User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Tomaz Salamun
Forumi Amantin   Letërsia e huaj
Hop to: 
Views:129     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:19/10/2012 15:26)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

TOMAZ SALAMUN


Lindi në Zagreb të Kroacisë dhe u rrit në Koper të Sllovenisë. U diplomua për histori arti në Universitetin e Lubjanës dhe pas disa vitesh pune si artist konceptual, iu kushtua përfundimisht artit të poezisë. I njohur gjerësisht si një prej poetëve më të rëndësishëm të Europës sot, ai ka botuar mbi njëzet e pesë vëllime me poezi dhe është përkthyer në mbi 30 gjuhë. Është nderuar me çmime të rëndësishme, si Çmimi Mladost, Çmimi Preseren, Çmimi Jenko, Çmimi Pushcart etj., si edhe ka fituar një fellowship në Programin Ndërkombëtar të Shkrimtarëve, pranë Universitetit të Iowa dhe një tjetër në Universitetin Kolumbia. Ka qenë atashe kulturor i Sllovenisë në New York. Aktualisht jeton në Lubjanë dhe SHBA, ku mban leksione në universitete të ndryshme.


Përktheu nga anglishtja: Çelo Hoxha


KATËR ÇËSHTJET E MELANKOLISË

E di. Tani po nisesh në luftë, të shkelësh lulet.
Do të kafshosh mollë me pluhur. Do numërosh
hapat e tu. Do vëresh gjithë flluskat që do të dalin
poshtë myshkut. Po dëgjon një sirenë. Ajo lëshohet

si një ylber i kuq mes malit, dhe zien, e ngjall
dëshira të zjarrta te të tjerët dhe ai pak mëndafsh i rëndë
ngjitet pas këmishës tënde. Fshatarët do të bëjnë verë,
duke shtypur rrushin me këngë në buzë dhe të lumtur.

Ti shtrihesh, me kokën sipër çantës së shpinës, kundron
kërcellin tënd masiv. Uji përkufizon konturet.
Ti shtrihesh pranë një molle, ngjitur me stiva të gjata
e të larta drurësh për dimër. Ku e ke lepurin?

Çfarë ke në çantën e shpinës? Pse po përtyp kashtë?
Dhe pse kaq trishtueshëm? Luginën e kanë konsumuar hijet
dhe treni i fundit çapitet për në Bohinj.
Binde fqinjin tënd frulian të ngjiteni malit

në traktorin e tij. E majë malit, të dy, mund të uleni dhe të krahasoni ngjyrat: të zezën sterrë tashmë
dhe blu në shuarje. A shkrin gjarpëri yt sa herë që ti
shfaqesh në dritë? Kur kundron pyjet?

KËNGË POPULLORE

Çdo poet i vërtetë është monstër.
Ai shkatërron njerëzit dhe ligjërimin e tyre.
Kënga e tij çliron një teknikë e cila zhduk
kokën që të mos na hanë krimbat.
I dehuri shet pallton.
Hajduti shet nënën.
Vetëm poeti shet shpirtin e vet për ta ndarë
nga trupi që ai dashuron.

FJALA

Fjala është i vetmi themel i botës.
Unë jam shërbëtori dhe mjeshtri i saj.
Edhe pse shpirti shpërndan atome
ta nuhasin, prekin dhe ndjejnë, ne jemi

të barabartë me zotat në këtë fushë.
Gjuha nuk ndesh asgjë
të re. Nuk ka as gjykim të fundit,
as të epërm. Supozimi

Gjendet në qendërsoren, në gjithçka
që shohim, ndërsa nuk shikojmë më tepër
se një grimcë rëre. Në kundrim gjërat duken më afër,
por nuk është ky kriteri. E përsëris: gjërat

nuk janë kriteri. Kriteri gjendet
brenda nesh, si shpërbërja e fundit.
Vdekja u emërua gabimisht prej atyre
që u ishte fshehur drita.

PA TITULL

Kushdo që më merr
për ironik
do të jetë fajtor

përpara Zotit.
Unë jam indiferent
ndaj sistemit tuaj mbrojtës

dekadent
dhe gjithë ndyrësisë
së bosëve të krimit

që ju trumbetoni
si humor
dhe kioska

të përvojës
tuaj
hipokrite.

