User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Si ndodhi asimilimi I ilirëve të romakëzuar, përgjatë Adriatikut e Malit të Zi
Forumi Amantin   Arkeologjia shqiptare
Hop to: 
Views:187     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:21/10/2012 00:57)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

Si ndodhi asimilimi I ilirëve të romakëzuar, përgjatë Adriatikut e Malit të Zi

 


Emri “sllav” vjen nga “sclavus”, që do të thotë “skllav” në latinishten mesjetare

Nga Cafo Boga

Quo vadis shqiptarët e Malit të Zi
Për më shumë se katër shekuj, qeverisja romake solli përparime ekonomike dhe kulturore në trojet e populluara nga ilirët si dhe u dha fund përplasjeve mes fiseve lokale. Me kalimin e viteve shumica e fiseve përgjatë brigjeve veriore përqafuan kulturën romake. Romakët ngritën shumë instalime koloniale, ndërmjet të cilave ishte edhe Dioclea, e përmendur më sipër, në territorin që dikur qeverisej nga Mbreti ilir Gent. Rajoni i Ilirisë, jo vetëm që lulëzoi nën pushtimin romak, por edhe nxori nga gjiri i tij disa prej ushtarëve dhe perandorëve më efikasë, të cilët përforcuan perandorinë që po rrëzohej në shekujt e katërt dhe të pestë. Më i rëndësishmi prej tyre ishte Diocletian (Diokletiani), i cili besohet ta ketë marrë emrin nga qyteza që dikur quhej Dioclea.
Iliria mbeti provincë e Perandorisë Romake deri në vitin 395, kur Diokletiani e ndau perandorinë në Lindje dhe Perëndim, secila ndarje e qeverisur nga një perandor më vete, në kryeqytetet e tyre përkatëse: Kostandinopojë dhe Romë. Kjo ndarje e la Ballkanin në vijën ndarëse mes dy fuqive të mëdha. Gjatë shekullit të katërt, rëndësia historike e Ilirisë u zvogëlua, ndonëse një nga njerëzit më të shquar të atij shekulli Shën Xheromi ishte nga Dalmacia. Edhe përgjatë shekullit të pestë, brigjet e Adriatikut dhe tokat rrethuese të fiseve ilire jetuan relativisht në paqe. Të lënë jashtë vëmendjes së perandorive lindore e perëndimore romake, prijësit lokalë në shumicën e kohës qeverisën praktikisht në mënyrë të pavarur.

Ndikimi i perandorit Jstinian në Ballkan
Fiset gotike të njohur si ostrogotët kërcënonin të dy krahët e perandorive dhe pothuajse vendosën që të bënin Ballkanin shtëpi të tyre. Mirëpo, fuqia e tyre u dobësua kur Justiniani u ngjit në fronin e perandorit në Kostandinopojë. I lindur në Turesium, në provincën romake Dardania Ilire (Kosova e sotme), Justiniani vinte nga një familje latinisht-folëse që besohet të ketë qenë iliro-romake. Përgjatë sundimit të tij, Justiniani ushtroi ndikim të madh në mbarë Ballkanin. Ai krijoi edhe një skenë të re metropolitane në qytetin që themeloi pranë vendlindjes së tij, jo shumë larg nga Naissus (Nishi i sotëm në Serbi).
Sundimi i tij shquhet për lulëzimin e kulturës bizantine, ndërsa programet e tij për zhvillimin e ndërtimtarisë dhuruan kryevepra të tilla si Kisha e Haga Sofisë, e cila u bë qendra e krishtërimit ortodoks lindor për shumë shekuj me radhë. Në fund, Justiniani nuk arriti të përmbushë ëndrrën e tij: ribashkimin e dy gjysmave të Perandorisë Romake, por suksesi i tij në Ballkan i dha mundësinë Perandorisë Bizantine të luajë një rol mbizotërues në çështjet ballkanike deri në shekullin e 14.

