mbi Durrësin e Apoloninë (L.Heuzey. H. Daument, Le mission archéologique de Macèdoine, Paris 1876). Në fillim të shek. XX vizitoi Apoloninë dhe rrethinat e Vlorës balkanologu C. Patsch. Ai është i pari që zbuloi qytetin e Amantias dhe më pas botoi një studim të hollësishëm mbi antikitetet që pa në Bylis, Klos, Berat etj. (C. Patsch, Das Sandschak Berat in Albanien, Wien 1904). Gjatë Luftës së parë botërore erdhën në Shqipëri arkeologët austriakë C. Praschniker e A. Schober të cilët filluan kërkimet nga veriu i Shqipërisë në drejtim të jugut dhe i kushtuan vëmendje edhe monumenteve e qendrave arkeologjike ilire (C. Praschniker-A. Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien 1919; C. Praschniker, Muzakia und Malakastra, Wien 1920).

Më 1924 një mision arkeologjik francez, nën drejtimin e Leon Rey, fillon gërmimet sistematike në Apoloni, të cilat vazhduan deri më 1938 dhe rezultatet u botuan në revistën Albania (L.Rey, Albanie, Revue d’archéologie, Paris 1925-1939, në 6 vëllime). Një mision tjetër arkeologjik italian më 1926 filloi gërmimet në qytetin antik të Foinikes dhe më vonë në Butrint. Në fillim misioni u drejtua nga L. Ugolini e më pas nga Markoni e Mustili (L. Ugolini, Albania antica, Roma 1927-1942, 3 vëll.); D. Mustili, La civilta preistorica dell’Albania, Roma 1940).

Pas Luftës së dytë botërore deri më 1990 kërkimet e studimet arkeologjike u bënë nga arkeologë shqiptarë. Më 1948 u krijua në Tiranë Muzeu Arkeologjik-Etnografik, më pas u krijua Sektori shkencor i kërkimeve arkeologjike, nga i cili më 1976 u formua Qendra e Studimeve Arkeologjike dhe më 1991 Instituti i Arkeologjisë. Gjatë këtyre viteve veç muzeut qendror arkeologjik dhe pavionit arkeologjik në Muzeun Historik Kombëtar, u ngritën edhe muze të profilit arkeologjik në Durrës, Apoloni, Butrint dhe Korçë, të cilët ruajnë objekte me vlera unikale.

Vitet 1991-1999 përbëjnë një etapë të re për arkeologjinë shqiptare, atë të bashkëpunimit me arkeologë të huaj. Janë realizuar ose vazhdojnë veprimtarinë projekti shqiptaro-grek në Butrint, projekti shqiptaro-amerikan në Shpellën e Konispolit (Sarandë) dhe në zonën Apoloni-Bylis, projekti shqiptaro-francez në Apoloni dhe në vendbanimin prehistorik të Sovjanit (Korçë) dhe projekti shqiptaro-anglez në Butrint. Gjatë vitit 2000 janë duke u hartuar edhe projekte të tjera për kërkime në Durrës, Bylis e qendra të tjera arkeologjike.
Rezultatet e kërkimeve, gërmimeve e studimeve arkeologjike, mëse njëqindvjeçare, të bëra në Shqipëri, mund t’i përmblidhnim në:

Në fushën e prehistorisë

Gjurmët më të hershme të banimit të territorit të Shqipërisë janë zbuluar në Xarë (Sarandë) dhe në Gajtan (Shkodër) të cilat i takojnë epokës së paleolitit (rreth 100.000 vjet më parë). Periudhës së paleolitit të vonë (30.000-10.000) vjet, i takojnë një numër më i madh vendbanimesh (Xarë, Konispol, Shën Marinë, Kryegjatë, Rrëzë Dajti, Gajtan etj) të cilat mbulojnë gjithë territorin e Shqipërisë së sotme.

Gjatë epokës së neolitit (7000-3000 p.e.s) territori i vendit tonë ka qenë shumë më i banuar, gjë që e dëshmojnë me dhjetra vendbanime të zbuluara, të cilat kanë qenë ngritur në fusha pjellore, në taraca lumore dhe në shpella. Banesat e tyre ishin kasolle të thjeshta të lyera dhe të shtruara me baltë. Në Dunavec e Maliq janë zbuluar banesa të ngritura mbi hunj (palafite) të cilat kërkonin një teknikë të lartë të ndërtimit të banesave. Por në jetën e banorëve neolitikë vend qendror zinte bujqësia dhe blegtoria si edhe përgatitja e prodhimi i enëve prej balte. Nga fundi i epokës neolitike mjeshtrat e punimit të poçarisë arrijnë të prodhojnë jo vetëm enë cilësore e me forma të shumëllojshme, por edhe me vlera artistike.

Vlerë të veçantë kanë disa enë të pikturuara të gjetura në Dunavec, Cakran e Maliq I të cilat janë të importuara nga kulturat e Diminit në Thesali (Greqi). Ato janë dëshmitë e para të këmbimit midis trevave të vendit tonë me qytetërimet më të përparuara të Europës Jug-Lindore të epokës neolitike.

Në fillim të epokës së metaleve (mijëvjeçari i tretë p.e.s.) në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik ndodhën ndryshime të rëndësishme si rezultat i dyndjes së popujve baritor, indoevropian, të ardhur nga lindja. Një shfaqie e re ishte kulti i varrimit në tuma (Pazhok të Elbasanit, Barçë të Korçës, Piskovë të Përmetit etj). Ky rit varrimi në tuma do të përdoret pa ndërprerje gjatë tërë epokës së bronzit dhe do të bëhet karakteristik për popullsinë ilire të epokës së hekurit.

Nga fundi i mijëvjeçarit të dytë dhe gjatë tërë gjysmës së parë të mijëvjeçarit të parë p.e.s., ilirët fillojnë dhe i vendosin vendbanimet e tyre në kodra të ngritura me pozicion dominues mbi zonën përreth, dhe gradualisht (i përforcojnë) i rrethojnë me mure të fuqishme (Gajtan-Shkodër, Tren-Korçë, Kalivo-Sarandë etj).

Në fushën e antikitetit

Deri në shek. VII p.e.s. trevat e ndryshme ilire kishin përparuar pothuajse me të njëjtin ritëm. Midis tyre dalloheshin disa krahina të veçanta si Fusha e Korçës, Mati, Glasinaci (në Bosnjë)etj, të cilat kishin arritur të krijonin një kulturë materiale me nivel më të lartë se të tjerat. Përfshirja e Ilirisë në lëvizjen e gjerë ekonomike-shoqërore mesdhetare, bëri që pas shek. VII p.e.s. të dalin në radhë të parë të zhvillimit trevat jugore ilire – Iliria e Jugut.

Faktor parësor u bënë marrëdhëniet e hershme me botën greke dhe veçanërisht procesi i urbanizimit u përshpejtua me themelimin e kolonive greke në brigjet e Ilirisë. Kështu kolonistë të ardhur nga Korkyra më 627 p.e.s. themeluan Dyrrahun dhe më 588 p.e.s. themeluan Apoloninë.
Rreth gjysmës së parë të shek. VI themelohet dhe Oriku. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se gjatë shek. VI-V Dyrrahu e Apolonia kthehen në qytete të mirëfillta, kurse gjatë shek. IV ato njohën një lulëzim të përgjithshëm që u shpreh me ndërtime monumentesh madhështore.

DYRRAHU ose Epidamni, qysh në shek. V p.e.s. kishte punishte të punimit të qeramikës, të metaleve, të pëlhurave e lëkurës, kantier për ndërtimin e anijeve etj. Dëshmi e zhvillimit të tregtisë janë monedhat prej bronzi e argjendi që pret Dyrrahu, kurse për lulëzimin urbanistik të shek. IV p.e.s dëshmon mozaiku i një dyshemeje me gurë lumi, i ashtuquajturi Bukuroshja e Durrësit.
Në vitin 229 p.e.s. Dyrrahu kaloi në vartësi të Romës dhe më vonë u kthye në koloni romake. Në shek. I-III të e.s. përjeton një periudhë lulëzimi, u bë qendër dhe porti kryesor i brigjeve të Adriatikut lindor. Kësaj kohe i takon ndërtimi i amfiteatrit, i termave, bibliotekës, ujësjellësit etj.

Në shek. IV Dyrrahu bie ekonomikisht dhe tërmeti i vitit 345 e.s. e rënon edhe më tej duke e bërë të kthehet në një qendër të vogël tregtare. Pozita e tij gjeografike e bëri Dyrrahun që gjatë shek. V-VI e.s. ai të kthehet në një nga qytetet e rëndësishme të perandorisë bizantine. Në kohën e perandorit Anastas (me origjinë nga Durrësi) u ndërtuan shumë godina të reja, hipodromi dhe tre radhë muresh rrethues shumë të fuqishëm.
Qytet antik ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera me të njëjtin emër të kohës antike. U ngrit mbi një kodër (me dy maja të larta 101 e 103m mbi nivelin e detit) me një pozicion që zotëron tërë zonën dhe nëpërmjet luginës së lumit Aqos (Vjosë) lidhej me detin Adriatik. Në shekujt e parë të jetës, Apolonia mbante lidhje të ngushta me Korinthin dhe Korkyrën dhe luante rolin e ndërmjetësit në tregtinë e helenëve me ilirët. Në shek. V p.e.s. u bë qendër e zhvilluar ekonomike me punishte të shumta zejtare, zgjeroi marrëdhëniet me botën ilire si edhe me Atikën e më vonë edhe me Magna Grecian (Italinë e Jugut).

Lulëzimin më të madh qyteti e njohu në shek. IV-III p.e.s. Në këtë kohë qyteti u shtri në të gjithë faqen perëndimore të kodrës dhe u rrethua me një mur mbrojtës 4km të gjatë duke përfshirë një hapsirë të qytetit prej 138ha. Apolonia u ndërtua sipas një plani që mbështetej në sistemin ortogonal të Hipodamit; përshkohej nga rrugë të drejta, kryesore e dytësore, që kryqëzoheshin me njera-tjetrën duke kufizuar lagje të veçanta. Nga ndërtimet kryesore veç mureve rrethuese u ndërtua portiku i qendrës së qytetit (agorasë), teatri, një çezmë monumentale, gjimnazi etj. Shëtitorja e Apolonisë shquhet për planimetrinë e zhvilluar dhe arkitekturën solide. Ajo është me dy kalime dhe dy kate (70.2×10.50m). Muri i pasëm që ka një rol mbajtës është me 17 kamare obsidale, ku vendoseshin shtatoret, kolonada e brendshme dhe e jashtme e katit të parë formohej nga kolona tetëkëndore. Në shek. I-III të e.s. qyteti përjetoi një periudhë të dytë ndërtimesh intensive, si tempullin e Agonotetëve, odeonin, bibliotekën dhe një sërë vilash të zbukuruara me mozaikë. Apolonia në kohën e Augustit u shpall qytet i lirë dhe i paprekshëm dhe vazhdoi të mbetej një qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore. Lulëzoi arkitektura dhe degë të tjera të artit, e sidomos skulptura. Ndaj me të drejtë Ciceroni e quajti “Magna urbs et gravis” (qytet i madh e hije rëndë).
Në shek. III-IV qyteti humbet rëndësinë e dikurshme dhe në fillimet e mesjetës Apolonia kthehet në një qendër peshkopale.

Marrëdhëniet e ndërsjellta të qyteteve koloni me interlandin ilir shpejtuan procesin e lindjes dhe zhvillimit të një tog qytetesh ilire. Gjatë shek. IV-II p.e.s. ngrihen qytete si Butrinti, Amantia, Bylisi, Foinike, Antigonea, Dimali, Lisi etj. Ato ishin vendosur mbi maja apo shpate kodrash, me horizont të gjerë shikimi dhe të rrethuara me mure me konstruksione solide me blloqe gurësh të skalitur me forma trapezoidale, poligonale e në një fazë më të zhvilluar me blloqe kuadratikë. Në shek. IV p.e.s. ato ishin kthyer në qendra zejtare e tregtare, kurse rreth mesit të shek. III p.e.s. qyteti ilir ishte formuar me tiparet themelore të një qyteti antik. Hapsira e brendëshme e qytetit ishte e organizuar sipas sistemit hipodamik ku agoraja në të cilën ishin vendosur godinat e karakterit politik e shoqëror, kulturor e religjoz (prytaneioni, teatri, shëtitorja, tempujt etj) formonin qendrën e qytetit të ndarë nga pjesa tjetër. Disa shembuj të këtyre ndërtimeve në qytetet ilire e dëshmojnë më së miri nivelin urbanistik të tyre.

BUTRINTI. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se në shek. VII-VI p.e.s. Butrinti ishte një qendër protourbane, kurse në shek. V p.e.s. arriti të marrë tiparet e plota të një qyteti. Në fund të shek. IV fillim i shek. III p.e.s. u ndërtua agoraja e qytetit, një portik (shëtitore), një tempull i vogël dhe teatri me 1500 vende i cili
është ruajtur i plotë deri në ditët tona. Ai bashkë me ndërtimet e tjera pranë si tempullin e Asklepit, portikun, banjat etj, përbënin pjesën më të bukur të qytetit antik.
Në periudhën e vonë antike e mesjetës së hershme Butrinti përjetoi një periudhë lulëzimi. Kësaj kohe i takon ndërtimi i Baptisterit i cili është monumenti më i rëndësishëm i periudhës paleokristiane. Salla e pagëzimit në formë rrethore me diametër 13.50m është shtruar me mozaikë shumëngjyrësh, me motive nga bota shtazore e figura gjeometrike, të cilat kanë vlerë të veçantë artistike. Salla përshkohet nga dy rradhë kollonash granite mbi të cilat kanë qenë mbështetur qemerët e çatia.

ANTIGONEA. Qytet i themeluar në shek. III p.e.s. me një mur 4000m të gjatë, është ndërtuar me një sistem urbanistik të tipit hipodamik, me rrugë të drejta e të kryqëzuara që ndajnë qytetin në insula me gjerësi 200 këmbë dhe në ndarje të tjera më të vogla.

AMANTIA. Eshte e vendosur në faqen e një kodre të lartë dhe kishte të fortifikuar me një mur të gjatë 2200m, vetëm akropolin. Emri i qytetit për herë të parë përmendet në shek. IV p.e.s.. Në shek. III p.e.s. qyteti fuqizohet ekonomikisht dhe arrin të presë monedhat e veta. Këtë e dëshmojnë ndërtimi i tempullit të Afërditës, rrënojat e një teatri dhe veçanërisht ndërtimi i stadiumit, i cili është ruajtur i plotë deri në ditët tona. Stadiumi ka formën tipike të stadiumeve greke me dy krahët e gjata që kufizojnë pistën me gjatësi 184.8m dhe gjerësi 12.25m. Njëri krah i shkallares i ndërtuar me blloqe gurësh gëlqerorë ka 17 rradhë, kurse krahu tjetër ka 8 rradhë.

BYLISI. Një nga qytetet më të mëdha ilire u zhvillua në shek. IV p.e.s. si kryeqendër e fisit ilir të bylinëve. Ai kishte një sipërfaqe prej 30ha të rrethuar me mur të mbrojtur nga 7 hyrje e 7 kulla. Në shek. III p.e.s. qyteti u fuqizua ekonomikisht, kohë kur ndërtohet agoraja (qendra e qytetit) prej 4ha, ku ngrihet teatri me rreth 9000 vende, stadiumi, gjimnazi etj. Në shek. I e.s. Bylisi u kthye në koloni romake.
Në shek. IV të e.s. qyteti rrethohet me mure të fuqishme, dhe më pas në shek. V-VI u bë një qendër e rëndësishme peshkopale. Për këtë flet zbulimi i gjashtë bazilikave, dyshemetë e të cilave janë shtruar me mozaikë me motive paleokristiane të një cilësie të lartë.

ALBANOPOLI. Qytet ilir, qendër e fisit të Albanëve, që përmendet për herë të parë në mesin e shek. II të e.s. nga Ptolemeu, i cili përcakton dhe kordinatat e shtrirjes së tij. Eshtë lokalizuar me rrënojat e qytetit ilir të Zgërdheshit (në afërsi të Krujës). Emri i qytetit dhe i fisit të albanëve që krijuan atë, u ruajt në mesjetë e deri në ditët tona duke i dhënë emrin gjithë trevës ku shtriheshin Ilirët e Jugut – Albania.

LISI. U formua si qytet nga fundi i shek. IV p.e.s. mbi bazën e një vendbanimi protourban. Në shek. III-II p.e.s. muret rrethuese e ndanin atë në tre pjesë, akropolin, qytetin e sipërm dhe qytetin e poshtëm që shtrihej buzë lumit Drin. Muret e qytetit janë të ruajtur shumë mirë me 12 portat dhe kullat e shumta që i japin një pamje madhështore qytetit. Lisi në kohën e Cezarit merr të drejta dhe ofiqe municipale dhe luan një rol aktiv në luftën civile midis Pompeut e Cezarit.

SELCA E POSHTME.
Në kodrat e fshatit me të njëjtin emër, janë zbuluar rrënojat e një qyteti ilir të shek. IV-III p.e.s. Në shek. III bëhet qendër e krahinës ilire të Dasaretisë. Në këtë kohë gdhenden në shkëmb 4 varre monumentalë princëror, me një arkitekturë të stilit jonik. Në njërin varr është gjetur një inventar shumë i pasur me armë, enë bronzi e balte, zbukurime ari dhe një paftë metalike me skenë mitologjike luftimi.

Në qytetet koloni, Dyrrah, Apoloni si edhe në qytetet e tjera të Ilirisë së Jugut si në Butrint, Amantia, Bylis, Antigone etj., krahas degëve të ekonomisë u zhvillua e lulëzoi arti, i cili në fillim zhvillohet i lidhur me traditën e metropoleve (korinthase e korkyrase). Pas shek. V krahas vazhdimit të traditës, arti fiton veçori lokale. Vlera të veçanta artistike kanë punimet në qeramikë. Në shek. IV-III p.e.s. punishtet e Apolonisë e Dyrrahut prodhuan enë me figura të kuqe me tema mitologjike dhe nga jeta e përditëshme. Figurinat (terrakotat) e shumta me tema mitologjike e më pas edhe tema nga jeta e përditëshme, dallojnë për plastikën e realizimin artistik. Krahas terrakotave të shumta janë edhe figurinat prej bronzi, mjaft prej të cilave përbëjnë vepra arti

Gjatë shek. I-II e.s. në skulpturë përvetësohen tiparet e artit romak. Veçanërisht në skulpturë portreti ndjek realizmin tipik të kohës me një frymë të mbështetur në traditën. Qendra kryesore është Apolonia me portretet e magjistratëve, të Filozofit, të Bilias etj. Portrete cilësore të shek. I-II e.s. kanë dhënë Dyrrahu, Butroti, Foinike etj. Relievi bëhet skematik dhe lidhet me qëllimet praktike të zbukurimit të altareve, sarkofagëve, monumenteve arkitektonike etj.
Mozaiku si gjini e pikturës monumentale dekorative në kohën antike (greko-romake) dhe atë mesjetare të hershme njohu një lulëzim të dukshëm, sidomos në shekujt e parë të e.re. Duke përdorur gurë kubik të zinj ose shumëngjyrësh të vendosur në sfond të bardhë u arrit të realizoheshin figura të ndryshme gjeometrike dhe skena nga mitologjia detare. Shquhet mozaiku polikrom zbuluar në Apoloni, që paraqet Luftën e amazonëve.
Mozaiku si vepër e artit lulëzon edhe në shek. V-VI të e.s. realizuar në veprat e kultit paleobizantin, si në bazilika, kisha, pagëzimore, trikonka etj. Në dyshemetë e këtyre monumenteve figurat e mozaikut janë të shpërndara lirshëm në sipërfaqe dhe janë figura simetrike, kafshë në qetësi, pemë, fruta, bisqe hardhije, shpendë, peshq e motive të ndryshme ujore. Në radhën e këtyre realizimeve cilësor është mozaiku i Baptisterit të Butrintit, i trikonkës së bazilikës së Linit (Pogradec), mozaiku u bazilikës së Arapajt (Durrës) i bazilikave të Bylisit e shumë të tjera.
Në Shqipëri është ruajtur deri në ditët tona vetëm një mozaik parietal (i vendosur në mur), ai është mozaiku i kapelës së Durrësit, i ngritur brenda amfiteatrit të qytetit. Ai paraqet figura shënjtorësh dhe i përket periudhës së hershme bizantine.

Në fushën e mesjetës së hershme

The mosaic of the chapel inside the Durres Coloseum VI AC Të dhëna të mirëfillta për kulturën e hershme mesjetare vijnë nga gërmimet e para sistematike që u bënë gjatë viteve 60-70të, me zbulimin e varrezave të Komanit, të Buklit, të Shurdhahut, të Lezhës etj. Gradualisht gërmimet u shtrinë edhe në një varg kështjellash të antikitetit të vonë e mesjetës së hershme si në Varosh (Stelush), Shurdhah (Sardë), Lin, Pogradec, Berat, Kaninë, Butrint etj. Një pjesë e kështjellave janë vazhdim i qyteteve e qytezave të kohës antike, e një pjesë tjetër kala e kështjella të ngritura në përshtatje me kushtet e reja historike.

Gjatë shekujve të mesjetës së hershme shqiptare shek. VII-IX ka një braktisje të qyteteve për shkak të kthimit në ekonominë e mbyllur natyrore. Vetëm Durrësi ku u kufizua pushteti bizantin e ruajti karakterin e mirëfilltë qytetar. Gjithashtu edhe Butrinti, në jug, mbeti qendër e rëndësishme qytetare.
Një ringjallje e jetës qytetare vihet re pas shek. IX kur fillon qarkullimi i monedhave bizantine. Ndër qytetet e ringjallura mbi truallin e qyteteve ilire, në këtë periudhë janë Berati, Kanina, Lezha, ndërtimet fortifikuese (muret, portet e kullat) të tyre janë ruajtur deri në ditët tona. (Vijon ne publikimin tjeter)

Autor Prof.Myzafer Kokurti

usertype:1 tt= 0
Support us

Create free forum and click the links below and your donations will make a difference here.

www.dinodirect.com

A Huge Online Store for Various Cool Gadgets, Accessories: Laser Pointer, Bluetooth Headset, Cell Phone Jammer, MP3 Players, Spy Cameras, Soccer Jersey, Window Curtains, MP4 Player, E Cigarette, Wedding Dresses, Hearing Aids, eBook Reader, Tattoo Machines, LED Light Bulbs, Bluetooth Stereo Headset, Holiday Gifts, Security Camera and Games Accessories and Hobby Gadgets.  
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 2# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Vende arkeologjike
(Date Posted:18/10/2012 15:34)

Image

 



Zbulohet nje objekt i rralle, i pari ne llojin e vet ne Shqiperi. Zbulohet edhe Agoraja e qytetit antik. Arkeologet: Apollonia e vjeter sa Dyrrahu.

Germimet arkeologjike ne qytetin antik te Apollonise kane nxjerre ne drite nje objekt te rralle dhe te parin e ketij lloji per te gjithe rajonin e jugut. Nje objekt metalik prej plumbi i periudhes parahelenistike ne Apolloni, eshte zbuluar gjate germimeve te ekspedites shqiptaro-franceze. Drejtori i Parkut Arkeologjik te Apollonise thote se ky objekt eshte gjetur pas zbulimit te nje strukture prej 128 m gjatesi. Vete kjo strukture mund te kete qene Agoraja e Vjeter e qytetit antik. Zbulimi i Agorase se qytetit mund te riformuloje njohurite per daten e themelimit te Apollonise ndersa objekti prej plumbi perben nje zbulim te rralle. Sipas Haxhimihalit Agoraja e Apollonise e zbuluar ne keto germime daton ne vitet 630-620 para eres sone cka e shtyn daten e themelimit te qytetit 2 shekuj pas ne kohe nga periudha qe njihej deri tani.

''Jemi ne nje strukture qe i ngjan nje shetitoreje apo Agorase, me nje gjatesi 128 metrash. Nisur nga ajo qe dime per Agorane ose tregun sic i themi sot mund te themi se kemi gjetur Agorane e Apollonise. Ne fakt kjo ka qene edhe nje handikap per kete qytet pasi nuk mund te kishte nje qytet te tille si Apollonia pa Agorane e saj. Kjo strukture nderkohe eshte me e hershme se te tjerat qe jane zbuluar ne Apolloni dhe na detyron te ndryshojme daten e themelimit te qytetit nga shekulli i IV ne shekullin e VI p.e.s '' - shpjegon z. Haxhimihali.

Sa i takon zbulimeve te rendesishme jane arkeologet franceze ata tregojne vleren e tyre.

''Jane bere zbulime te rendesihme si varri i nje femije ku brenda kishte nje objekt prej qelqi dhe qe do te na trgeoje me shume per menyren e jeteses se banoreve te Apolonise. Por zbulimi me i rendesishem eshte objekti prej plumbi me mbishkrime mbi te . Analizat e metejshme do te na tregojne se cfare konkretisht eshte ky objekt por paraprakisht mund te thuhet se kemi te bejme me nje objekt teper te rralle jo vetem per Apollonine por edhe vende te tjera antike. Te ngjashem me te jane gjetur vetem ne Dodone te Greqise'' - thote Zhan Liu Lambolei drejtues i pales franceze te ekspedites.

Ekspedita shqiptaro-franceze ka nisur sezonin e germimeve ne daten 15 gusht dhe do te vazhdoje deri ne ditet e para te shtatorit. Arkeologet franceze pohojne se brenda pak ditesh eshte zbuluar nje numer i konsiderueshem objektesh cka e bene kete sezon germimesh nje nga me te pasurat me gjetje arkeologjike.

Deri tani mendohej se qyteti antik i Apollonise ishte themeluar ne shekullin e IV para eres sone cka e rendiste si qytetin e dyte me te rendesihem pas Dyrrahut ne gjithe pellgun e Adriataikut. Zbulimet e fundit ndryshojne daten e themelimit por gjithshtu pritet te japin te reja interesante per menyren e jeteses se banoreve vendas dhe greke te Apollonise antike si dhe per marredheniet mes tyre.
usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 3# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Vende arkeologjike
(Date Posted:18/10/2012 15:44)

Instituti i arkeologjisë nis gërmimet në Orikum

 

ORIKUM : 25/01/2012 ..Ndërkohë që pritet të dixhitalizohet edhe fondi i institutit të arkoleogjisë si dhe një prioritet do të kenë edhe botimet.

 

Orikumi do të jetë një prej zonave të reja që institutiti i arkeologjisë do të nisë gërmimet për vitin 2012-të. Projektet këtë viti kryesisht do të jenë vazhdimësi e të mëparshmëve, ku nuk do të mungojnë edhe bashkëpunimet me të huajt. Një rëndësi do ti kushtohet edhe gërmimeve në qytetin e Vlorës për të nxjerrë më në pah vlerat arkeologjike të qytetin të vjetër Aulona, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Ndërkohë që pritet të dixhitalizohet edhe fondi i institutit të arkoleogjisë si dhe një prioritet do të kenë edhe botimet.
Pavarësisht vështirësive financiare, përgjatë vitit 2011 janë realizuar, 21 gërmime në terren, nga të cilat 15 në bashkëpunim me univeristete apo institute ndërkombëtare. Gërmimet janë shtrirë nga prehistoria e deri në mesjetën e vonë. Një nga zbulimet më të rëndësishme ishte ajo e qytetit ilir të Dimalit, ku doli në dritë vendi i orkestrës në zonë e Akropolit dhe u ra në gjurmë të një tempulli. Një zbulim i rëndësishëm ishte edhe portat hyrëse në sistemit fortifikues.

usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 4# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Vende arkeologjike
(Date Posted:18/10/2012 15:46)

Gërmimet në Reshtan tregojnë për civilizimin e hershëm në Kosovë

Suharekë, 29 maj 2011 (Kosovapress) Koha

 

Gërmimet arkeologjike në Reshtan të Suharekës kanë rezultuar me gjetjen e një vendbanimi të periudhës së mesme dhe të vonë të Neolitit, që i përket viteve 4300 deri 3500 vjet Para Erës së Re. Aty janë gjetur gjësende si qeramikë, vegla stralli dhe guri, që dëshmojnë se banorët e asaj kohe kanë pasur një blegtori dhe bujqësi të zhvilluar.     

usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 5# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Vende arkeologjike
(Date Posted:18/10/2012 15:46)

Gjatë vitit 2011 bëhen 25 ekspeditat arkeologjike


Viti 2010 pёr arkeologjinë shqiptare ka rezultuar i sukseshёm pasi dolёn nё dritё vepra shumё tё rёndёsishme siç ishte ai i bustit të njё burri, njё gruaje etj. Gjatë 2010 nga Instituti i Arkeologjisë u përcaktuan 20 ekspedita të cilat rezultuan të suksesshme në zbulimin e shumë veprave nga antikiteti. Ndërsa përgjatë vitit 2011 priten tё ndёrmerren 25 ekspedita arkeologjike tё cilat do tё shtrihen nga veriu nё jug tё vendit. Arkeologёt shqiptarё kёtё vit do të bashkëpunojnë edhe me kolegë të e tyre kosovarë. Zbulimet e sukseshme tё 2010 nxitën qё nё 2011 arkeologët tё jenë mё tё motivuar. Gёrmimet do tё jenё tё pёrqёndruara nё parqet kryesore siç janё ato tё Apolonisё, Butrinti, Finiqit, Bylysit, por do tё hapen edhe projekte tё reja gёrmimi nё Vlorё, nё luginёn e Valbonёs si dhe nё Dibёr. Pritet qё para hapjes sё sezonit turistik tё bёhet inagurimi i muzeut tё Apollonisё çka do tё mundёsonte ardhjen e mё shumё vizitorёve nё kёtё qёndёr.

