User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Nonda Bulka
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Search Tags: poet, Shkrimtar
Views:104     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:13/10/2012 01:14)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

NONDA BULKA
(1906-1972)

Nonda Bulka u lind më 1906 në fshatin Leus pranë Përmetit. Pas studimeve në Liceun francez të Korçës, vazhdoi studimet e larta për juridik në Francë. Pas kthimit në atdhe punoi si mësues në Korçë, Elbasan dhe Tiranë. Në periudhën e pasluftës ka punuar edhe në Departamentin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. U bë i njohur në letërsinë e viteve ‘30 me pseudonimin Chri-Chri. Skicat, fejtonet dhe shkrimet më të mira të tij janë: “Vija e vdekjes”. “Intervistë me Shën Pjetrin”, “Kujtime tragjikomike”, “Kur piqet Muhameti me Krishtin”, “Përralla abisine”, “Gjysëm ose italian”, “Mësim gjeografie” etj. Bulka ashtu si Migjeni më vonë, do të pasqyrojë në krijimtarinë e tij mjerimin, zymtinë, e jetës së vegjëlisë shqiptare me krijime tronditëse si “Mëm e bir”, “Lypësi”, “Njeriu misterioz” etj, duke demaskuar padrejtësinë shoqërore pa kërkuar mëshirë. Shkrimet e tij, fejtone e skica, ai arriti t'i përmblidhte më 1934, në vëllimin “Kur qan e qesh bilbili”. Gjithashtu, ai botoi edhe më pas proza poetike, skica humoristike e disa përkthime nga letërsia franceze.



LYPËSI




Më ndjek nga dita sa herë vete në shtëpi:
- Nëm një lek, zotni!
Është një djalë i vogël, shtatëvjeçar, i zi pisë nga fytyra, i thatë, i shkurtër, pa rroba, pa këpucë; si rron, as unë nuk e di. Sytë e tij janë pasqyrë e egër, e gjallë dhe e tmerrshme e fukarallëkut. Vuan nga uria, vuan nga të ftohtët, vuan nga çdo gjë. Por i ka mbetur aq fuqi, sa të thotë: - Nëm pak bukë!
Të mendohesh thellë, më e mira që mund t'i bësh, është ta helmosh. Se helmi është ilaçi i fukarallëkut.
E di që feja dhe ligji më helmojnë mua, po të bëj një vepër të tillë. Se njeriu s'ka të drejtë t'ia marrë jetën njeriut. Po a ka vallë njeriu të drejtë t'ia shtojë vuajtjet tjetrit? Se lypësi me lekun tim s'bën tjetër veçse shton ymrin, domethënë jetën, domethënë fukarallëkun. Mëshira private nuk e zgjidh kurrë problemin shoqëror.
Po le të kthehemi te historia e lypësit. Ditë për ditë më kërkonte diçka... Se ditë për ditë kishte nevojë barku i tij. Herë i jepja, herë jo.
Një ditë nuk e pashë të më dalë rrugës! Dy ditë, tri, katër. Thashë me vete: - Ç'u bë vallë? Dhe shkoi një muaj, shkuan dy, po lypësin s'e pashë më!
Më erdhi keq, doja të dija ç'u bë; se fytyra e tij ishte simpatike, me gjithë shëmtimin tmerrues, ku pasqyrohej uria dhe vdekja e ngadaltë. Jo, s'e pashë më! dhe m'u bë si ide fikse! - doja të dija ç'u bë.
Dhe u enda andej-këtej. Në çdo cep takoja nga një lypës të vogël, si ai (të gjithë lypësit ngjasin, se ngjyra e urisë nuk ndryshon), por s'ishte ai.
Shkuan qysh atëherë katër muaj. Fillova ta harroja lypësin tim.
Sonte befas m'u kujtua. E ku ta dish! Ndoshta ka vdekur...
Gazeta s'mund ta përmendë emrin e tij. Vdiq ndoshta... ndoshta rron i sëmurë. Nuk e di. E ku ta marrësh vesh sa korr përditë drapri hyjnor!...