Pushtimi sllav
Gjatë shekullit të gjashtë, Perandoria Justiniane kërcënohej nga Gotët dhe Lombardët, të cilët zbrisnin e përshkonin me lehtësi rrugët romake drejt Ballkanit. Mirëpo, këta hordhi barbare nuk ishin të vetmit popuj që dyndeshin në botën e Ballkanit Romak. Bullgarët një popull sllavo-mongol, po pushtonin Moesinë dhe Trakën. Më tej, sllavët që u vendosën në Danubin e poshtëm, në Valahi (Vllahia, rreth Rumania së sotme) filluan të depërtonin në Iliri, herë për të plaçkitur e herë për të shpëtuar edhe vetë prej persekutimit të një tjetër dallge nomadike, asaj të hunëve. Sipas provave kryesore historike, sllavët vunë nën zotërim tokat kënetore të Lumit Pripet, në very të Kievit të sotëm, në Ukrainë, prej ku filluan të shpërhapen në të gjitha drejtimet. Emri “sllav” vjen nga “sclavus”, që do të thotë “skllav” në latinishten mesjetare. Gjurma më e hershme e këtij emërtimi është gjetur rreth vitit 800 dhe e ka origjinën nga fjala bizantine greke “sklavos”, e cila u shfaq rreth vitit 580. Skllavërimi i shpeshtë i sllavëve të kapur rob, ndodhi rreth shekullit të nëntë, kur Perandoria e Shenjtë Romake përpiqej të stabilizonte frontin gjermano-sllav. Shqiptarët sot ende përdorin fjalën “skllav” për të përshkruar skllevërit. Vetë sllavët, të cilët ende e përdorin këtë emërtim (“sllav”) për të përshkruar veten, përpiqen t’i gjejnë atij rrënjë indo-europiane, me një kuptim shumë më të mirë, gjë që është e kuptueshme.
Prokopi (Procopius), një studjues dhe historian i shquar bizantin i shekullit të gjashtë, përshkruan dy grupe dyndjesh sllave të Ballkanit: “antët” që janë identifikuar si paraardhësit sllavë të bullgarëve të sotëm dhe “sklavenët” nga të cilët rrodhën grupimet sllave si kroatët, sllovenët dhe serbët.
Justiniani nuk kishte ndërmend t’ua linte sllavëve Ballkanin, ndërkohë që ata ngadalë po shndërroheshin nga sulmues bredharakë në vendbanues. Mirëpo, ai vdiq në vitin 585 dhe 20 vjet më pas sllavët filluan të vendoseshin si banorë të përhershëm.
Fiset sllave të serbëve dhe kroatëve hynë së pari në Iliri nëpërmjet Dalmacisë, në kohën e mbretërimit të gjatë të Heraklitit (Heraclius 575–610). Ai kërkoi ndihmën e tyre kundër avarëve, të cilët kishin plaçkitur mbarë gadishullin. Avarët më në fund u tërhoqën në anën veriore të Danubit, mirëpo sllavët mbetën duke u përhapur nga Dalmacia në very të Danubit dhe nëpërmjet Trakës poshtë në Maqedoni, zonë që filloi të njihet nga bizantinët si “Sklavina” (Sclavina)”.

Përballja e fiseve slave me popujt që flisnin ilirisht
Fiset sllave që hynë në Iliri u përballën me popuj që filsnin ilirisht (shqiptarët e sotëm) dhe me ilirë të romakëzuar që kishin përvetësuar gjuhën latine, të njohur si “vlakë” (“vllehë” në shqip). Serbët dhe kroatët u dyndën mbi sipërfaqe të mëdha të populluara nga ilirët gjatë shekullit të shtatë, por perandori Konstans II (Constans II) i detyroi sllavët e Sklavinës që të njohin varësinë nga bizantinët. Gjithësesi, shekujt e shtatë e të tetë ishin një periudhë plot trazime për Perandorinë Bizantine, gjë që e bëri të lehtë për popujt sllavë - duke përfshirë edhe bullgarët gjithnjë e më shumë të sllavizuar - që të përforcojnë pararojen e tyre në Ballkan. Dyndësit sllavë asimiluan një pjesë të madhe të popullsisë ilire, por ilirët që jetonin në tokat që përbëjnë Shqipërinë e sotme dhe pjesë të Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë asnjëherë nuk u absorbuan apo u morën plotësisht nën kontroll.