VATËR

Larg, aty ku livadhet janë të errëta,
rritet një lule e stërpikur me dëborë.
Megjithëse dimër, gjeli këndon
e krekoset, me këmbët si thundra.

Larg, aty ku trëndafili çel në dëborë,
trëndafili blu mes borës së bardhë,
dielli e përqafon vajzën dhe e shtin në gjumë
dashuria e mbron nga hija e një peme.

Larg, aty ku ujëvarat përdridhen sipër gurësh,
aty ku dhitë e egra ruajnë barin me trupin e tyre,
aty është një urë. Unë jam sipër asaj ure.
Nuk di ç’të bëj, të hidhem apo të shkoj të lahem.

Tringëllimat e lugëve dëgjohen gjithandej nëpër shtëpi.
Tym, tym i bardhë në qiell të kthjellët.
Me aromë buke, aromë miell misri.
Vogëlushja hap dritaren që të ushqehen zogjtë.

Larg, në pyllin me dëllinja plot kordele larushe.
Pemët i ka mbuluar dëbora ndërsa sajat mungojnë.
Kordelet grisen dhe sulen ajrit si skifterë
e ti mund të prehësh kokën në blunë e qiellit.

PËRGJEGJËSI

E keni parë ndonjëherë Zotin
të vrapojë që të kapë orën dy e gjysmë
përgjegjësi përgjegjësi
pa iu afruar as fillit as mbarimit
bashkuar palëvizmërisht
në vend që të koloviste këmbët
përgjegjësi përgjegjësi
botë pa karakter
botë pa arsye
pemët, ende në rritje, janë të papërgjegjshme
e çfarë i mbetet fjalës të bëjë me botën
dielli nuk ia ka nevojën ta ketë peizazh
as qiellin që është veç blu e kulluar e asgjë më tepër
në fillim kishte transparencë
një botë sendesh dhe gjuhe të vërtetë
fjalët ishin sende
kujt i mori mendje Zoti
kur e bëri fluturën ajo që është
kur mund t’ia kishte bërë këmbët 6 cm të trasha
përgjegjësi përgjegjësi
ushqim barok i njerëzve

PA TITULL

Poetët e mëdhenj
e parathonë vdekjen e vet në një varg të vetëm.
Kur vyshken
engjëllin mbrojtës ua vë në gjumë lodhja
dhe ata shpojnë tokën me të vërtetën.

Asnjë dorë e zgjatur të shtyjë
shenjat drejt errësirës, të afërmit flenë
mbuluar nga ëndrrat si luginat ndën myshk.

Ata nuk i dëgjojnë rrufetë,
nuk lëvizin
nuk dridhen nga zbulimi
kur godet vula.

Maruska më magjeps e më çmonton sa hap e mbyll sytë.
Qëndron e pa epur si gjuetar dormice
në shërbim të frikës dhe dashurisë
dhe me një goditje shkopi më flak në anë të gjërave.

AJËR

Trupi yt është ulluku ku rrjedh
miell, vajguri dhe ushqim,
ura sipër të cilës rend kalorësi.
Duart e tua janë dritarja,
fjalët e tua janë dritarja,
trupi yt është dritarja.
Çfarëdo që ti prek apo sjell ndër mend
digjet në flakë të tmerrshme dhe kundërmon.
Ti je guida ime
në çdo gjest, në çdo frymëmarrje.
E ti përkulesh
e unë përkulem
e unë ngrihem
e unë ngrihem e shkoj.
Ti më thua të mos përdor fjalor të fryrë e të uritur,
armë e thatë ajri.
Ti më thua të jem i kujdesshëm.
Më thua të jem zemërmirë dhe jam zemërmirë.
Më thua të jem i pasur dhe jam i pasur.
Fortesat e mia janë blu dhe të fuqishme,
unë hyj në shpirtra mbretërish,
udhëtoj nga Babiloni në Nineveh
dhe nga Ninevehu në Babilon.
Ti më zgjodhe:
jam i pashëm dhe kryelartë,
sepse jam i fortë dhe i lagësht.
Trupi yt është ulluku ku rrjedh
miell, vajguri dhe ushqim,
ura sipër të cilës rend kalorësi.
Duart e tua janë dritarja,
fjalët e tua janë dritarja,
trupi yt është dritarja.
Çfarëdo që ti prek apo sjell ndër mend
digjet në flakë të tmerrshme dhe kundërmon.