Shkurt 1936




DRENUSHA DHE PJERGULLA





Një hardhi e lartë me fletë të gjera dhe plot me kopanë rrushi, që shkëlqen si ar, vuri re një drenushë me brirë të gjatë që po kalonte me vrap aty pranë.
- Ja një drenushë e mjerë - tha pjergulla me vete - qe s’di nga t'ia mbajë; po e ndjekin qentë, të gjorën! Sikur te kthente kokën këtej nga unë do ta pështillja me fletët e mia dhe do ta fshihja nga sytë e armiqve.
S'kaloi shumë kohë kur drenusha, sipas zakonit që ka për të humbur gjurmët e ndjekësve, u kthye përsëri nga rruga që kish bërë dhe kështu pjergulla zemërgjere pati kohë sa t’i thotë:
- Futu shpejt nën fletët e mia që të shpëtosh!
Drenusha i dëgjoi fërfëllimet pjergullës dhe pa humbur kohë u struk nën fletët e gjëra, pa bërë as më të voglën lëvizje. Qentë kaluan disa herë me radhë aty pranë, u kthyen përsëri, po s'munden ta gjejnë. Ndofta era që frynte nga ana e kundërt ose kundërmimi i fortë i luleve bënë që qentë mos e ndjenin erën e drenushës dhe të mos e zbulonin dot.
- Po largohen, ja po largohen - murmurit lehtë pjergulla, e kënaqur që e shpëtoi drenushën e gjorë nga vdekja e sigurt.
Drenusha zgjati kokën përmes fletëve dhe vuri re se qentë dhe gjahtari ishin larguar mjaft.
Po a e dini ç'bëri atëherë drenusha? Ajo e harroi shumë shpejt të mirën që i kish bërë pjergulla dhe pa pikë turpi nisi të hajë njërën pas tjetrës fletët e pjergullës që e kishte shpëtuar nga rreziku.
Pjergulla u ankua për këtë mosmirënjohje dhe për sjelljet e këqija të drenushës; po ajo as që çante kokën fare dhe bënte sikur s'i dëgjonte ankimet e mirëbërëses.
Kur u ngop mirë e mirë dhe e la pjergullën gati lakuriq, pa fletë doli jashtë. Në atë kohë gjahtarët dhe qentë po ktheheshin përsëri. Ata e panë e i lëshuan qentë, të cilët e kapen, e shqyen dhe e bënë copë-copë.
Duke lëshuar lot hidhërimi për të keqen që e gjeti, mbasi mbeti pa rroba, pjergulla kur e pa drenushën të copëtuar, tha me anën e fletëve të pakta që fërfëllinin:
- Atje ku ha bukën mos përmbys kupën, se mund ta pësosh keq moj drenushë..

usertype:1
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 1# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Nonda Bulka
(Date Posted:13/10/2012 01:16)

Njëqind flamurë pa një



Nonda BULKA




Ishte ditë vere në një nga qytetet më të mëdha të Arnautistanit. Ecja filli vetëm duke menduar për hallet e kusuret e këtij vendi heroik, por shumë fatkeq. Vapa përvëlonte. Djersët më kullonin rrëke. I kredhur në të thella kapërceja nga një ngjarje në tjetrën.
Shikoja me sytë e mendjes vendin e shkretuar prej tufanit, tërmetin që po trondit botën dhe që po kthen në shkrumb e hi atë që dora e njeriut e ka ngritur me djersë e gjak. Habitesha me shtazëritë njerëzore. Në këto të thella isha kredhur, kur… fiu, fiu… sirena. - Bum, bum, bum! – krisi topi.
- Bobo, - thashë, - erdhën lanetërit e qenit, shpikja moderne më e mrekullueshme për të shfarosur njeriun.
Pa e vrarë mendjen më thellë, hyra në shtëpinë e parë që gjeta aty rrotull. Mysafir i paftuar, hapa derën e rrugës, pastaj atë të brendshmen dhe instikti vetmbrojtës më drejtoi në një bodrum të sigurt nën tokë.
- Ç’urdhëroni? – ma priti një zotni i cili me grua e fëmijë ishte strukur në një cep të asaj grope të errët.
- Hyra këtu, mbasi jashtë po bëhet festë midis qiellit e tokës. Qielli sulmon tokën dhe toka i përgjigjet. Dhe unë, që s’jam as në qiell as në tokë, hyra këtu nën tokë.
- A janë shumë?
- Nxin qielli katran, efendi.
- Allahalla! Si do vejë ky halli ynë? Kur do të marrin fund kusuret?
U ula mbi një fron gjysëm të thyer dhe po fshija djersët. Njeriu i bodrumit më lëshonte lehtë-lehtë, me kureshtje, nga një bisht syri; sikur matej të më thoshte diçka, po nuk guxonte. Më së fundi foli:
- Si duken punët, or zotni? Ç’është ky hall i madh që na ka rënë? Kur merr fund vallë? Ç’është kjo e keqe që i ka rënë në kokë njerëzisë anembanë?
Ndërsa ai po qante hallin e njerëzimit, unë po vërtisja sytë rreth e rrotull atij bodrumi dhe vura re diçka që më bëri përshtypje:
- Përse i mban ende syfetin e famëmadhit Duçe dhe flamurin me lulka të Imperos? Ti e di që ajo punë mori fund njëherë e mirë.
- Ah, mor bir (më lejo të të quaj bir), - ma priti hallexhiu i bodrumit, - një fjalë e vjetër thotë se bota është e rrumbullakët si top; njerëz si unë që nuk merren me politikë i kanë marrë masat për çdo gjë që mund të ngjasë… Sa ka parë ky qerrata vend!
- Po ky flamuri i Anglisë, pranë atij të Duçes, ç’kërkon këtu në bodrumin tënd?
- Ta thashë, mor bir, jam njeri esnaf dhe hallexhi. Sikur një mëngjes, papritur dhe papandehur, të kërcasë topi andej nga deti dhe të zbresin ata? Ku të gjej stofë për të qëndisur flamurin anglez? Apo të ha ndonjë plumb rrugës? Kështu të paktën e kam mendjen të fjetur.
- Po Stalini me drapër e çekan, ç’punë ka në bodrumin tënd të errët? Mos je gjë bolshevik?
- Jo, vallahi, bilahi s’jam. Po si esnaf njeri që jam, kur të shoh se të gjithë bota do të skuqen, si mund të qëndroj unë i bardhë? Urtësia më këshillon të ngre flamurin dhe të bërtas pas berihasë: “Rroftë!”.
- Qenke plot tru, efendi. I paske marrë masat me kohë.
- Posi, posi, ç’të bësh? Ja! Po fitoj para me grushta, si hallexhi që jam. Kam tre djem dhe që të tre i kam ndarë në tri parti të ndryshme; kështu, ngado që ta kthesh, i kam shpatullat të ngrohta.
- A ke ndonjë djalë në mal?
- Jo bir, jo! E kam vërtitur punën që mishi të piqet dhe helli të mos digjet. Jam njeri i punës dhe jo i politikës. Kur ishte Zogu mbret, unë isha zogist. Kur iku, nuk i thashë as udhë e mbarë.
Kur pllakosi ushtria e Duçes, i dola përpara me flamur dhe tashti që u largua, i dhashë munxët nga prapa. Kur erdhi gjermani, e kisha gati fytyrën e Hitlerit dhe flamurin me kryq të thyer. Kur të shkojë, edhe këtë do ta zë me gurë, për t’i bërë qejfin atij që do të vij pas tij. S’ke ç’bën, duhet të jetosh “me nder” në këtë botë.
Mbeta si i trullosur nga predikimet morale të atij njeriu të njohur dhe të panjohurqë ma hapi aq thellë zemrën; rashë në mendime duke kullotur sytë rreth e rrotull bodrumit ashtu si nëpër ëndërr.
Në një cep më vranë syrin disa flamurë të tjerë.
E pyes:
- Po këta ç’janë?
- Ky është flamuri i grekut, - më tha efendiu.
- E mora vesh. Zotrote qenke grekoman, o efendi.
- Jo bir, jo, nuk jam as grekoman, as djall; por, kur ushtritë e grekut hynë thellë në vendin tonë kundër italianëve, porosita shpejt e shpej flamurin e tyre, që të mos më zinte në befasi. Ja dhe flamuri i Turqisë, që po e ruaj si kujtim të Baba Dovletit. Të thashë, or bir, se jam njeri me parime me karakter, me edukatë dhe s’ma ka ënda të prish muhabetin me asnjë kral që mund të shkelë kët vend.
U ngrita në këmbë, u solla dy-tri herë rreth atij muzeu origjinal që mund të pagëzohej me emrin tingëllues “muzeu i karakterit” dhe sytë m’u mbërthyen mbi një flamur të çuditshëm, të bardhë si dëbora me një rreth të kuq në mes.
- Po ky i kujt është, mor efendi?
- Ulu, - ma preu ai, - se është punë e gjatë që të ta shpjegoj. Disa vjet më parë po rrija në kafe duke pritur një mik, ortakun tim, me të cilin dërgonim fasule në Greqi; duke pritur mikun e fasuleve, në tryezën aty pranë, disa si biçim shkollarë bisedonin për politikë. Ishte ajo kohë kur kishte nisur lufta midis Japonit dhe anglo-amerikanëve. Japoni po korrte fitime aq të vrullshme, sa asnjeri nuk mund të parshikonte se ku do ti mbanin këmbët anglezët dhe amerikanët. Një nga shkollarët hidhet e i thotë shokut: “Ashtu siç ka nisur puna, s’është çudi që një ditë t’i shohim japonezët të vijnë deri në Tiranë!”. Sa dëgjova këto fjalë, shpejt e shpejt bëra gati edhe flamurin japonez. Kështu më zuri gjumi rehat.
Bombardimi kishte marrë fund. Sirena më lajmëroi se kishte ardhur koha për të dalë nga strofka e atij idealisti. Ndërsa po matesha që ta përshëndesja, befas më ra ndër mend diçka dhe e pyeta:
- Të falenderoj, mor efendi, për mësimet e larta të moarlit që më dhe, por as më thua, të lutem, në gjithë këtë grumbull flamujsh dhe fytyrash, si nuk ma zë syri asgjëkundi Skënderbeun dhe flamurin kuqezi?
Efendiu ngurroi pakëz si i menduar, rrotulloi sytë andej-këtej, pastaj duke m’i mbërthyer si me frikë, më thotë:
- Ke hak, ke hak. S’më kishte shkuar ndër mend; e ku ta kesh mendjen më parë, në këtë kohë trazirash dhe përleshjesh? Pastaj me autoritet i drejtohet të birit dhe i thotë: Kujtomë, kur të vemi në dyqan të porosisim edhe një flamur të Shqipërisë, se s’dihet, edhe ai mund të na hyjë në punë!
Hapa sytë. Isha në ëndërr. Se idealistë të tillë s’mund të ekzistojnë veçse në ëndërr.

Botuar më 1944



Vija e vdekjes



Nonda BULKA



Ofiqari i gjëndjes civile është zëvëndësi i Perëndisë në tokë. Me të marrë vesh se vdiq një njeri, i heq një vijë të kuqe emrit të tij dhe mbaroi puna; ai njeri shkoi e vajti: vdiq; as ushtar vete, as taksa paguan, as borxhet ia kërkon njeri, as vjehra e mërzit, as kalamanjtë i çajnë kokën. Jo! S'ka më për të, veçse errësirë, kështu ka vendosur legjislatori: një vijë e kuqe shënon vdekjen e një krijese.
Një ditë prej dite, vajta në komunë. Më duhej një çertifikatë për të provuar se jam plak, se kam punuar për Shqipëri dhe se jam njeri që meritoj hylefe nga qeveria; se, helbete, edhe unë kam punuar për Shqipërinë. Dhe ja me dy fjalë biografia ime: në kohën e Turqisë u mësova fëmijëve gjuhën turke, dhe kur harroja (kohë më kohë), u kujtoja se ka një Shqipëri, e cila mund të bëhet shtet ndonjë ditë; dhe mbaja festë të kuqe; dhe bërtisja tri herë ditën: rroftë Sulltani! por këtë e bëja nga dashuria që kisha për Shqipërinë. Kur iku Turqia, erdhi Greku; hoqa festen e kuqe dhe vura kapello dhe thirra tri herë: rroftë Venizellua! dhe Venizellua më dha para; dhe fytyra e Venizellos zbukuronte gjoksin tim; por këto i bëja nga dashuria që kisha për Shqipërinë. Pastaj u bë Shqipëria dhe unë isha nga të parët që bërtita: rroftë Shqipëria! përvëlova me benzinë festen e kuqe, surratin e Venizellos dhe vura në dritaren e shtëpisë tre flamurë kuq e zi. Dhe gjithë bota habiteshin me atdhetarizmën time. Kjo është shkurt biografia ime. Pra, i bazuar në këto fakte të pamohueshme të atdhetarizmës sime, vajta në zyrë civile. I dhashë zyrtarit emrin dhe mbiemrin. Hapi regjistrat nëpunësi i ndershëm, dhe mbeti si i shushatur kur pa emrin tim. Më pyeti:
- Nga vjen ti?
- Nga greminë e zezë! - iu përgjigja unë.
- Por ti ke vdekur, mor efendi! - se emri yt ka një vijë të kuqe.
E vështrova me sy të zgurdulluar emrin tim me një vijë të kuqe, dhe vura re se, gabimisht më kishin skuqur mua në vënd të gjyshit tim.
- Më varrostë për së gjalli, or paçi belanë! - i thashë mehmurit e dola jashtë duke menduar ç'të bëj.
- Të futem në varr dhe të nxjerr gjyshin prej varrit? Se kështu e do ligji!....Dhe atë që do ligji e do edhe Zoti…. Apo jo?

Botuar më 1934



Kur Duçja piqet me Hitlerin



NONDA BULKA




Dy diktatorët më të mëdhenj të Evropës u poqën në Venedik. Shtypi i botës u muar me këtë pjekje diplomatike. Se shpesh herë udhëtime të tilla vendosin fatin e mirë ose të keq të popujvet. Hitleri arriti në Venetik me aeroplan, se udha e qiellit është më e shkurtër dhe sidomos më e sigurtë. Porsa zbriti diktatori gjerman nga aeroplani, Duçja i dolli para dhe ngriti dorën. Hitleri, ngriti dorën edhe ai. Kjo është me pak fjalë "hyrja" e pjekjes. Ajo që ka rëndësi nuk është as ngritja e dorës, as bandat muzikale, as brohoritjet e popullit, as drekat e darkat, as komunikatat zyrtare, as kordialiteti i dukshëm midis dy burrave të shtetit. Këto s'janë veçse formalitete banale, të demoduara, pa shumë shijë. Ajo që preokupon sot shtypin dhe mendjen e turbullt të Evropës, është pyetja: Ç'u bisedua midis Hitlerit dhe Musolinit dy orë rresht, kur u mbyllën "vetëm" që të dy pa asnjë shahit? Se ka disa pika ku Hitleri dhe Musolini duhet të mos kenë ardhur në akord. Hitleri kërkon Austrinë! Musolini thotë "jo"! Hitleri është kundër çifutëvet, Musolini "jo"! Hitleri dhe Musolini vendosën shumë gjëra; por asnjeri nuk mund t'i dijë. Apo ndofta hëngrën e pinë, ngritën dollia, u puthën dhe u pushtuan, shkëmbyen buzëqeshje dhe pastaj, i lanë për më vonë problemet që tani për tani u dukeshin pak si të "koklavitura"? E ku ta dish! E ardhmja mund të na e tregojë. Se udhëtimet e diplomatëve janë si dardha: e kanë bishtin prapa....



Historia përsëritet



Nonda BULKA




Vit për vit po ai avaz. Amerika kërkon paratë, Europa s'ja jep. Por sivjet Europa u tregua më edepsëze se kurrë nonjëherë. Se jo vetëm që s'pagoi, por dhe u tall. Kështu çështja e borxheve u mbyll njëherë e përgjithënjë. Amerika do të vazhdojë t'i kërkojë. Europa do të vazhdojë të mos i paguajë. Dhe kështu do vijë një ditë që, hem Amerika do të lodhet së kërkuari, hem Europa do të mërzitet duke u përgjigjur - Jo!
Mund të vijë një kohë që të pëlcasë në kontinent një luftë e dytë si ajo e 14-ës. Përsëri Europa do t'i kërkojë borxh Amerikës. Dhe Amerika do t'i japë. Kur të mbarojë lufta, Amerika do t'i kërkojë paratë Europës dhe Europa do t'i përgjigjet: "Hip këtu të shohësh Stambollin". Dhe komedia e borxheve do të persëritet; gjithashtu dhe historia.
Historia përsëritet shekull pas shekulli, por njeriu s'mëson asgjë. Luftrat nuk janë ndonjë shpikje e re. Qysh n ere. Qysh në kohët e Homerit, trojanët vriteshin me helenët për shkakun e një gruaje të bukur.
Sot vriten për asgjë, ose më mirë, për mustaqet e diplomatëve. Luftrat, rrëmullat, krizat politike dhe financiare, batakçillëket, gënjeshtrat, s'janë ndonjë shpikje e re. Por mënyra e të vrarit dhe e të grabiturit ndryshoi formë dhe "syfet". Qëmoti vriteshin me thika ose me "harqe" me "kapsollinj" ose me "shtiza". Sot vriten me mitraloza, bomba dhe dinamit. Më vonë, sigurisht, do të fillojë vrasja me "mikrobe" të helmuara. Dhe njeriu shpik sa mund. Dhe shpikja vret njerinë. Tamam si ai krimbi i mëndafshit që hap varrin e vet. Por krimbi i mëndafshit s'ka mend. .. Kurse njeriu, jo vetëm që ka sa të hanë qentë, por shumë herë, kur i teprojnë, "shet" me një çmim shumë të arsyeshëm.
Megjithatë, historia e së shkuarës s'na ka dhënë as më të voglin mësim. Djemtë e korbit sa venë e nxihen.