Rasti më i hershëm kur përmendet një vendbanim i qendrueshëm serb në Malin e Zi i përket vitit 822, kur Ljudevit, pushtetari i Posavinës, në bazenin e Lumit Sava, u arratis në Dalmaci pasi u sulmua nga frankët. Përgjatë bregdetit, serbët u vendosën kryesisht në territoret ndërmjet lumenjve të Cetinës dhe Nerevtës dhe në Hercegovinë, në zonat e njohura si Zahumlje. Nga fundi i shekullit të nëntë, sllavët filluan të forcohen. Ndërsa bullgarët dhe bizantinët përlesheshin për mbizotërimin në Serbi dhe Maqedoni, Gjon Vladimiri (“Jovan” në sllavisht) mori pushtetin në Duklja dhe mbretëroi deri në vitin 1016 nga kryeqyteti i tij Scutari (Shkodra). Ndonëse bullgarët në fund arritën ta mundin Dukljën dhe Car Samueli e burgosi Vladimirin, të dy ata u pajtuan dhe ranë dakord që Vladimiri të martohej me vajzën e tij e të vazhdonte që të qeveriste në paqe Dukljën and Trebinën (“Trebinje” në sllavisht).
Në 1016, Gjon Vladimiri ra viktimë e një komploti të organizuar nga Ivan Vladislav, djali i Samuelit dhe mbreti i fundit i perandorisë së parë bullgare. Atij ia prenë kokën përpara një kishe në Prespë (në Maqedoninë e sotme) ku edhe u varros. Pak kohë më vonë ai u njoh si martir dhe shpall shenjt. Tre vite më vonë e rivarrosën me nderime në Shkodër, mirëpo rreth vitit 1215 eshtrat e tij u transferuan në Durrës, ku qendruan deri në 1381. Në atë vit, ato u vendosën në Kishën e Shën Gjon Vladimirit, pranë Elbasanit të sotëm, në Shqipëri. Kisha ishte ndërtuar në emër të tij, për ta nderuar, nga Princi shqiptar Karl Topia. Në vitin 1995 ato u zhvendosën në Katedralen Ortodokse të Tiranës, në Shqipëri, ku ndodhen edhe sot.
Mali i Zi është një vend i vogël me një popullsi prej rreth 630,000 vetësh. Malazezët dhe serbët janë dy grupet etnike mbizotëruese që përbëjnë rreth 74 përqind të popullsisë ndërsa që shqiptarët llogariten aty rreth 8%. Pjesa që mbetet (18%) janë myslimanë (boshnjakë apo shqiptarë të fesë myslimane që kanë adoptuar gjuhën malazeze). Është e rëndësishme që të vihet në dukje se shqiptarët janë një grup indigjen që ka jetuar në trojet e tyre që nga lashtësia. Një pjesë e këtyre trojeve u aneksuan nga Mali i Zi fillimisht si rezultat i Traktatit të Shën Stefanit në 1878, të nënshkruar pas Luftës Ruso-Turke. Rreth dy të tretat e tokave shqiptare u parashikuan që të kalonin në duart e fqinjëve bullgarë, malazezë, serbë e grekë. Zbatimi i traktatit u bllokua nga Austro-Hungaria dhe Britania që bënë thirrje për një marrëveshje të re.

Pasoja e Kongresit të Berlinit e vitit 1878
Traktati i Shën Stefanit shkaktoi një ankth të thellë ndërmjet shqiptarëve. Udhëheqësit e tyre u mblodhën në Prizren të Kosovës dhe themeluan Lidhjen e Prizrenit, fillimisht për të kërkuar bashkimin e tokave shqiptare brenda kuadrit të Perandorisë Otomane. Po atë vit, 1878, Kongresi i Berlinit përmbysi Traktatin e Shën Stefanit duke sanksionuar pavarësimin e Serbisë dhe të Malit të Zi nga Perandoria Otomane. Ndonëse përfitimet territoriale që i jepte Malit të Zi Traktati i Shën Stefanit ishin zvogëluar nga Kongresi i Berlinit, shteti malazez ishte dyfishuar në sipërfaqe dhe për të parën herë kufijtë e tij po përcaktoheshin disi nga një traktat ndërkombëtar. Vendimi më i rëndësishëm për Malin e Zi ishte sigurimi i daljes në Detin Adriatik duke marrë në zotërim Tivarin (Antivari i vjetër apo Bar sipas sllavëve) dhe Ulqinin (latinisht Dulcigno apo Ulcinj sipas sllavëve).
Për shkak të pushtimit të Bosnje-Hercegovinës nga Austro-Hungaria, Mali i Zi nuk mundi të zgjerohet në tokat hercegovinase ku banonin sllavë ortodoksë që ishin kulturalisht të afërt me malazezët. Në vend të kësaj, Mali i Zi mundi të zgjeroi vetëm në jug dhe në lindje nëpër toka të populluara kryesisht ose tërësisht nga shqiptarë, myslimanë e katolikë. Toka përgjatë bregut nga Tivari në Ulqin ishte pothuajse ekskluzivisht e populluar nga shqiptarë. Zonat në verilindje të Podgoricës njiheshin si Malësia dhe ishin të populluara nga fise katolike shqiptare. Kishte edhe një përqendrim shqiptarësh dhe myslimanësh sllavofolës në Tuz dhe në rrethinat e tij më në lindje. Vetë Podgorica kishte qenë për një kohë të gjatë një qendër tregtare otomane, e populluar pjesërisht nga turq, por kryesisht nga shqiptarë dhe myslimanë sllavofolës. Toka të tjera shqiptare që ranë pre e pushtimit malazez ishin qytezat e Plavës dhe Gucisë dhe rrethinat e tyre si dhe Rozhaja më në veri.
Lidhja e Prizrenit organizoi një rezistencë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit që dëmtonin Shqipërinë, duke luftuar si kundër otomanëve ashtu edhe kundër pushtuesve të rinj: serbëve dhe malazezëve, në veri dhe grekëve në jug. Shqiptarët në Malin e Zi bënë gjithashtu një qëndresë të fortë; luftimet shpërthyen në të gjitha qendrat e populluara nga shqiptarët dhe zonat rrethuese. Mali i Zi më në fund ia doli mbanë të siguronte shtrirjen në kufijtë e rinj, në vitin 1880, në sajë të ndihmës së ushtrive evropiane e otomane. Siç është shprehur Edith Durham, një vizitore britanike e shekullit të 19: Kufijtë e vizatuar nga Kongresi i Berlinit ishin “të pamundshëm: kufiri plluskonte mbi gjak”. Edhe sot, ky territor mbetet në qendër të debateve dhe burim konflikti etnik ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve.

Kush janë malazezët: Një perspektivë historike
Pyetja “kush janë malazezët” mund të marrë një larmi përgjigjesh, në varësi të personi që pyetet. Disa besojnë se malazezët ortodoksë janë në thelb serbë. Të tjerë besojnë se malazezët nuk janë serbë por një grup i veçantë etnik, me origjinë të përzierë sllavo-shqiptaro-vllahe (ilirë të romanizuar). Mbështetësit e skajshëm të kësaj tradite shkojnë deri aq larg sa të thonë se malazezët nuk janë sllavë por pasardhës të ilirëve të lashtë. Faktet historike tregojnë se malazezët janë shqiptarë që përqafuan gjuhën sllave gjatë Perandorisë Bizantine dhe kanë një prejardhje të përzierë shqiptare dhe sllave. Sipas disa historianëve, sllavët, që filluan të emigronin në këtë rajon në fund të shekullit të gjashtë, karakterizoheshin nga gjatësi mesatare, lëkurë të zbehtë dhe sy blu ose gri. Malazezët sot janë të gjatë, me lëkurë më të errët dhe me sy kafe ose të zinj, që ngjajnë shumë me malësorin shqiptar.
Gjatë mbretërimit të gjatë të Perandorisë Bizantine dhe në veçanti gjatë pushtimit të dinastisë serbe Nemanjic, një numër i konsiderueshëm fisesh shqiptare të kësaj hapësire filluan të përdorin gjuhën sllave. Mirëpo, ata ruajtën traditat, kulturën dhe folklorin të ngjashme me ato të malësorit shqiptar. Fjala “malësi” tingëllon pak si “malizi”. Nuk është çudi që edhe emri i këtij vendi të ketë origjinë shqiptare, mirëpo kjo duhet provuar në mënyrë shkencore.