Bota Sot
usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 6# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Vende arkeologjike
(Date Posted:18/10/2012 15:49)

Zbulohen varre të hershme në Rozafë

Dalin në dritë varre të hershme në Kalanë e Rozafës. Para pak ditësh, ekspedita shqiptaro-polake ka bërë zbulimin e varreve që i përkasin shekullit të XVI-të.
Tashmë Rozafa është kthyer në vëmendje të specialistëve jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj.
Gërmimet arkeologjike në këtë zonë kanë filluar pas 30 vjet ndërprerjesh. Ato janë përqendruar në dy zona, atë të Tabakëve poshtë kalasë buzë lumit Drin dhe sipër në oborret e kalasë së lashtë të qytetit verior.
“Aktualisht jemi akoma në punimet e periudhës së gjurmëve otomane, ndërkohë që në vazhdim do të zbresim më poshtë duke u ballafaquar me periudhat veneciane për të vijuar me ato mesjetare, antike, ilire si dhe të tjera të periudhave të mëhershme që e kanë shoqëruar në vite këtë rajon”, nënvizon arkeologu Saimir Shpuza.
Grupi i ekspeditës shqiptaro-polake do të vijojë të qëndrojë në Shkodër deri më datë 6 qershor. Për këto gërmime arkeologjike është nënshkruar një kontratë 5-vjeçare midis Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Parkut Arkeologjik Shkodër, Bashkisë Shkodër dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ndërsa financimet do të mundësohen nga Ministria e Turizmit dhe Ambasada Polake në Tiranë.
Gërmimet që sapo kanë filluar mendohet se do të përfshijnë gjithë zonën përreth kalasë Rozafa dhe zonën brenda saj.

usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 7# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Vende arkeologjike
(Date Posted:21/10/2012 01:07)

Shpella e Pëllumbasit e periudhave parahistorike

Shpella e Pëllumbasit, apo e njohur ndryshe si Shpella e Zezë, është gjykuar prej studiuesve si një nga qendrat arkeologjike më me vlerë në Shqipëri, për shkak të zbulimeve që janë bërë aty. Vetëm në fazën e parë të studimit, janë gjetur 100 fragmente enësh, të cilat i takojnë epokave të ndryshme dhe disa kocka kafshësh.

Mendohet të ketë qenë një nga shtëpitë më të hershme të parardhësve tanë te periudhes se Neolitti, dmth 10?000 vjet më parë. Në atë hapësirë, që paraprihet nga një korridor i gjatë, e që vazhdon me një "sallon" të lartë 15-20 metra, ata kanë ndezur zjarr, kanë gatuar e latuar veglat e para të punës. Këtë e tregon materiali i bollshëm arkeologjik i gjetur në fazën e parë të gërmimeve, i cili i përket periudhave të ndryshme të zhvillimit njerëzor, duke filluar që nga neoliti, eneoliti, tek periudha e bronzit dhe hekurit.
Shpella e Zezë i përket periudhës parahistorike dhe është një nga 6 shpellat karstike që gjenden në Evropë, duke paraqitur vlera shkencore, arkeologjike, kulturore dhe turistike. Shpella e Zezë ndodhet rreth 2 km në verilindje të fshatit Pëllumbas, prej nga ka marrë edhe emrin, në krah të majtë të lumit Erzen dhe 27 km në juglindje të Tiranës. E vendosur në faqen e Malit Pëllumbas, 350 m mbi nivelin e detit, shkëmbinjtë formojnë një strehë të madhe dhe të veçantë, që zgjatet duke formuar një tunel 70-80 m. të gjatë.

Sipas nëndrejtorit të Institutit të Arkeologjisë, Myzafer Korkutit, në ambientin qendror, ku ndodhen edhe degëzime të shumta, përgjatë miliona vjetësh janë formuar stalaktite dhe stalagmite të shumëllojshme. Në fund të shekullit të kaluar, Shpella e Pëllumbasit është përmendur në disa shkrime të Kostandin Kristoforidhit mbi Tiranën, të cilat kanë sjellë dëshmi për vendndodhjen e saj... Përpjekjet që janë bërë për zbulimin e saj prej vitit 1968 kishin dështuar.

Për herë të parë kjo shpellë është vizituar në vitin 1995 nga specialistë të Shoqatës Didaktike Shkencore Speleologjike Shqiptare, të cilët arritën të zbulonin shumë dëshmi të jetës njerzore. Sipas Korkutit, zbulimi i pranisë së këtij materiali arkeologjik paraqet vlera të rëndësishme për vendosjen e raporteve të sakta mes kulturave të njohura dhe zbuluara deri më sot në vendin tonë. Në Shpellën e Zezë janë gjetur edhe fosile, që sipas pohimit të Muzeut të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Firences, u përkasin arinjve të shpellave (ursus spelaus), të cilët kanë jetuar në një periudhë më të hershme se 10 mijë vjet më parë.
usertype:1 tt= 0
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY LUFFY
LUFFY