User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Sazan Goliku
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Views:127     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:14/10/2012 04:05)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

SAZAN GOLIKU
(tregim)


Sazan Goliku është pseudonimi letrar i Pandeli Koçit. U lind Vlorë, më 1942. Më 1956-1960, nxënës në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë; 1960-1962, mësues në rajonin e Fierit (Marinëz-kantjer); 1963-1967, Fakulteti Histori-Filologji (dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe) në UT; 1967-1968, punonjës kulture në SHQUP; 1969-1980, redaktor letrar në shtëpinë botuese “N. Frashëri”; 1980-1981, kurs pasuniversitar njëvjeçar për filozofi 1981-2002, redaktor, zëdhënës shtypi dhe kryeredaktor i Fletores Zyrtare në Kuvendin e Republikës; 1985-1992, pedagog i jashtëm për Letërsinë e Kosovës në UT. Ka botuar: 11 libra me poezi e prozë, mbi 17 libra për fëmijë. Nga viti 1960 dhe në vazhdim ka botuar studime, kritika, intervista e recensione letrare në organe të shtypit, letrar e shkencor si Zëri i Rinisë, Drita, Zëri i Popullit, RD, Republika, Nëntori, Studime Filologjike, Dardania Sacra, Fjala, Jeta e Re, Jehona, Mehr Licht, Poeteka, Zëri, Albania, Telegraf, Obelisk, Universal etj. etj. në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Ka qenë autor i mjaft teksteve të këngëve fituese të festivaleve në RTV. Ka shkruar zëra në Enciklopedinë e re Shqiptare. Ka fituar disa çmime letrare kombëtare e vendore. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1969. Ka qenë bashkëredaktor (me Prof. Dr. Emil Lafen) i Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë (1998). Ka qenë zëvendëskryeredaktor i revistës shkencore juridike-sociologjike “Pajtimi” dhe redaktor i revistës “E drejta parlamentare dhe politikat ligjore”. Ka qene ideator dhe nismëtar i klubit letrar “Ali Asllani”. Është Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Është bashkëpunëtor i Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë. Ka zë në “Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë” të Hasan Hasanit, në “Leksikonin e shkrimtarëve për fëmijë” të Odise Grillos, në “Leksikonin e gazetarëve shqiptarë” të Hamit Boriçit dhe trajtohet gjerë në “Histori e letërsisë shqipe për fëmijë” të Astrit Bishqemit etj.