Malazezët besojnë se gjurmë të origjinës së tyre i çojnë te Dukla (Dioclea latinisht, Duklja në sllavisht), një përqendrim romak i vendosur në shekullin e parë të erës së re. Ky territori i njohur më vonë si Dukla, është quajtur së pari Genta (më vonë Zenta) dhe përfaqësonte një vendbanim të rëndësishëm larg nga brigjet, toka që zotëroheshin nga Mbreti ilir Gent (Gentius sipas romakëve). Pasi romakët e pushtuan këtë territor dhe e internuan Mbretin Gent në Romë, është shumë e mundshme që të kenë emëruar një fisnik të rangut të lartë që të qeveriste si dukë mbi këtë principatë, që ndoshta shpjegon emrin Dioclea (ose Dukla). Edhe sot ka shqiptarë në zonën e Duklës së lashtë që kanë mbiemrin Duka. Në mënyrë të ngjashme një tjetër rajon malor shqiptar quhet Dukagjini (Duka + Gjini, ndoshta emri i dukës që qeveriste aty). Edhe pas pushtimit romak, kur Dukla u bë një municipium romak, kjo zonë qeverisej nga krerët e fiseve ilire, të cilët vazhduan të gëzojnë autoritet të konsiderueshëm në zonat e thella.
Illyria ishte një proto-shtet që përfshinte shumicën e Ballkanit qendror e perëndimor dhe banohej nga fise indo-europiane. Territori i tyre shtrihej deri në Slloveninë e sotme përgjatë Lumit Danub, përgjatë Detit Adriatik dhe poshtë deri në Shqipërinë e sotme, Maqedoninë dhe Greqinë. Gjatë historisë, grupe ilirësh migruan nëpërmjet tokës dhe detit, drejt Italisë.
Gjatë mbretërimit të Aleksandërit të Madh, shumica e mbretërve dhe prijësve ilirë u nënshtruan dhe u bënë vasalë të tij. Ai mposhti forcat e prijësve ilirë, ndërsa ushtarët ilirë e shoqëruan në ekspeditën që nënshtroi Persinë e largët. Pas vdekjes së Aleksandërit në vitin 335 para erës sonë, mbretëritë e pavarura ilire u ngritën përsëri në këmbë. Një shekull më vonë, mbretëria ilire e krijuar nga fisi Ardiaei, me qendër pranë Shkodrës së sotme, kishte nën kontroll pjesë të Shqipërisë së veriut, Malit të Zi dhe Hercegovinës. Më i shquari mes mbretërve Ardiaei ishte Mbreti Agron, i cili kishte nën zotërim territore që shtriheshin nga Dalmacia veriore e deri në jugun e Shqipërisë dhe kufijve veriorë të Greqisë së sotme. Pushteti i Mbretit Agron shtrihej edhe në det, ku anijet e tij ishin një shqetësim i vazhdueshëm për fqinjët. E veja e Agronit që zuri vendin e tij në fron, Mbretëresha Teuta, sulmonte në det anijet tregtare romake. Kjo gjë u përdor nga Roma si justifikim për të pushtuar Ballkanin. Luftërat iliro-romake vazhduan nga 229 deri në 168 para erës sonë, kur forcat romake zunë rob Mbretin Gent në Shkodër dhe e dërguan monarkun ilir të lidhur në Romë.
Nga viti 1162, perandori biznantin Manuel kishte arritur të vinte nën zotërimin e tij Dukljën, Raskën dhe Bosnjen si dhe ua kishte ndarë këtë territor për ta qeverisur katër vëllezërve: Tihomir, Stracimir, Miroslav dhe Stefan Nemanja. Ndonëse Manuel nuk nisej nga ndonjë dashamirësi karshi serbëve, ai në fakt ndihmoi në krijimin e mbretërisë së parë serbe, duke bashkuar serbët ortodoksë dhe shqiptarët e asimiluar kundër hungarezëve, të cilët në 1153 kishin tashmë nën kontroll hapësirat e Kroacisë dhe Dalmacisë.
Megjithëse, në krahasim me vëllezërit e tij, Stefan Nemanja mori sipërfaqen më të vogël të tokës, rreth Toplicës në Serbinë jugore, ai u bë shumë popullor dhe doli fitimtar nga konkurrenca ndërfamiljare. Ai rivendosi kontrollin mbi territoret fqinje, duke përfshirë edhe Zetën (Doclea) dhe i bashkoi ato në atë që do të bëhej më vonë Mbretëria Serbe.

