User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Shefki Karadaku
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Search Tags: poezi, shkrimtar shqiptar
Views:68     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:13/10/2012 00:22)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

SHEFKI KARADAKU


Po qe se shikohet lirika përmbledhëse “Feniks”, lehtë vërehet se vëllimi ka një frymë të re poetike. Është një poemë me çelës që zhvillohet me një të përpjetë poetike alternative. Ajo ndryshon jo vetëm nga format stereotipe të poezisë shqipe, por edhe kundrejt poezisë që ka marrë përsipër të jetë avangardë e kësaj poezie… Poeti, si dhe Khajami, marrëdhëniet me botën i sheh si shpallje beteje me mëkatet… I tillë është poeti Shefki Karadaku, tërë vargjet e poemës “Feniks” janë të harmonizuara estetikisht në të gjithë nivelet e të shprehurit emocional, stilit dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm.



Dr. Lutfi Turkeshi, studiues



POEZI NGA LIBRI “FENIKS”



O UDHË



udhë çame, o udhë përse larg

m’i çoni ju tani mendimet trishte

gjer pas Prevezës ku Joni çmallet, lag

toka shqiptare të vjetra, ilirike?



Përse çdo natë nën yllin fin të jugut

si shëmbëllim të tokës që ka ikur

shikoj Nadiren me spektër ditësh blu

në çdo katund të lashtë, të braktisur?



Nga tokat, lulet që kurrë s’i ka parë

diçka ajo ka marrë dhe ka dhënë

diçka si brengë, si mrekulli të artë

që nën dy sy të errët shfaqej mbrëmë.



Dhe nga trishtimi çam i pakufishëm

që si hebrenjtë ikën nëpër tokë

lulëzon ajo si femër e magjishme

në katër stinë malli sjell një botë.



DIELLI ÇAM



vajzë brune, vajzë çame

përse m’u shfaqe vallë përsëri

diku në udhën time eoljane

nën diellin e zymtë pa kufi?



Kam diell herë-herë natë

e fusha akuj bie sërish

por udha është kaq e gjatë

drejt lumturisë së dyfishtë.



Atdheu yt diku ka mbetur

nën shovinizmin gjyshëror

gjer pas Janinës kosë e hekurt

përkuli fiset njerëzore.



Tani atje ka mbetur hiri

i botës që nuk kthehet më

dhe udha që drejt teje lindi

nën shenja ikjesh zbardh gjithnjë.



Ti natën qan ullinjt’ e shkretë

s’ke ngushëllim si fisi çam

kujton Filatin moj e zbehtë

me shpirt të trishtë si duman.



E puthjet e fjalët që më bie

diçka si brengë kanë moj,

diçka të largët, ëndërr, hije

që shfaqet, shuhet, por s’mbaron.



FUSHAT



fushë, fushë, fushë plot gjineshtra

skeptër i vjeshtës tundet mbi çdo gjë

mendime trishte ka bengu mbi tela

sikur pranverën s’do ta shohë më.



lamtumirë diell i magjishëm

me muzg u mbyt hapësira anekënd

një korb i madh me krahë të fuqishëm

nën bebe tund planetin kënd më kënd.



Jam vetëm, gjithësia më vërtitet

si karusel me fushat rreth e qark

veç malli i një ikjeje nuk më shqitet

përpara gardhit bota shtyhet larg.



Nuk kam ç’t’i them natyrës që përzishëm

e merr tetorin dhe tutje e përzë

dhe vjen pastaj me muzgun e magjishëm

të gjetheve të rëna nëpër zë.



Me sy kërkoj një breg të ri, të qeshur

të largëtin dhe të mirin breg, diku

por korbi zbret nga hëna dhe zë belbër

fushoret shkretëtira ka në sy.



SHIJA E DASHURISË



Keq me vjershat Midga keq

fati m’i përplas ato në kokë

vijnë lejlekët nga Arabia rresht

dhe nëpër mjegull bien në tokë



Bien ato si lirika e trishtë e agut

dhe pa u tharë bari krrokatin me ngut

të lumtura janë që nuk i jepen artit

por kanë në bebë humbëtirë si muzg



Të lumtur janë që nuk provojnë shijen

e luftërave të kota me redaktorë pa gjak

po ikin dhe vijnë përmes natës dhe hijeve

dhe botën e njohin si prozë shtegtimesh prapë



Ndryshe do të provonin vuajtje të thella

ashtu siç po provoj dhe unë sot

poeti Migda më duket si njeri shpellash

me vjershat anakronike si hëna mbi Nju Jork



1980



NOKTURN TRISHTAR



E ndien shiun që bije Nado natyra po zhvishet

nga gjethet lozonjare dhe qyteti tani mërdhin

nëpër parqe metalike imazhet e taksive marrin hije

gurgullon në zemrën time era e vjeshtës lamtumirë

verë e gjallë e qytetit zëra dashurish në terr

hapa që kondensoni në muzg ritmin e një jete të re

lamtumirë rrape gjelbëroshë ku varen yjet dritëpakët

pluhur i njelmët gështenjash tani shiu që ka nisur

i vodhi tinëzisht imazhin e dasmës dhe taksinë

lamtumirë ikje sezonale detesh në plazhin turistik

kaloi dhe iku lokomotiva e fundit me nuse në bord

nëpër shinat metalike rrëshqiti muzgu i shirave si gjumë

lamtumirë qytet i zhveshur nga natyra provizorisht

edhe unë si ti pres pranverën po ndërsa ti hesht memec

unë zemrën dhe mendimet murosa nën çdo stol të bardhë

lamtumirë.



AJO



Të këndoj ty bukuroshe si Alkeu

unë s’jam poet i vjetër melik

por zemra po aq e lashtë sa dheu

përpara teje rreh si det antik



Por zemra e kërkon nudon e bukur

le të jetë ajo si mbretëreshë

që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër

si tajfun Floride të buzëqeshë



Kjo do të jetë jeta më e shpejtë

dhe e gjatë për një çast si ky

ç’e do një shekull gjumë me harresë

pa sy Alkeu jetën ç’e përtyp



Unë dua që të kem mijëra çaste

që ta shijoj vegimin tokësor

i plakur s’kam nevojë për asnjë çmallje

e për Helenën s’qan më asnjë Trojë


Përgatiti materialin Faslli Haliti
usertype:1
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY
LUFFY