UJI I RRAHUR OSE AKSIONI ZERO




Bursa e qytetit atë mesdite korriku të tejnxehur të kujtonte foletë e grenzave në prag të shpalljes së luftës. 924CP663G, 013AD109R, 978LD125V... - përplaseshin në ajrin që nuk arrinte të freskohej nga ventilatorët gjigant mbi kryet e bursistëve e të lloj-lloj biznesmenësh.
-Këlysh kurve! M’u zhduk nga sytë! Mos m’u afro se do të të vras! – u çorr në celular në veshin e Danit zëri i shefit të tij, Markut.
-Në të sat ëme vafsh! Të dhjefsha në rrogën tënde! – shpërtheu Dani duke përfytyruar turinjtë e çmeritur të shefit.
Agjenti Dan doli nga salla e bursës sa i befasuar aq dhe i pezmatuar; i hipi “Tigrit” dyvendësh, ndërsa duart shtrënguan fort me nervozizëm timonin, i dha mbrapsh makinës, për të dalë nga rreshti i makinave, por çiku parakolpin e një “Benzi”. –Dreqi e mori – shfryu, rrotulloi timonin, rrotat vërshëllyen, cijatën dhe “Tigri” u hodh në autostradën 15. Një therje e mprehtë e stomaku, që e provonte sa herë i kërcenin nervat, e bëri t’i kërcasin dhëmbët.
E shoqja iu shfaq në celular me fytyrë të thartur.
-Ke harruar të sjellësh piper të kuq të markës...
-Kam harruar dhe veten.
-Pse? –Fytyra e gruas u ëmbëlsua.
-Ai qeni buldog më pushoi...
-Punë e madhe...
Fytyra e gruas nisi të rridhte dashuri.
-Po pse pikërisht sot? Për të na prishur këtë fundjavë? Varja...
-Gjithmonë do të gjendet një shkak me të heqë qafe.
-Fajin e ke vetë që s’ia ngrefe të shoqen, atë piperin e zi.
-Broçkulla! Ke pirë me mëngjes?! Unë kam vetëm ty dhe veten. Ende s’e ke marrë vesh që jam qeni yt besnik?!
Fytyra e saj u zymtua.
-Je kalama i pandreqshëm.
“Tigri” po rrëshqiste si në gjalpë me 100 km në orë dhe syri i majtë i Danit kapi vijën e kaltëreme të detit dhe rërën e bardhë të Plazhit të Derrave të Zinj. “Këtu e ka vilën shefi, do t’ia them dy fjalë“ tha me vete, por nuk mendoi se ç’fjalë do t’i thoshte, vetëm frenoi para një tabele, rrotulloi timonin dhe u fut në rrugicën e plazhit.
Trokiti në derën e jashtme të vilës. Koka po i ziente. Asnjë përgjigje. Uli dorezën dhe hyri duke rrotulluar sytë. “S’paska njeri” –psherëtiu, kur nga një derë gjysmë e hapur përballë dëgjoi: -Kush je?
Ai u afrua dhe pa shtrirë në vaskë të mbuluar nga shkuma, Dianën, gruan e shefit.
-Jam unë, Dani, -foli gati i hutuar.
-Mirë që erdhe së fundi, -foli Diana pa e kthyer kokën.
-Dua të takoj Markun...
-Pse je dhe gej?
-E ke gabim e dashur. Kam një punë të vogël me të.
-Eja mbaro këtu punën e madhe me mua, pastaj ka kohë për Markun, -tha me shpoti përkëdhelëse Diana dhe u çua vrullshëm më këmbë.
“Bukuri e çmendur”, vetëm kaq mundi të shkrepëtijë në tru të Danit, ndërsa shkuma dhe uji nisën të rridhnin verbueshëm mbi lakuriqësinë e saj.
-Ende nuk je zhveshur?
Ëmbëlsia e zërit të saj e bëri fytyrën e Danit të ngjashëm me të luanit para se t’i hidhet viktimës së radhës, po, duke hequr këmishën, pa e ditur dhe vetë ç’po thoshte, mezi shqiptoi: -Ja sa të bëj një dush...
-Uji i vaskës sime është më i pastër se i banjës, -i tha ajo duke ia ngulur sytë trupit të Danit, një kurm i bardhë e muskulor si prej atleti maratonist.
Melodia e celularit të Danit nga opera “Traviata” e Verdit “Të pimë me gota të arta” u erdhi të dyve si pickush nervash. Diana u turr mbi Danin, i rrëmbeu nga xhepi celularin, e mbylli dhe e përplasi në tokë.
Vetëm uji i rrahur i asaj vaske mund të rrëfej ç’pësoi nga beteja erotike e atij çifti, i cili kishte ëndërruar prej kohësh atë bashkim të rrufeshëm nënujor e mbiujor.
Pa arritur ende në oborr, Markut i zuri syri “Tigrin” e Danit. “Paska ardhur të më vras” tha me vete i lemerisur. Mbylli pa zhurmë derën e makinës së tij, një “Ford2020” i madh i kuqërremtë. Shkeli me ecje lepuri një rresht me tulipan përgjatë murit të drunjtë të shtëpisë, doli në pjesën e pasme. Befas nga dritarja e hapur e banjës dëgjoi klithje, rënkime, murmurima...
“Zot, po e mbysin!” Kërceu po me hedhje lepuri deri te makina dhe, duke u dridhur, hapi celularin.
-Alo, policia? Këtu po bëhet masakër!
Pasi i shpjegoi ngatërrueshëm zërit qe erdhi nga stacioni i policisë se kush ishte dhe ku ishte, Marku mbeti si i ngrirë. I dukej sikur një tufë minjsh i brenin në çast çdo mendim që sa i pluskonte.