Ndikimi sllav mbi fiset shqiptare
Sipas biografisë të shkruar nga djali i tij, Nemanja u lind në 1122 në Zeta dhe u pagëzua si katolik, por ai do të ripagëzohej më vonë nga një prift ortodoks lindor. Me ndihmën e ushtrisë bizantine, Nemanja pushtoi Kosovën, Maqedoninë Veriore dhe Luginën Morava. Ai vazhdoi duke dëbuar Mbretin Radoslav nga Zeta dhe duke aneksuar Tërbinjën, Zahumlen dhe Neretvën, të cilat ia la në dorë djalit të tij Vukanit. Për 200 vitet që vijuan, Zeta ekzistoi kryesisht si pjesë e mbretërisë të krijuar nga Dinastia Nemanjiç – ndonëse autonome dhe nganjëherë praktikisht e pavarur. Udhëheqësi më i shquar i Dinastisë Nemanjiç ishte Dushan Nemanjiç, i cili zgjeroi zotërimet duke përfshirë tokat e Maqedonisë së sotme dhe pjesë të mëdha të Shqipërisë dhe Greqisë. E deklaroi veten car të Perandorisë së Serbëve, Romakëve, Bullgarëve dhe Shqiptarëve – një titull i ekzagjeruar duke pasur parasysh pushtetin e tij të vërtetë. Shumica e Greqisë mbetej nën kontrollin bizantin dhe Shqipëria jugore ishte nën Mbretin e Napolit Sharl D’Anzhu nga 1269 në 1368. Kontrolli i Nemanjiçit mbi veriun e Shqipërisë ishte disi sipërfaqësor krahasuar me pushtetin që ushtronin familjet e fuqishme si Muzakët, Topiajt dhe Balshajt. Car Dushani vdiq në 1355, përpara se të realizoheshin planet e tij për të pushtuar çfarë kishte mbetur nga Perandoria Biznatine dhe për ta shpallur veten perandor. Gjatë kësaj periudhe ndikimi të tepruar sllav, shumë fise shqiptare përvetësuan gjuhën dhe fenë serbe por ruajtën traditat dhe mënyrat e tyre të jetesës. Për shembull fiset e Bërdas konsideroheshin si një njësi më vete nga Mali i Zi i Cetnjës, deri vonë në shekullin e 19. Për të kuptuar se pse ndodhte kjo, duhet të shkojmë pas në vitin 395 kur Diokletiani e ndau në dysh Perandorinë Romake, gjë që solli ndarjen në dysh edhe të tokave ilire, të cilat mbetën përgjatë kufirit mes dy forcave të fuqishme: Perandorisë Ortodokse Bizantine në lindje dhe Perandoria Romake Katolike në perëndim. Krishtërimi mbërriti në tokat ilire gjatë shekullit të parë të erës sonë, kur edhe Shën Pali shkroi se kishte predikuar në provincën romake të Ilirisë (Illyricum). Pas ndarjes së perandorisë, tokat shqiptare që mbetën nën pushtetin perëndimor romak vazhduan të praktikojnë fenë katolike dhe ruajtën gjuhën shqiptare (me përjashtim të ilirëve të romakëzuar, të cilët filluan të përdorin gjuhën sllave). Pjesët e tjera që mbetën në Perandorinë Bizantine (ndonëse kufiri lëvizi para mbrapa disa herë) morën fenë ortodokse lindore dhe gjuhën sllave përshkak të ndikimit të vazhdueshëm sllav për më shumë se gjashtë shekujsh. Shqiptarët në Shqipërinë e sotme jugore dhe në Greqinë veriore përqafuan fenë ortodokse lindore por ruajtën gjuhën shqipe. Asimilimi më i madh ndodhi me ilirët e romakëzuar, përgjatë bregdetit adriatik dhe Malit të Zi të sotëm.
Pas vdekjes së Dushanit dhe dobësimit të dinastisë Nemanjiç, princët e prijësit lokalë të Duklës, e cila tashmë njihej si Zeta ose si Zenta nga bizantinët, filluan të merrnin situatën në duart e tyre.. Udhëheqësit më të shquar ndërmjet tyre përbëjnë Dinastinë e Balshajve (“Balsiç për sllavët), e cila jetoi nga 1356 deri në 1457. Fisi i Balshajve fliste shqip në shtëpi por përdorte sllavishten gjatë qeverisjes sepse kishin qenë për një kohë shumë të gjatë vasalë të dinastisë serbe. Dinastia e Balshajve u zëvendësua nga një tjetër prijës me origjinë shqiptare që i hapi rrugën fuqizimit të Dinastisë Cërnojeviç. Ajo filloi me dy vëllezërit Gjergj dhe Llesh Gjurashaj (“Gjuragj” dhe “Ljes Gjurasevic/Cernojivic” në sllavisht), nga fisi shqiptar i Trieshit. Një rol shumë më të madh në çimentimin e pushtetit të kësaj familje në Zeta luajtën Stefan Cërnojeviç (1426–1465) dhe djali i tij që qeverisi në vitet 1465-1490. Stefani ishte djali i tretë i Gjergjit, Dukës së Zetës dhe i vajzës së fisnikut shqiptar Kojë Zakaria. Stefani u martua me Marën, vajzën e madhe të princit shqiptar Gjon Kastriotit dhe motrën e Skënderbeut. Ivani u martua me Goislavën, motrën e princit shqiptar Gjergj Arianit Komneni i dinastisë së shquar të Komnenëve (Comnenus) dhe pas kësaj u bë krushk me despotin serb Stefan Brankovic gruaja e të cilit ishte gjithashtu nga kjo familje shqiptare.
Gjatë qeverisjes së Cernojeviçëve, ushtritë e fuqishme otomane thyen me lehtësi të gjithë shtetet fqinje të Serbisë, Bosnjes dhe Hercegovinës. Në atë kohë, Perandoria Otomane kishte pushtuar shumicën e tokave shqiptare. Për të mos lejuar një fat të ngjashëm, Ivan Cërnojeviç e zhvendosi kryeqytetin e tij nga Zhablak (“Zhabljak” në sllavisht) mbi Liqenin e Shkodrës, në Zeta në Cetinën malore (“Cetinja” në sllavisht), një zonë për të cilën turqit nuk kishin ndonjë interes për ta pushtuar për shkak se nuk kishte burime natyrore. Djali i Ivanit Gjergj Cërnojeviç, i cili qeverisi në vitet 1490–96 ishte edhe sundimtari i fundit i dinastisë së kësaj familjeje. Me të mbaron edhe historia e Zëtës dhe fillon historia e Malit të Zi.

Gjatë shekullit të 17, Venediku luajti një rol mbizotërues në jetën politike malazeze
Tokat e Zetës u pushtuan më së fundi nga otomanët, por Mali i Zi i sapokrijuar mbeti në shumicën e kohës në formën e rajonit të pavarur të njohur si “nahije”. Gjatë shekullit të 17, Venediku luajti një rol mbizotërues në jetën politike malazeze. Nga 1516 deri në 1697, sundimtarët e Malit të Zi ishin Princër-Peshkopë (“Valladikët). Ndonëse nën sulme të përhershme të forcave turke, Mali i Zi ia doli mbanë të mbrohej derisa Suleiman Pasha më në fund e pushtoi Cetinjën në 1692. Në 1697 Peshkopi Danilo, i pari vladikë i Dinastisë Petroviç, u ngjit në pushtet dhe mbretëroi deri në 1735.
Duhet thënë se me ardhjen e Danilos në pushtet shënohet fillimi i historisë së Malit të Zi të kohës së sotme dhe fundi i zotërimit turk mbi të. Hapi i tij i parë në rigjallërimin e vendit që kishte vuajtur prej kohësh rrethimin turk dhe së fundi edhe shkatërrimin e Suleiman Pashës, ishte rindërtimi i kishës dhe manastirit në Cetinjë. Ai gjithashtu besonte se rreziku i vërtetë Malit të Zi nuk i vinte prej turqve por nga familjet që ishin konvertuar në fenë myslimane. Në mbrëmjen e Krishtlindjes 1702, Danilo dhe figurat kryesore të vendit u bënë thirrje të gjithë të konvertuarve që të ktheheshin në fenë e të parëve duke u dhënë një ultimatum: kthehuni në krishtërimin ortodoks ose vdisni. Ajo që vijoi gati i përngjante një masakre.
usertype:1
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY
LUFFY