User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Skënder Hasko
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Views:79     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:14/10/2012 04:02)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

SKËNDER HASKO



Skënder Hasko u lind në vendbanimin Dukat të Vlorës, më 2 mars të vitit 1936. Në Universitetin e Tiranës ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike - dega e gazetarisë. Gjatë karrierës së vet ka punuar në revistën “Hosteni”, në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, kryeredaktor i revistës “Pionieri” dhe drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve. Aktualisht është redaktor në shtëpinë botuese “Toena” - sektori i letërsisë për fëmijë. Gjatë punës së tij krijuese është treguar mjaft i frytshëm.
Romanet: Të burgosurat e Xhuxhumit, Legjenda e fshatit tim, Një “gjeneral” kapet rob, Arratisja e Tupe Xhelos
Novelat: Ne ishim partizanë, Çimi dhe roboti budalla, Çudirat dhe e fshehta e Zamirit, Kocomiu tekamadh (novelë-përrallë)
Librat me tregime: Në do nuse, gjej taksi, Faqemolla mundi hundëpinokun, Me litar të botës, mos hyr në pus.





BYREKËT E SHEGËS
(Tregim i pashpikur...)




Shega është një fqinja jonë me një moshë rreth të pesëdhjetave. Fqinjësia është goxha e vjetër, mbi njëzetëvjeçare dhe, si i thonë, i njohim dhëmbë e dhëmballë njeri-tjetrit e njëra-tjetrës. E si të mos njihemi aq mirë, kur kemi marrë pjesë nëpër dasmat e secilës palë, kemi lindur fëmijët në të njëjtin pallat e në të njëjtin maternitet?… Edhe fëmijët aty u rritën e u bënë ca nga tetëmbëdhjetë e ca nga njëzetvjeçarë. E, pra, ne i njohim shoshoqit edhe kollën kur ngjitemi nëpër shkallë, të mos themi se i njohim edhe ato “kollitjet” e zonës së poshtme…
Unë në këtë tregim nuk do të merrem me shumë gjëra, por do t’u rrëfej vetëm një esnafllëk të Shegës, atë të byrekbërjes. Ky esnafllëk ndodhte aty nga mesi i çdo jave, herë të mërkurën e herë të enjten, rreth orës njëzetë e një, kur të gjithë dyqanet e ushqimoreve ishin mbyllur. Shega, me ndonjë filxhan çaji, filxhan kefeje apo gotë uji në dorë, trokiste te dera e njërës nga fqinjët dhe kërkonte atë për çka kishte nevojë.
Javën e parë të muajit që shkoi, fiks në orën njëzetë e një e pesë minuta, trokiti në derën tonë dhe, pa hyrë mirë brenda, duke buzëqeshur e tërë përkëdhelka, i tha gruas sime:
- Uuu, pika më rëntë, moj Shanisha, si paskesha harruar të blija miell? E dija se kisha, po kur hapa dollapin, shiko e shiko, nga të gjitha llojet e ushqimeve kishte aty brenda, vetëm miell s’kishte… Mirëpo dua t’u bëj një byrek kalamajve, se u kam dhënë llafin. I thashë tim shoqi, Rustos: “T’u bëfsha, hidhu një vrap deri te dyqani i ushqimores dhe blijna një qillo miell, se më paska mbaruar!…” Ai m’a ktheu: “Po ku ka dyqan hapur në këtë orë, moj të qëlloftë! Merr ndonjë gotë te komshinjtë, pa ua kthen nesër…” E, ja, erdha, moj Shanisha motra… Të ndodhet ndonjë gotë miell? Ta bie motra nesër…
Shanishaja i merrte gotën nga dora dhe ia mbushte dingas. Shega çelej në fytyrë, e rrëmbente gotën me miell, sikur kishte frikë mos i kthehej mendja Shanishasë sime, dhe nisej të ikte. Në të dalë të derës, i thoshte Shanishasë:
- Të rruashin kalamajtë, se më shpëtove! Mos u bëj merak, ë, se ta bie nesër!
- Ik, moj Shegë, ik, dashke të më biesh një gotë miell!… Nuk e dua! U bëftë gjak e dhjamë kalamajve e Rustos byreku që do bësh me këtë miell!
- Uuu, paç e dhënç, paç e dhënç! - thoshte Shega dhe zbriste me nxitim shkallët e pallatit, pastaj dëgjohej hapja dhe mbyllja e derës së apartamentit të vetë, që e kishte një kat më poshtë nesh.
Gruaja, pasi mbylli derën, më tha mua:
- Hallall e pastë atë gotë mielli, se të gjitha harrojmë të blejmë ndonjë yshqyrat e detyrohemi të marrim hua te fqinjët.
- Hallall, - ia ktheva unë dhe mirë bëre që ia fale, se nuk do fukarepsemi për aq gjë!…