Kur Bora, e shoqja e Danit i ra numrit të celularit të tij dhe ai u mbyll, asaj i shkoi mendja se Dani do të ketë shkuar te Marku për t’u hakmarrë. Ajo e njihte mirë gjaknxehtësinë e të shoqit.
Vetura TZ e Borës frenoi me vërshëllimë, u rrotullua në vend, ajo doli vrullshëm nga makina dhe iu turr Markut që qëndronte si stalaktit para makinës së vet.
-Ç’ka ndodhur Mark?
Atij i kishin rënë syzet në majë të hundës. Sytë miop i puliste pa ndonjë shprehje. Nuk nxori zë vetëm drejtoi dorën e djathtë kah dera e vilës.
Marku ishte burrë i ndershëm, me moral zyrtar të pacenueshëm. Kolegët e tij, si eprorët, si vartësit, nuk e kanë marrë vesh kurrë si e ka vënë atë pasuri që ka si financier. As Diana, bashkëshortja e tij, për të cilën gojët e liga shpifin herë-herë, nuk i kishte zbuluar kurrënjëherë zullumet e tij me femrat larg shtëpisë. Pra, ndershmëria e Markut si qytetar dhe i krishter i mirë nuk vihej në dyshim.
Sirenat e makinave të policisë që mbushën oborrin sikur e përmendën Markun. Bora vuri duart në mes e nuk dinte ç’të mendonte. Policët, sipas gjithë rregullave, rrethuan vilën. Katër prej tyre shkelmuan me elegancë derën e jashtme dhe me armët automatike në duar hyn brenda. Asnjë zhurmë. Heshtje e dyshimtë. Vetëm një nga policët teshtiu. Shefi i policisë, një trupmadh me bark të rrumbullakosur dukshëm, si e gjithë shefave të denjë për detyrën e tyre, qëndroi te dera e banjës. Shekspiri flet për kafshën me dy kurrize diku te “Otelloja”, por Diana e Dani të shtrirë brenda vaskës dukeshin si një letër bixhozi, po jo lart e poshtë si nuse – nuse ose derr – derr, po si nuse – derr.
Shefi i policisë me duart në mes po mendohej çfarë të thoshte sipas ligjit. Marku, që kishte hyrë i fundit pas policëve, po i shihte “kriminelët” përmes trekëndëshit që kishte formuar krahu i djathtë i shefit. Dyllë e verdhë në fytyrë Bora po shqyente sytë, duke parë përmes krahut të majtë të shefit.
Diana, ashtu e shtrirë në vaskë, ktheu kokën, dalloi Markun mes policëve dhe i foli me një qetësi cinike sikur të ishin vetëm në dhomë: -A e di atë fjalën proverbiale të Hiçkokut?
-Jo, -puliti sytë Marku, duke harruar për një çast situatën ku ndodhej, –por kam parë filmat e tij.
-Filmat i ke parë për vete, kurse këto fjalë, -vazhdoi Diana, -i ka thënë për ne. –Dhe ngriti zërin sikur po recitonte poezi me ritëm: -“Ekziston vetëm një zgjidhje për martesën pa dashuri, kjo është dashuria pa martesë”. Dhe unë, mor zotni, kam bërë zgjidhjen time.
Bora shkoi dhe u var pas supit të Markut, e shtrëngoi fort sikur donte ta mbronte nga shigjetat e fjalëve të Dianës. Pasi mori frymë thellë dhe i hodhi dorën rreth belit Borës, Markut i erdhi zëri i plotë, ngriti syzet e arta me gishtin tregues dhe tha me ton teatror: -Secili në rrugën e fatit të vet!
Policët kishin mbetur stop-kamera, vetëm sytë i hidhnin te njëri-tjetrin. Gati t’u shpërthente një qeshje e papërmbajtur.
Një gju i Dianës doli mbi ujin e shkumëzuar. Sytë e Danit shtangën mbi të se pandehu se ajo do të nxirrte shalët jashtë. Porse Diana e shtriu këmbën dhe, duke e parë me bishtin e syrit shefin e policisë i tha me një zë përkëdhelës: -Dani është vizitori im. Atë e thirra unë...
-Po burri juaj... -e ndërpreu ai.
-Ju lutem, më lini të qetë në shtëpinë time, ndryshe do t’ju akuzoj për dhunim banese dhe... Im shoq, po të ketë ankesë, le ta dërgojë në gjyq.
Bora doli përpara shefit të policisë me duart në mes.
-Dan, -iu drejtua të shoqit me zë të lartë sarkastik, -po e festoke bukur përzënien nga puna!
Diana ia përmblodhi aty për aty po me atë zë: -Jo moj zonjë e llastuar, Dani po feston emërimin si kryeadministrator në firmën time “Ndërtime të Lira”!
Dani ktheu kokën nga muri sikur po ndiqte fluturimin e një mize.
Bora u gëlltit sikur kapërdiu një llomkë qulli të nxehtë dhe gjaku i vërshoi në fytyrë sa e bëri të dukej si spec i kuq djegës. Kapi me forcë Markun për krahu dhe doli si e ndërkryer nga vila.
Tashmë Dani e kishte harruar dhimbjen e stomakut.
Shefi i policisë u shkreh; hapi krahët, krijoi në fytyrë një si buzëqeshje domethënëse dhe, kundër dëshirës së tij, foli si në teatër:
-Perdja ra si komedi.
usertype:1
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 1# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Sazan Goliku
(Date Posted:14/10/2012 04:07)

POEZI NGA SAZAN GOLIKU




ALIASLLANÇE PER ALI ASLLANIN

Me qerpikun e një vashe mbushur dritë e derdhur lot
thuri rrjetën mjeshtërore ky poet i brishtë, i fortë.

Me një krah pulëbardhe deti, me një pendë shqiponje mali
vargje shkroi e vargje gdhendi nëpër faqe derdhur ari.

Ku i gjeti, ku i vodhi ato fjalë që rrjedhin mjaltë?
Zemr' e tija fluturonte Labërisë atje lart.

Ku i mblodhi, si i torri ato vargje valëzore?
Nëpër shkrepa e sallone hoqën valle dorëpërdore.

Burokrati dhe poeti në kafaz të trupit tij
si dy tigra kokat hanin me urrejtje xhelozi.

Ç'armë pati, si qëlloi drejt në zemër vashërinë?
Me magjinë e bukurisë ndezi flakë dashurinë.

Nëpër rreshtat e ylberit, kuq e zi kur flakëronte,
ngrehej, ndrinte nder' i kombit: "Vlora! Vlora!" kur gjëmonte.

Trokëllinte mbi kalldrëm shkop' i thatë i zyrtarit.
Çelte sythe, hapte lule shkop' i gjallë i këngëtarit.

BALADË BUKURIE

Mbi një lule fushe kundroja një flutur.
Qenkish mrekulli e brishtë!
Ajo mblodhi krahët sipër
sikur donte të më thoshte: Kapëm!
Me dy gishtat - dridhshëm
e zura, e ngrita lart
me frikën mos më ikte
(pa e kuptuar se po prishja një magji,
pa e ditur se po mëkatoja).

Pluhuri shumëngjyrësh i krahëve nën diell
u daravit u shtjell ylber dashurie...

Flutura
pa ngjyrë
flatroi
rrugës
së bardhë
të asgjësë.

AFËR LARG

Ajo - vjedhësja e diellit
rrezet-flokë mbi supe hedh.
Nuk djeg supet mermer gdhendur,
sytë e mi i verbon krejt.

trëndelinë që derdh aromë
afër larg drejt zemrës qiellit.

STINË

Muaj shkurt ende nuk kishte dalë.
Në klasën e 5/C
nxënësi Adam puthi në buzë nxënësen Eva.
"Nuk ndjeva asgjë!" – tha ai.
Ajo ia ktheu me një shpullë.
"Nuk ndjeva asgjë!" – tha ai.

Muaj mars ende nuk kishte hyrë.

TRIPTIK

Vajzat e reja ende pa bërë dashuri
shkruajnë fshehurazi vargje
në fletoren e matematikës.