Botuar më 1934




Kënga e monotonisë



Nonda BULKA



Shok besnik, shok i vjetër që ngahera e kam pranë, si në ditët më të helmuara të jetës sime, ashtu dhe në ato më të lumtura.
Sahat i vogël, i bukur, gjysmëhekur, gjysmë-ergjënd, që s'flet as qan, veç murmurit këngën melankolike, monotone të jetës që shkon. Ikën ngahera, ikën pa kthyer kokën prapa. Ikën dhe, bashkë me të, ikim dhe ne. Na lajmëron se koha shkon dhe fluturon, edhe këndon një këngë monotone; këngën e monotonisë tik-tak. Ç'këngë tragjike! Fillon ajo këngë e helmuar te djepi, dhe mbaron te tabuti. Një tjetër pas teje do ta vazhdojë këngën, dhe pas tij një tjetër; por le të kthehemi te sahati.
Tridhjetë vjet rresht, kudo që vajta, ngado që shkova, e kisha ngahera në xhepin e djathtë të jelekut, duke kënduar këngën e monotonisë. Ndrova shokë, ndrova qytete, ndrova kostume, ndrova shtëpi, por sahatin e kam ngahera në xhepin e djathtë të jelekut.
Është lidhur ngushtë sahati im besnik me kujtimet e plot tridhjetë vjetëve. Sa herë e shoh, me vinë parasysh shokët që kanë vdekur, miqtë që kam larg. Me shkon si vetëtima gjithë jeta e pamvarur e një djalërie nostalgjike. Gjithë e shkuara është para meje, sa herë që fut dorën në xhep për të pyetur shokun tim besnik, ç'kohë është, ai përgjigjet: tik-tak! Përgjigje lakonike, monotone, që s'do të thotë asgjë dhe që thotë shumë gjëra.
Thotë ndofta ajo këngë monotone: "përse dëshpërohesh? Je edhe djalë! Ke një të ardhme përpara. Varet nga ty që ajo e ardhme të jetë e shkëlqyer ose jo! Përse kaq pesimizëm? A është vërtet kaq e zezë jeta sa e pandeh ti? Përse? Përse bëhesh vegla e muskulit, që të ka dhënë zoti peshqesh dhe që quhet zemër? Përse skllav i emocioneve? Shikomë mua, stoik, mbi çdo gjë gjakftohtë dhe krenar! Vepro si unë". Ndofta këto do të thotë kënga monotone e sahatit. Por sahati pa zemër, s'ka asnjë krahasim me njerinë plot ndjenja dhe zemër. Ambienti shoqëror e ka bërë, që ajo zemër dhe ato ndjenja të shërbejnë për fatkeqësinë e tij. Zemra njerëzore shumë herë rreh për ëndrra të shkuara, për sytë e kaltër të një vajze që s'e ke parë qysh prej kohe, për trupin selvi të asaj që në gjunjë të këndonte këngën e shpirtit.
Erdhi koha që të rrahurat e zemrës të ndryshojnë drejtim. Sa për sahatin, ai s'merr vesh, lëre të këndojë këngën e monotonisë gjersa të ndryshket!

Botuar ne vitin 1934
usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 2# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Nonda Bulka
(Date Posted:13/10/2012 01:17)

Nonda Bulka në dhjetë vëllime origjinale



Oliverta Lila



Një punë dhjetëvjeçare do të kurorëzohet me botimin e dhjetë vëllimeve të krijimtarisë së Nonda Bulkës. Botuesi Mehmet Gëzhilli tregon se aty do të gjendet Nonda shkrimtar, publicist, përkthyes, kritik e deri edhe një album fotografik e me dorëshkrime. Dy vëllimet e para do të dalin në qarkullim për 105-vjetorin e lindjes, më 6 mars



Ata që e njihnin nga afër e kujtojnë burrin me flokë të bardhë që shëtiste në rrugët e Tiranës majë biçikletës. E njihnin për humorin mes miqsh dhe për satirën therëse hedhur mes rreshtave. Ky ishte Nonda Bulka. Apo Chri-Chri, ashtu si ai i firmoste fejtonet apo skicat e gazetave dhe revistave të viteve ‘30. Shkrimtar, publicist, përkthyes, pedagog, shkrimtari Dritëro Agolli e ka quajtur Volteri shqiptar. Së shpejti për Nonda Bulkën shënohen dy përvjetorë: ai i lindjes, më 6 mars (105-vjetori), ndërsa nëntori që vjen shënon 40 vjet ikje. Këto data të shënuara kanë qenë arsyeja, por jo shtysa, që Nonda Bulka të vijë i plotë në të gjithë krijimtarinë e tij. Dhjetë vëllime origjinale po përgatiten për shtyp nga “Argeta LMG”. Botuesi Mehmet Gëzhilli ka dhjetë vjet që rrëmon arkivave, për të gjetur deri edhe Nondën e pashfaqur. Atë që në gazetat e hershme është fshehur deri edhe pas pseudonimeve të tilla si Kin Fu San, Grepi, Thumbi, Sfurku. Gëzhilli tregon se kanë gjetur mjaft shkrime të tij që nuk njiheshin më parë. Të gjitha do të jenë pjesë e vëllimeve që po përgatiten. Pas gjithë kësaj pune, Gëzhilli e quan pa mëdyshje, themeluesin e publicistikës moderne. Sipas Gëzhillit, shkrimet e para të Bulkës gjenden që më 1928, por veprimtarinë e mirëfilltë e ka filluar më 1932. I lindur në Leusë të Përmetit, një fshat me traditë që i dha bazat e para, prej nga kishin dalë Odhise Paskali, Alqi Kristo, Sejfulla Malëshova e të tjerë, Nonda Bulka mbaroi Liceun francez të Korçës, studioi për jurisprudencë në Paris dhe u kthye sërish në Korçë, këtë radhë si pedagog i letërsisë shqipe dhe franceze. Kjo është koha e tij aktive. Shkruan intensivisht në katër-pesë gazeta e revista të kohës si në gazetën e Korçës, “Rilindja”, “Arbëria”, “Drita”, në revistat letrare e më vonë edhe te “Bashkimi”, ndërsa më 1945 është iniciator i themelimit të “Hostenit”. “Në të njëjtën ditë ai mban disa rubrika me pseudonime të ndryshme. Por shkrimet e tij ishin shumë të shkurtra. Ka qenë ekonomitar i madh i fjalës, por me një satirë dhe humor therës. Disa nga rubrikat e tij më të preferuara ishin “Kur qan e qesh bilbili”, “Gjurmë nga jeta”, “Simite e ngrohtë”, ku ai hidhte plagët më të mprehta të shoqërisë. Intuita e çonte te fenomenet e mprehta dhe ai nuk kursehej t’i shkruante menjëherë. Nonda përdori edhe disa gjini të veçanta si pusullën, ku në 5-10 fjali kritikonte fenomenet e ditës, por ishin edhe letra që i dërgonte në Ferr, ia dërgonte Zotit, Mit’hat Frashrit, Milto Sotir Gurrës, etj. Plot sarkazëm, në shkrimet e tij gjeje krizën që kishte pllakosur botën, nga Japonia, Europa, në Amerikë. Të gjitha këto fenomene i ka pasqyruar në vitet ‘32-‘37 dhe personazhet që demaskoheshin ishin Hitleri, Musolini, qeveritarë, deputetë, tagrambledhësit dhe vjehrra”, tregon Gëzhilli. Në fakt, këto kohë “vjehrrën” Nonda e vendoste gjithkund. Në të vërtetë, ato kohë ende nuk kishte vjehërr. Ashtu si ai vetë e shpjegon në intervistën e pak muajve para se të vdiste te “Hosteni”, “vjehrra” ishte një personazh që simbolikisht e kishte krijuar për t’iu kundërvënë regjimit të asaj kohe. Por ndonëse ishte një nga pikat e referimit për shkrimtarët që do të vinin pas tij, nisur që nga Migjeni, katër vjet më i ri se ai, Bulka nuk do ta linte pas dore letërsinë botërore. Ka përkthyer “Universitetet e mia” të Maksim Gorkit që më 1949, poemën “Vajza dhe vdekja” po të këtij autori, “Evgjeni Grande” të Balzakut, poezi të poetëve të njohur dhe bashkë me Foto Balën, përkthyen “Topazin”, premiera e parë e Teatrit Popullor më 1945.



Vëllimet



Mehmet Gëzhilli i ka mbledhur materialet dhe tashmë i ka ndarë për çdo vëllim. Në të parin libër do të përfshihet publicistika e një viti, 1932-‘33, një botim me rreth 450 faqe. Libri i dytë përmban sërish publicistikën e viteve ‘34-‘44, ku sipas Gëzhillit botohen për herë të parë rreth 400 shkrime që ishin firmosur me pseudonimet e tij e që nuk njiheshin si të tijat. Libri i tretë përfshin publicistikën dhe prozën e tij në vitet 1945-1972, kohë kur mbylli sytë. Libri i katërt përfshin mendime të tij për letërsinë, artin dhe kulturën. Gëzhilli shpjegon se që në vitet ‘30, Bulka ka shkruar për disa nga veprat e njohura të letërsisë botërore, duke nisur nga Shekspiri e Mopasan, por edhe për Naim Frashërin, Çajupin, Migjenin, Jeronim de Radën e të tjerë. Gëzhilli tregon se kanë gjetur edhe një vëllim me novela, që mund të quhet i tillë për nga ngarkesa emocionale dhe intensiteti, por që në fakt janë të shkurtra sa nuk i kalojnë 5-6 faqe libër. “Janë 15 autorë si Mark Tuen, Mopasan, Zola etj. Ky libër i botuar më 1943-‘44 nuk kishte emrin e përkthyesit, por vetëm inicialet N.G.B. Nga verifikimet por edhe nga dedikimi që i kishte kushtuar vëllait të vdekur në frontescip, zbuluam se ishin përkthyer nga Nonda”, tregon Gëzhilli. Vëllimi i pestë përmban poezitë origjinale dhe poezitë e përkthyera prej tij, ndërsa në vëllimin e gjashtë janë fabulat e Nonda Bulkës në prozë. Pjesë të këtyre botimeve Gëzhilli ka bërë edhe ato që janë shkruar për Nonda Bulkën dhe krijimtarinë e tij, të cilat do të jenë pjesë e vëllimit të shtatë. Vëllimet tetë-nëntë përmbajnë novelat e përkthyera, dramën “Topazi”, “Nata e gjatë” dhe “Evgjeni Grandenë”. Vëllimet do të mbyllen me një album fotografik, dorëshkrime, faksimile dhe një bibliografi. Kjo sipas Gëzhillit është e nevojshme, sepse jo gjithçka është futur në këto botime. “Kemi zgjedhur ato që kanë vlerë, duke i parë dhe me syrin e kohës. Por ka edhe shkrime të shkurtra, që nuk i kemi përfshirë, kryesisht reflektime të momentit”, thotë ai. Ndërsa për dorëshkrimet, thotë se ka pak të tilla. Letrat që shkëmbente me miqtë, e veçanërisht me Sterjo Spasen, janë botuar. Në fakt, që në vitet ‘80 janë botuar tre vëllime të veprave të Nonda Bulkës që kanë përmbushur nevojat e asaj kohe. Pas kësaj kohe të gjatë të studimit të veprës origjinale, Gëzhilli thotë se Nonda është masakruar në këto botime, është hequr pjesa e bukur e satirës. Dy vëllimet e para, Gëzhilli beson se do të dalin këto ditë të para të marsit, duke përkuar edhe me 105-vjetorin e lindjes. Kolanën e plotë dëshiron ta promovojë në Panairin e Librit të vitit 2012, në kujtim të 40-vjetorit të largimit të Nonda Bulkës nga jeta. Gëzhilli nuk ka menduar ta mbyllë me këto botime. Në bashkëpunim me TVSH, së bashku me regjisorin Halil Kamberi, operatorin Agim Kuri, kanë xhiruar një dokumentar që është në proces montimi. Gëzhilli do ta çojë veprën e Nonda Bulkës edhe në Korçë e Përmet, ndërsa mendon edhe organizimin e një sesioni shkencor në Akademinë e Shkencave. “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve jep një sërë çmimesh letrare. Do të ishte e nevojshme të shtojë edhe çmimin “Nonda Bulka” për veprën më të mirë satirike-humoristike”, thotë Gëzhilli, teksa i referohet veprimtarisë së Bulkës.
usertype:1 tt= 0
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY
LUFFY