Në mesin e javës tjetër (më duket se qe e enjte), Shega erdhi e trokiti përsëri në derën tonë, duke mbajtur në dorë një filxhan kefeje. Pasi lëshoi atë buzëqeshjen, që më tepër i ngjante një ngërdheshjeje, tha:
- Shankë, t’u bëftë Shega kurban, ke të më huash një filxhan vaj? S’dua vaj ulliri, jo, po nga ai i kikirikut-a, i misrit-a, ç’të kesh!… Më rëntë pika, më rëntë, qysh paskesha harruar të blija vaj… Çdo gjë kisha në dollapin e ushqimeve, veç vajit…
Dhe, me një të folur monotone, që të mërziste veshët, tha ato që na kishte thënë për miellin javën e parë, tamam si t’i kishte regjistruar në kasetë magnetofoni…
Shanishaja ia rrëmbeu filxhanin nga dora dhe ia mbushi me vaj luledielli. Ndërkohë Shega vazhdonte të fliste:
- Bëfsh hajr, Shankë, se desh më mbeti byreku pa bërë … Dhe përse? Për kaq vaj… Mos u bëj merak, se ta bie nesër, ë!…
Gruaja, si edhe një javë më parë, ia ktheu:
- Ik, moj Shegë, ç’më llafos! S’mbetemi keq për një filxhan vaj ne! Bëne byrekun e t’u bëjë mirë kalamajve e Rustos! Dhe dëgjo: se mos të shkon ndërmend të ma sjellësh vajin,ë, se të zemërohem!
Shega iku duke uruar e duke ecur me terezi, se mos i derdhej vaji nga filxhani, meqënëse Shanishaja ia kishte mbushur buzë më buzë.
Shega erdhi edhe herë të tjera, po jo më për miell a për vaj, por për ndopak gjizë, për kripë, madje edhe për ndonjëçikë mish të grirë… Gruaja i jepte Shegës çdo gjë që kërkonte dhe, meqë ishin sasi të pakta, gjithmonë ia falte.
Pasi kishin kaluar nja dy-tre muaj, gratë e pallatit, të mbledhura në ditëlindjen e fqinjës Hatixhe, ku Shega mungonte, mësuan një marifet interesant të saj.
- Moj, pse nuk ka ardhur Shega? - pyeti Afërdita.
- Hë de, pse s’ka ardhur, - ia ktheu Semihaja. - S’besoj të ketë ndonjë hall, se s’ka gjysmë ore që ishte tek unë e mori një gotë nga ato të ujit me miell, se kishte harruar të blinte e i duhej për të bërë byrek për kalamajtë. Ia mbusha gotën dhe ia fala, se ishte turp t’i kërkoja të më kthente një gotë miell… Uh, një gotë miell… Harron njeriu të blej ndonjë gjë. Edhe ne harrojmë.
- Se mos kishte harruar të blinte vetëm miellin, - tha Diana, - ajo edhe për të blerë vaj kishte harruar, se erdhi tek unë e më kërkoi një filxhan borxh, po unë ia fala.
- Uaaa, - ia bëri Shkëndija, - prandaj erdhi e mori gjizë tek unë ajo?! Ashtu më tha dhe mua: “Kam harruar të blej gjizë, se të tjerat i kam”.
Biseda u hap si petët e byrekut të Shegës… Fol njëra e fol tjetra, trego njëra e trego tjetra dhe doli që Shega, çdo javë, i bënte byrekët duke e marrë çdo gjë hua. Te njëra fqinje merrte miellin, te tjetra vajin, tek e treta gjizën apo mishin e grirë e kështu me radhë. Veçse në këtë punë bënte një marifet: atje ku merrte miellin javën e parë, javën e dytë merrte vajin e javën e tretë mishin e grirë, gjizën apo kripën…
Kështu, në atë ditëlindje, në vend që në qendër të bisedave të ishte Hatixheja, “hyri” Shega me marifetin e saj. Gratë herë qeshnin e herë zemëroheshin ngaqë u vinte inat se, siç thoshin, “i kishte bërë budallaçka një copë Shegë…” , por ama në fund e morën një vendim: “Që sot e tutje, asnjë gram miell, gjizë, kripë e çdo gjë tjetër ushqimore nuk do t’i huet Shegës, edhe sikur këmbën të tundi, se na ka bërë lolo! Betohemi!”
Ky vendim i grave të pallatit bëri që Shega të bënte tërë përpjekjet për të ndërruar pallatin dhe ia arriti: e shkëmbeu apartamentin me një familje që banonte në një pallat një kilometër më tutje. Kjo do ta ndihmonte të mos “harronte” zanatin e byrekbërjes… Ama nuk i duhet mohuar edhe një meritë: ajo la edhe një si punë proverbi… Sa herë mungonte ndonjë send ushqimor në shtëpinë tonë dhe lindte ideja për të marrë hua te fqinjët, nëna ime thoshte:
- Mos e bëni si Shega, po shkoni e blini ushqime në dyqan!…
Pas fjalëve të nënës, mua më vinte ndër mend ajo fjala e urtë popullore, që thotë: “S’mbahet shtëpia me miell hua!” dhe bërtisja: Grua, shpejt në dyqan, se u bëmë si Shega!…
usertype:1
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 1# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Skënder Hasko
(Date Posted:14/10/2012 04:02)

MOJ KASOLLE!

Çudi njerëzit se si janë?!
Të shanë e çfarë s’të thanë,
Ty, moj kasollja me kashtë...
Prapë ti njerëzit s’i le jashtë.
Nuk i le t’i lagte shiu,
As t’i bënte “trung” veriu…
I mbajte në gjirin tënd,
M’u si delja qengjin mënd…

Vatra jote zjarr pashuar,
Pranë saj sofra shtruar,
Aty hëngrën bukë të thekur,
Aty hëngrën mish të pjekur,
Dhe kulloshtra, kos e trashë,
Aty zjeu avash-avash...

Dhe bariu aty fjeti,
Aty plaku prehje gjeti,
Aty nusja bebin ndjeu,
Si në bark të saj “kërceu“...
Aty nusja u bë nënë,
I dëgjoi foshnjës zënë.
Edhe kur dikush sëmurej,
Pranë vatrës tënde ulej,
Zjarr’ i vatrës kurrë s’t’u fik,
Prite fis e prite mik.

Dhe tani, oh, sa çudi!
Ca që bënë nga një shtëpi,
Ca, që vunë nga pesë grosh,
Ec, moj, ec e t’i dëgjosh,
Sikur s’janë të kësaj bote...
Po, a shahet rrënja jote?!
Se, kur s’kishin ku të rrinin,
Moj kasolle, te ti vinin...
Ti, moj, ti ua hape gjinë,
Tani na tregojnë shtëpinë…
Portofolin na tregojnë,
Vatrën tënde e harrojnë.

Ti ke qënë vat’r e hallit,
Ti ke mbetur vat’r e mallit!
Eh, moj e dashur kasolle,
S’korre dot atë që mbolle...
Ç’është kështu, e marrtë djalli?!
Hidhet lumi-shahet kali...

Ti kasolle, prapë je,
Në mendjen time, si muze!

SI UJE BORE NE BARDHAK

Ku është fshehur bukuria,
Posi gur i xhevahirit?
Ku përvëlon dashuri,
Si prushi në mes të hirit?

Midis malesh, strall e pyje,
Bukuroshi - fshati im,
I ka vajzat hëna e yje,
Thëllëza në fluturim...

Vajza rritur si kavak,
Luleshqerra në lëndinë,
Ujë bore në bardhak,
U vjen era trëndelinë…

Vajza-flakë, zjarr e prush,
Që djeg heshtazi, ngadalë,
Vajza me sërma në gushë,
Si shigjetë, për çdo djalë...

Aty fshihet bukuria
Posi gur i xhevahirit,
Aty djeg dhe dashuri,
Posi prush në mes të hirit…

KENGE - ZONJA

Oda prej valles gjëmon,
“Gjym” po vete kënga labçe,
Ç’të zë gulçi kur dëgjon,
Një këngë treshe dukatçe!

Si një klithmë, kur shqiponja,
E lëshon, kur fluturon,
Ashtu këlthet këngë-zonja,
Kënga treshe e fshatit tonë.

Pa le, kur në faqe malesh,
Ia thotë treshes me zë plot,
Fjalë dertesh, këngë hallesh,
Të dridhmon e të përlot.

LARG!

Hiqmu sysh e keqe,
Mos më dil përpara,
As sot e as mot,
Mos të mbiftë fara!

Larg nga sytë e mi,
Larg nga jeta ime,
Mendjen edhe shpirtin,
T’i mbjell me gëzime!

DIKUR DHE… SOT

Një shoku im, kur ish i ri,
Kur pa një xhaxho me dorak,
“Shiko, - më tha me qesëndi, -
Si tundet - shkundet ai plak!”

Ç’më pati thënë e ka harruar,
Se u bë vetë si ai plaku,
Ndaj thotë serbes e i menduar:
“Nuk ka për pleqtë si doraku”...

ZJARRIT TEND S’I BEJ DOT BALLE

Moj e vogël, pikë loti,
Delikate si laboti,
O moj hëna pranë yllit,
Pse më vret me cep të syrit?

Mos lësho shigjeta zjarri,
Se ngre të vdekur nga varri,
Dhe mua më djeg të gjallë,
Zjarrit tënd, s’i bëj dot ballë…

Syri yt po të më vrasë,
Do të shkoj, moj, shend e gaz,
Zemrën do ta lë mbi tokë,
Se me vete s’e marr dot…

Shpirtin do ta lë tek ti,
Që të flesh me të në gji,
Të të kthehet çdo mëngjes,
Në unazë për martesë…

ME KE NDEZUR ZEMREN

Siç ndez stralli eshkën,
Më ke ndezur zemrën,
Mu në pik të natës,
Më vjen bashkë me ëndrrën.

Mu si bor’ e malit,
Të farfurin gusha,
Me bukurinë tënde,
Sytë e mi ç’i mbusha.

Fluturoj në qiell,
Si pëllumb me fletë,
Siç të kam në ëndërr,
Të paça në jetë!
usertype:1 tt= 0
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY LUFFY
LUFFY