Në vorbullën martesore të fëmijërritjes
do t'i kenë harruar ato vargje
ndërsa thurin vargojtë e halleve.

Kur të plaken …eh, kur të plaken
do t'i kujtojnë
e do të qeshin dhimbtas me to.

TË NGORDHËSH NËN DIELL

Ethet e bukurisë më zunë nga sytë e tu
shëtitores me pluhur e zhaurima
buburrecësh metalikë.
Ishte zheg i hirtë me diell të verbuar.

Ç'kërkon nga unë, o sëmundje e bukur?
O përbindësh që nuk të mund dot
me shpatën time të ndryshkur.
Bëhem dhe unë në ëndërr përbindësh
që ngop dëshirat e tua
atje ku bashkohet e ndahet zanafilla.

Nuk e di kur do më lëshojë ky virus bukurie!?
Mbeta një vezë e thyer nga syri
në gojë të nepërkës.


HAMENDJE

Nga rubineti i vjetëruar i banjës rrjedh e rrjedh
një curril i hollë uji.
Bëj ta mbyll e s'e mbyll dot.
Një curril dashurie rrjedh e rrjedh dhe tek unë.
Bëj ta ndal e s'e ndal dot.

Edhe atje te të pajetët,
do të rrjedhë kokëfortësisht
ky curril.

E PARATHËNA

Kujt ia ke vjedhur ngjyrën e syve,
qiellit engjëllor pa re
apo detit të egërsuar
në tërbim epshor?
Në muzg do të shuhesh si deti
pas fshehjes së diellit në horizont.
Në ag do të çelesh
me sytë e sat bije.

URDHRI I GJAKUT

Sterna Paradisea –
një shpend i vogël, më pak se njëqind gram,
dy herë në vit shtegton njëzet mijë kilometra
nga Spanja në Australi dhe anasjelltas,
veç për të bërë dashuri.

Nuk ka frikë nga grabitqarët fluturues,
aq më pak nga erërat e pabesa,
frikësohet vetëm mos e braktis
e dashura.

MAGJI 13

Kjo flutur e bardhë rreth portretit tënd
lëngun e buzëve qershi kërkon të gjerbë,
erëmimi i bukurisë e deh me xhelozi –
Jetëshkutëra ëndërron
jetëgjatësinë tënde.

Deri kur kjo magji e bardhë
do t'i ngazëllejë ata që magjeps?

Pse m’u shfaqe ashtu mirazh
lakuriq lakuriq lakuriq
apo vetë zoti donte i tillë t’i fanepsej
njeriut mëkatar me sy estetikë?

Grabite shpirtra -
ende lëngojnë,
rrënove dëshira -
i flake përbuzshëm
në hone kotësie...

Cila fatthënë i këndoi të ardhmen
asaj që të lindi statujë të mermertë nga valët?

EKOLOGJIA E SHPIRTIT

Gurëzit e buzëdetit të vrisnin shputat e këmbëve
dhe ti kërceje ëndshëm vallen e dhimbjes gudulisëse.
Sa u zhyte në ujë,
u bëre delfinkë që kërkon delfinin.

Te puthja e njelmët
i ka rrënjët gjaku.

ELEGJI

Në "pub" duke kërcyer nën tingujt çmendurak
përleshur me vallen e dritave mashtruese,
tinëzisht djaloshi e puthi vajzën në sup,
bash aty ku qafa bardhoshe zgjatej krenarisht.
Ajo ngriu si lulja mes akujve,
dritat u shkrin n'errësirë,
në heshtje shurdhuese u kthye muzika,
buzët e djaloshit – dhëmb ujku në mish.

Diku në një luftë pa kuptim po jepte shpirt
i dashuri.
Në sytë pa jetë i ishte fiksuar fytyra e saj.

ZHGËNJIM

Pas shiut mbetën pika pika pika.
Petlat e luleve të ngopura
i vunë pikat si vadhë t'ia tregonin diellit
sa të delte befas pas reve.
Saora dielli
shpërfillës i avulloi.

MAGJI 33

...të çelësh nën hënë
lule të zeza mishngrënëse
me polen helmi e dhëmb nepërke
dhe nesër në ag
të gdhihesh luleshqerë
vesuar nga drita
gjalluar nga ajri...

AKT 3

Ajo ia nisi nga bula e veshit.
Lëpi e kafsho, sharro e lëpi...
Ai dëgjonte rënkimet e shekujve -
vinin së thelli nga gryka e saj.
Dy pyjet e flokëve nisën të vallëzonin
mbi prushin e buzëve shndritur nga llava
që shtrihej e ngrihej së brendshmi
para shpërthimit zemërak.
Ai s'dëgjoi asgjë tjetër
veç urdhrit të pathyeshëm
të krijuesit misterioz.

XHELOZI

Trokëllinte tiktaku i takave...
Teksa takonte të tjerë të ftuar
ajo i gëlltiste të gjitha bukuritë
veç njërës.

DEHJE

Buzëdetit mes dallgëve e shtrirë lakuriq
me bërrylat mbi zajet e bardhë farfuritës
ajo përplaste këmbët dhe
ujët shkumëzonte gëzueshëm.

Nga sipër kundroja, i dehur bukurie
sytë e saj dhe detin:
dhe të kaltër dhe të gjelbër,
dhe të hirtë dhe të yjëzuar.

Në thellësitë e syve,
në largësitë e detit
bluja e errët priste pa mëshirë si me sharrë
horizontin.

Vallja lozonjare e ngjyrave
prush e zjarr më ndezi
ashtu më këmbë nën teshat e bardha.

Së fundi u binda. Shpirti
nuk qenka tjetër veç trup.

TINGUJ

tinguj pa zë
ylber para shiut
cijatjet e bravës
shkëndija që nuk shuhen
gonxhe
lule
një gotë verë për dashurinë

FATLUMET

Në rrjetën e merimangës në pyll
ranë
dy miza të çiftuara.
Sa afër dashuria e vdekja!
Përpëliteshin dridheshin zukatnin krahlehtat –
shumëkëmbëshja thurte epshin e vet.
Befas
një rreze dielli çau rrjetën mortore.
Mizat fatlume flatruan
njëra nga veriu e tjetra nga jugu dhe
nuk u kthyen më kurrë.

PARA TEJE...

Hape derën,
mos u druaj nga bukuria.
Nesër Afërdita e rrudhur
do t'i hapë vetë kanatat,
por ti s'ke për të hyrë.
Shkretëtira e verdhë do të shpaloset para teje...

Dhe në këpucët e tua me thembra të ngrëna
do të ketë hyrë rërë.

PA FILLIM E FUND

Misteri i dashurisë së verbër
pa fillim e fund
hekurosi si jakën e këmishës së larë
trutë e mi të dhjamur
njëqelizor.

DRAMA

I dashuri përplasi pjatën murit të xhelozisë.
U bë copa-copa.
Po dashuria e saj ishte kristal i rrallë.
U kthye në rërë të imët, të verdhë
që nuk ribëhet sërish zemër.

Ish i dashuri i ngjiti copat e pjatës së thyer.
Në të hodhi ashtu të pazier
mishin e plakur të dashnores së re.
I mbeti në fyt.

LARG TEJE

Në odën perëndimore
valët e mendimit kanë ngrirë.
Lulet e ndjenjave
shpërthejnë
me ngjyra
e aroma
demoniake.

Djallushi i dashurisë zgjati krahun e purpurt.
Në dorë mbajti diellin inatçor
që po turrej i etur mbi malet e kaltër,
gjersa u shuan flakët epshore
në fytyrën plot dritë të Afërditës.

Vdekja vëzhgonte ziliqare te vrima e çelësit
dhe tretej dhe shuhej dhe vdiste...
Mbi plepin karshi
sorrat krrokatnin pa pra -
muzgut të dridhshëm kërkonin
degën e dashurisë së humbur.

Në odën perëndimore
valët e mendimit vërshuan të liruara...
Hiri i ndjenjave – fir nëpër natë.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, shtator 2009)
usertype:1 tt= 0
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY LUFFY
LUFFY