NJERËZ

Me se do të vish?
Njerëzit që jetojnë në pyll
veshin kostum. Ata kanë
flatra dhe kapele të kuqe.
Po ti si do të vish?
A je njeri prej tyre?
Për ketrat në pyll
ka kurora me gjemba
Grumbuj kulumbrish.
Ato rriten. Njerëzit shkojnë
në ferr e kthim.
Kur heqin sandalet
nuk e merr vesh kush.

BURRI ME SYRIN E ARTË

Më kujtohet murgesha që studioi në librarinë jagielloniane
të Krakovit. Isha i trishtuar. Jashtë, mbi dëborë
kishin mbetur gjurmë sajash. Me mendje
ndodhesha diku në jug. Haja kikirikë.
Dje pashë flatrat e Montezumës
dhe gjakimin e tij për vetëshkatërrim,
për një zot të huaj
që t’i pinte shpirtin.
Perandoria është e përjetshme.
Të përjetshme janë pasqyrat. Uji avullon,
vetëm vështrimi mbetet. Kush e ruan?
Koçia me ushtën e artë?
Nuk jam fruti i verdhë.
Nuk jam turma e hutuar nga Kurorëzimi.
Biletën për në muzeumin antropologjik e hëngra
ndërsa flisja me një turist
me sytë ngulur te ty.

RRUGA E SHESHTË

Kam pirë gjak.
Kam nisur kamionin.
Yjet u derdhën si dëborë sipër meje.
Një ditë uji do të thahet
e do të mbeten vetëm të çarat.
Gjysmë unaza
pjesa e sipërme e qemerit,
ajër i thatë pa kujtesën.
Gjithçka do të jetë e qartë dhe precize
si te Safoja.
Zemra e njeriut do të rrahë
në fotografi me ngjyra pa shije.

FISI IM

Fisi im
ka kohë që nuk e ndien
lirinë.
Nuk e njeh
nuk e shikon
as kur ajo është pranë.
Fisi im
mendon se
vrasja
e ngadaltë
e trupit
dhe shpirtit
është e natyrshme.
Vetëm kur
ndodh
të shpohet për një çast
nga diçka
e ngjashme me ozonin
e ngjashme me kujtimet e fëmijërisë,
fisi fshin ballin
e djersitur
shkundet
largon këtë ëndërr të keqe,
dhe këto zinxhirë
nga vetja,
rrotullohet
dhe e zë gjumi.

PËR NJË GOLEM

Ti erdhe të më shikoje
zhytur në mendime.
Unë jam si degë ulliri – fytyra jote.
Dielli u ka vënë zjarrin shtëpive.
Ura është lartuar gur e nga një gur
ndërsa qielli gogësin papushim.
Duart më kanë mbërthyer.
Ndjej lëvizjen e xinave të buta.
Prej meje del tym.
Avulloj në ty, duke shijuar
frutat e tua, kalimtar.
Delja kruhet pas shkëmbit,
dritaret pastrohen në ëndërr.
Përmbytem nga tinguj provash muzikore.
Kam mbërthyer llozin e derës tënde.
Qëroj hollin e zi festiv prej silku
të frymëmarrjes tënde të ngrohtë,
përkohësinë e jetës tënde.

BALENË, BALENË, QËNDRO VETËM!

A vuan lopa në qoftë se i shpon viçin
me thikë? A vuan lumi në qoftë se ti e than? Po
balsami, a vuan në qoftë se ti e lë të thahet
e zverdhet
në kuti në vend që të lyesh lëkurën?
Turmat
nuk vuajnë, ngaqë janë shumë.
Njerëzit bashkohen
e përhapin një erë të keqe.
Shikojnë njeri-tjetrin në sy
dhe e dinë: po vdesim si jashtëqitje e poshtëruar.
Si mund të më prekë kjo!
Po, në qoftë se dikush mes turmës
bëhet mbret dhe pastaj vritet! Ose,
në qoftë se një mbret varfërohet e detyrohet
t’i djegë drutë
me kursim. Gjëra të tilla më prekin.
Por, përsa i takon turmës, njerëzit janë mbuluar
gjalpë i prishur që më helmon gjakun.
Të gjitha balenat
janë budallaqe. Kam fakte.
usertype:1
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY