User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Ndre Mjeda
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Views:83     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:13/10/2012 01:39)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

Ndre Mjeda
(1866-1937)

Poezia e Mjedës shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër
Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare. Ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e gjerë klasike, që do t'i vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme letrare.
Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi "Vaji i bylbylit", një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese.
Më 1917 Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin "Juvenilja" krijimet poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe s'kishin mundur të shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar. Në vitet 1920-1924 Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik.

Veprimtaria letrare e Ndre Mjedes
Poezia e Mjedës shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të varfër. I ati ishte një barì, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante rroba te familjet e pasura të qytetit.
Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare. Ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e gjerë klasike, që do t'i vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme letrare. Në formimin e personalitetit të mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të thjeshtë i ndiente thellë. Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik. Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi "Vaji i bylbylit", një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente veten të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë jezuite.
Konflikti ndërmjet tij dhe urdhërit ku bënte pjesë, arriti në pikën më të lartë, pas dy vjetësh, kur poeti i ri, që kishte mbaruar studimet dhe ishte dërguar të jepte mësim në një shkollë të lartë fetare në Itali, detyrohet të largohet. Duke e ndier veten tashmë më të lirë, ai iu kushtua me një zjarr të dyfishuar çështjes kombëtare dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare e kulturore. Themeloi shoqërinë kulturore "Agimi". Mori pjesë në një kongres gjuhësor lidhur me çështje të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesëve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër qeverisë osmane. Poeti ngriti zërin me rastin e mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet një vjershe që është një kushtrim i hapur, etj. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin "I tretuni").
Edhe pas kësaj, poeti nuk pushoi së punuari për çështjen shqiptare, qoftë në fushën letrare, qoftë në fushën gjuhësore. Në këta vjet, nën ndikimin e hovit të madh të lëvizjes atdhetare si edhe të kontaktit të përditshëm me jetën e fshatarëve, lindën krijimet e tij më të mira.
Si shumë rilindës të tjerë, Mjeda shpresonte se çlirimi kombëtar do të sillte përmirësimin e gjendjes së masave. Një mendim i tillë përshkon poemën e fuqishme "Liria" e shkruar në vitet 1910-1911, pra në prag të shpalljes së pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur.
Në të vërtetë, që këtej e tutje, ai do t'i kushtohet kryesisht veprimtarisë gjuhësore.
Më 1917, Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin "Juvenilja" krijimet poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe s'kishin mundur të shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar. Në vitet 1920-1924, Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare. Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin "Liria".
Mjeda shkroi shumë krijime poetike, shkrime për fëmijës si dhe proza me karakter didaktik fetar. Por ai mbetet kryesisht poet. Veprat e tij kryesore janë "Juvenilja", "Liria", "Lisus", "Scodra".
Dy poemthat e para "Vaji i bylbylit" dhe "I tretuni" paraqesin interes jo vetëm si fillime të krijimtarisë letrare të Mjedës, por edhe për vlerën atdhetare dhe artistike, si edhe për mundësinë që na japim të ndjekim zhvillimin e personalitetit artistik të poetit. "Vaji i bylbylit" është krejt lirik dhe shtjellohet nëpërmjet një simboli; bilbili i mbyllur në kafaz është shqiptari nën zgjedhën osmane.
Ndonëse vepra mbështillet me tisin e hollë të melankonisë, i kuptueshëm për moshën dhe për gjendjen shpirtërore në të cilën u shkrua, përfundimi i saj është thellësisht optimist, pasqyron ligjin filozofik të përparimit të jetës, që frymëzon edhe besimin në të ardhmen e Shqipërisë.
"I tretuni" dëshmon për një pjekuri më të madhe ideoartistike. Melankonia e "Vajit të bylbylit" këtu është shndërruar në dhembje krenare, stoike, e cila shprehet më së miri nëpërmjet paralelizmit me natyrën në shtrëngatë, që e hap poemthin.
Ndryshe nga poemthi i parë, ky ka një subjekt të dhënë në forma lirike; fatin e një atdhetari shqiptar, të internuar nga pushtuesit. Poeti do të ketë menduar se ky mund të kishte qenë edhe fati i tij. Në këngën e parë që përshkruan ndarjen e të mërguarit me qytetin e lindjes, Shkodrën dhe me atdheun, duken qartë elementët autobiografikë. Po Mjeda nuk mbeti në shtjellimin e thjeshtë të një materiali jetësor; ai diti ta përgjithësojë e t'i japë vlerë aktuale. Heroi i poemthit është një fshatar i varfër. Dhe tek zgjedhja e një protagonisti të tillë, ndihet dashuria e Mjedës për masat fshatare, ndjenjë që do ta shtyjë gjatë tërë krijimtarisë së vet t'i zgjedhë heronjtë nga rradhët e fshatarësisë. Te "I tretuni" ndeshen figurat dhe mjetet e njohura romantike të pasqyrimit të realitetit si: ngjyrat e forta në përshkrimin e natyrës, stuhia në pjesën e parë, që ka edhe një kuptim simbolik, bregdeti i ashpër shkëmbor, ku ka qëndruar heroi duke kujtuar atdheun, ndonjë simbol, si lejleku që e lidh me vendlindjen. Këtu gjenden edhe elementë të riprodhimit besnik të mjedisit, nëpërmjet kujtimeve të protagonistit dhe sidomos vizatimi i figurës së nënës. Lirizmi dhe epizmi shkrihen në mënyrë të harmonishme. Variacioni në vargje e strofa pasqyron botën shpirtërore të trazuar të protagonistit. Poemthi mbyllet me një frymë të lartë burrërore dhe optimiste: heroi nuk pendohet për rrugën e zgjedhur, po është krenar se vuan për hir të atdheut. Nëpërmjet figurës së nënës tek "I tretuni", që del në këngën e fundit, lartësohet figura e nënës shqiptare, e dhembshur dhe kreshnike, që rrit bij trima dhe atdhetarë. Që në këtë poemth të hershëm, shohim atë që do të jetë një meritë e rëndësishme e veprës së Mjedës: pasqyrimin e denjë të figurës së gruas shqiptare, veçanërisht si nënë. Ndër lirikat e ndryshme të përfshira ose jo në veprën "Juvenilja" ka një varg vjershash me të cilat poeti ndjek traditën e Rilindjes ku himnizon bukuritë e atdheut ("Malli për atdhe", "Mikut tem Pal Moretti"), duke i kënduar gjuhës si mjet zgjimi të ndërgjegjes kombëtare ("Gjuha shqipe"), ku i kushton një vëmendje të veçantë problemit themelor të luftës për pavarësi, që ishte bashkimi i shqiptarëve ("Bashkonju", "Shqypes arbnore").
Mjeda, gjithnjë në vazhdën e Rilindjes, ngre lart figurën e heroit kombëtar, si simbol bashkimi dhe burim besimi në fitore. ("Vorri i Skanderbeut", "Shqypes arbnore", "Bashkonju", "Për një shkollë shqype mbyllun prej qeverisë otomane", "Mikut tem Pal Moretti", "Lisus", "Liria"), duke theksuar në këtë poemë të fundit lidhjen e thellë të Skënderbeut me popullin, me masat fshatare.
Në vjershën "Mikut tem Pal Moretti", Mjeda jep një gjykim të drejtë e të mprehtë jo vetëm për rëndësinë e Skënderbeut, si shpëtimtar i qytetërimit evropian, po edhe për politikën dredharake të fuqive të mëdha të Evropës së kohës së vet, që, për interesat e tyre, mbanin në këmbë perandorinë e kalbur osmane. Që në këtë vjershë romantike atdhetare vihen re nota shoqërore. Motive shoqërore janë vënë në bazë të dy vjershave të "Juvenilias": "I mbetuni" dhe "Shtegtari". Aty preken dy plagë të dhimbshme të Shqipërisë së kohës si: kurbeti dhe qëndrimi mospërfillës i klasave të pasura ndaj njerëzve të thjeshtë të popullit, bartës të luftës për çlirimin e vendit. Po trajtimi i këtyre problemeve nga pozitat e romantizmit me gjurmë sentimentalizmi dhe fryma e humanizmit kristian që i përshkon vjershat i ka zbehur deri diku dhe ka bërë që këto vjersha të mos kenë forcën e vjershave realiste të Çajupit dhe të Asdrenit, me të njëjtën tematikë.
"Lisus" (botuar më 1921) dhe "Scodra"(1940) janë vepra, ku thelbi romantik vishet me një formë klasiciste. Këta dy poemtha liriko-epike karakterizohen nga një stil i kërkuar dhe retorik. Poeti himnizon këtu të kaluarën e lashtë të popullit tonë (te "Lisus" përmes materialit historik, kurse te "Scodra" nëpërmjet legjendës). Interes ka te "Lisus" paraqitja e figurës së Skënderbeut, që poeti ka dashur ta bëjë sa më njerëzore.
Origjinaliteti dhe fuqia e vërtetë e talentit të Mjedës kanë gjetur shprehje në krijimet ku ai arrin në realizëm, si në vjershën "Mustafa Pasha në Babunë", në poemthin "Liria" dhe në kryeveprën e tij "Andrra e jetës".
Tek e para, duke u nisur nga një fakt historik, tradhtinë e Mustafa Pashë Bushatlliut, poeti e ka tipizuar me forcë, duke e përshkruar "mbi thasë të florinjve, ndër valle jevgash" figurën e feudalit të zvetënuar, anadollak, parazit, që është kurdoherë gati të bëjë fli interesat e atdheut për të vetat. Vjersha merr kështu një kuptim të gjerë përgjithësues, duke tingëlluar si akuzë e fuqishme kundër të ashtuquajturve atdhetarë, përfaqësues të shtresave të larta, që përfitonin nga sakrificat e popullit. Figurës së Mustafa Pashës poeti i kundërvë masën e fshatarësisë së ngritur në këmbë për mbrojtjen e atdheut, duke u bërë zëdhënës i urrejtjes së saj kundër feudalit tradhtar.
"Liria", poemthi epiko-lirik, i ndërtuar me tingëllima, me problematikë politiko-shoqërore, është, ndofta, vepra e Mjedës që ka ide më të fuqishme. Në të ndihet jehona e kryengritjeve të malësorëve të Veriut më 1911, që tingëllon me forcë që në vargjet e para:
"Lirim, lirim bërtet gjithkah Malcia" dhe vjen duke u rritur nga një tingëllimë në tjetrën. Poeti frymëzohet nga lufta për pavarësi e amerikanëve kundër kolonizatorëve anglezë, që ishin edhe pronarë tokash, dhe ua tregon shqiptarëve si shembull. Në mbylljen e poemës, ku paralajmërohet shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme shqiptare nëpërmjet një mjeti të dashur për rilindasit, paraqitjes së hijes së Skënderbeut, që ngrihet nga varri. Poeti thekson se heroi kombëtar shkon "Ksollë për ksollë". Në këtë poemth ka vargje që dëshmojnë për afrimin e Mjedës me idetë demokratike. Kështu, ai pohon se kryengritësit mundën "kështjellat atnore", gjejmë aluzione për shfrytëzimin e fshatarësisë ("...s'ka me dalë ushtari me i grahë bulkut si kaut me sjeçe t'begut"). Këto mund të dëshmojnë se Mjeda e sheh lirinë të fituar prej amerikanëve jo vetëm në plan kombëtar, po edhe në plan shoqëror dhe shpreson se populli shqiptar do të shkundë shfrytëzimin e egër bashkë me zgjedhën feudale.
Në këtë poemë shkrihen konçiziteti dhe forca shprehëse. Krahasimet dhe antitezat janë tronditëse ("lirinë e keni ju/ ne hekra kemi...", "Posi berra që bleu mishtari vemi"). Romantizmi ia ka lënë vendin një realizmi ngjethës, një pasqyrim plot dramatizëm të gjendjes së atdheut.
Vargu është njëmbëdhjetërrokëshi, i cili krijon atmosferën e madhërishme, përdorimi i bartjeve i jep dinamizëm stilit dhe shoqëron alternimin e ndjenjave dhe të mendimeve. Lloji i zgjedhur i organizimit të vargut në tingëllima i disiplinon shpërthimet lirike. Gjuha është e pasur, megjithatë veçoritë krahinore e vështirësojnë leximin e lirshëm.


Poet i shquar dhe veprimtar patriot. Lindi në Shkodër në një familje të varfër të zbritur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër, më pas u dërgua për studime të mesme dhe të larta teologjike në disa vende në Evropë. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci. I 'dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje, Ndre Mjeda u kthye në atdhe ku u emërua famullitar në fshatra të ndryshme. U lidh që herët me lëvizjen patriotike.

Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë "Agimi", e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Vitet e fundit ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër dhe vdiq në këtë qytet.

Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrojt më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike "I tretuni", në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjersha "Shtegtari", "Malli për atdhe", "Gjuha shqype", "Bashkoniu!"etj. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t'u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërare, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës., që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha "Mustafa Pasha në Babunë" fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e -malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima "Scodra" dhe "Lissus", ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin.

Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës, vend zënë edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi etj. Romantik në thelb, Ndre Mjeda bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë "Agimi" me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t'u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndrtyshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).
usertype:1
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 1# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Ndre Mjeda
(Date Posted:13/10/2012 01:42)

Vaji i bylbylit

Po shkrin bora,
dimni po shkon,
bylbyl i vorfën
pse po gjimon?

Poshoi murlani
me duhi t’vet,
bylbyl i vorfën
çou, mos rri shkret.

Gjith fushët e malet
blerimi i mbëloi,
livadhi dhe pema
gjithkah lulzoi.

Ndër pylla e orgaja,
n’ma t’mirn vend,
me rreze dielli
po e gëzon gjithkënd.

E tui gjimue
shkon rreth e rreth
nji prrue qi veret
rrjeth nëpër gjeth.

A’ çilë kafazi.
bylbyl flutro,
nder pyje o agraja
bylbyl, shpejto.

Kërkush ma hvin
atje s'ta pret
me zeher hajein
kerkush s'ta qet

Kafaz ke qiellin,
epshin pengim,
e gjith ku t'rreshket
shkon fluturim.

Nëpër lamije
ke me gjetë mel,
për gjith prandverën
nj'ajo bukë t'del.

E kur t'zite edi
nder prroje pi,
te nj'ato prroje
qi ti vetë di.

Tash pa frigë çerdhen
ban m'ndoj lis,
nuk je si i nieri
qi nuk ka fis.

E kur t 'vin zhegu
kur djelli shkon,
ti ke me këndu
si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
me t'ndie rri,
prej asi vendit
dahet mezi.

A'çilë kafazi,
bylbyl, fluturo,
ndër pyje e ograja,
bylbyl, shpejto.

Ndër trandofile,
ndër zamakë nga,
ku qeshet kopshti
idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
dimni po shkon,
bylbyl i vorfën
pse po gjimon?

Liria

- I -
O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n'ato maja;
mbi bjesh' t'thepisuna e n'ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?

A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?*)
O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni!

"Lirim, lirim!" -- bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t'mjerin e mblon anemban' robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.
.................................

- VI -
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.**)

E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll' për kasoll' rreth buneve***) e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija

e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin' ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji iu qitin.

E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.

*) pa vuajtje, pa mjerim.
**) urrejtja
***) banesave
....................


Gjuha shqipe

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon;*)
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.
................................

Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg' e tosk', malsi, jallia**)
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.***)

Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.

E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.
................................

*) më ushton thellë, oshëtin
**) fusharakët
***) bashkoi

I tretuni

Nuk kalon nji natë e n'andërr
porsi zgjandërr
e shof nanën këtu përbri;
me krye vjerrte, me lot për sy
rri tue shfry
njat idhnim që don me e gri

Ndejun m'duket prap te votra
ku me motra
n'dritë t'kandilit qepte e arnote
por njat gaz ka që i shndritte
kur goditte
petkat e djalit e shendote

Kqyr njat vend ku n'mbramje rrishe
kur nuk kishe
fije idhnimi nëpër ftyrë
e ngurron, si t'kenke gurit
e, pshtetë murit
lot' i dalin rrkaje tuj kqyrë

"T'kishe dekë ma mirë, o i mjerë -
thotë sa herë, -
Afër nanës qe t'desh e t'ruejti;
t'kishe mbyllë me duer te mia
këtu te shpia
njata sy qe mordja shuejti

Afër vorrit tand nan-shkreta
porsi bleta
ishte sjellun tue gjimue
e n'at bar qe kishte qitë
për gjithë ditë
ndonji lule kish kerkue..."

...E mandej, si del nji krue
tue bumue
rreth e rreth prej brijes s'malit
rrkaj i ulen lot' per rrudha
- Nuk asht udha
nanë, m'u idhnue per t'zeza t'djalit

Kur n'kët shekull n'drit' e qite
kur e rrite
me njat mund qe nep hitia (kujdes i madh)
"Nji nanë tjetër, - thoshe, - ke,
bir n'kët dhe
nana jote a shqiptaria

Mend e zemër për të shkriji
e përtriji
nam e lavd kur t'i vijë dita"
Mbas fjalësh t'tua përherë shkova
e t'ndigjova:
shqiptarin' nuk e korrita

1917


Bukuri e virtyt

Porsa ditës i pat xanë filli,
Drandofillja muer me cilë
Gjetht e vet e andej prej qielli
Pritte voesen per shtat t' vet.
Kqyra n' nesret, gjetht kish' mshilë,
Dikush ksajë shpejt tash i a shklet.

Vrojta 'i halë, s' cillës i kercnohen
Diell e borë e erë e shi:
Rrajtë e saja vec forcohen
E kahë qiella ajo lshon shtat;
Qinda vjetsh kjo pau duhi,
Por duhija c' i ban s' pat.

E virtyti asht shemllesa
Ajo halë qi s' lodhë stuhija;
Drandofillja, qi e kohës kmesa
Kputë, hijeshin na perfytron.
- Kalojn ditt e bukurija!
Vec virtyti m' tokë qindron. -

Grueja shqyptare
(Amë e bi)

Ka ra rrezja nder bajama!
T' bin e vet kshtu e pvetë e ama:
- C'ke, moj bi, qi kjan e fshan?
Kjan e fshan, e vetllat vran? -

- Kjava shum, mori lum nana,
Tuj qindisë e m' ra gjylpana;
M' ra gjylpana nen balkue,
E jam ulë tash me e kerkue. -

- Po cka kje qi lodt t' i xori?
Ku kje dhima, a ku kje zori?
A por, drue, mos m'je harlisë,
Qysh se kjan - o tuj qindisë.
Pasha nanen nuk mund t' bari,
Qi të me ndezet bija zhari!
Do t' a dije e zeza nanë,
Pse ti vetllat shpesh m' i vranë;
Pse c' kah mot, moj, buza s' t' qeshet
E n' argtime zemra s' t' ndeshet. -

- Nuk a' gja, moj nanë s' a' gja;
Por po t' tham, se as kot s' jam vra:
Dicka vlon n' ket cerdhe zanash;
Vlon dashtni, si n'bija nanash!
Nane, dashtnija m' ka molisë,
Prandej kjaj - o tuj qindisë! -

- T'u thafët goja, bi, c' po thue?
A kaq shpejt ti m' je terbue?
Po shikjo, moj bi kercuna,
Se, po bana 'i herë e t' xuna,
Bana e t' pava tuj m' dalë n' derë,
Nuk m' ke pshtim, jo metsha e mjerë! -

- Jam shqyptare e bi shqyptari,
E ato fjalë, nanë, s' mund i bari:
S' ke me m' pa, jo, tuj dalë n' derë,
Si kujton, pse m' ke per nderë;
As, moj nanë, nuk jam harlisë
Vec pse kjaj - o tuj qindisë,
E shka n' zemer m' ka pengue,
Asht gja e dejë, o nanë, per mue. -

Fillon nana tash me u vra:
Dicka nakel së mjerës i asht ba;
Don me cilë të ngriten gojë;
Por dro e mjera mos t' gabojë:

- Fol, moj bi, mos m' len nder grepa,
Mos më mshef gja, moj, se do djepa
I kam luejtë der tash e m' ke
Dhelpen t' vjeter: Ty sot be
T' paca lshue, tash me m' diftue,
Se pse zemra peshë t'asht cue. -

- Nanë, dashtnija m' ka molisë,
Prandej kjaj - o tuj qindisë. -

Bindej nana, gja s'kuptote,
Por, te miren kah i a dote
Muer me t' amel e i tha e mjera:

- Mori bi, moj si prendvera,
Pash njat diell e pash njat hanë,
Pash njat Zot, qi kthiell e vranë,
M' difto sot, c' sokol ke xanë? -

- C' farë sokolit thue, moj nanë?
T' thacë, moj, t' thacë se s' m' a ban ndera,
S' m' a ban shpija, as s' m' a ban dera
Me luejtë mendsh, moj nanë, mas kuej:
S' i kam dhanë, jo, fjalë kurrkuej.
E po t' tham: Se n' t' endun t' motit,
Po t' tham, po, me besë të Zotit,
Ty due fjalët me t' i ndigiue,
As s' kam mend me t' u largue.
Zemren dysh un s' mund e daj:
M' len t' qindisi, m' len të kjaj! -

U ngri nana, lodt i pshtuen;
Para s' bis fort syt i u xuen.

Kaluen dit e kaluen net,
Vajza ma me gojë s' po flet:
Me gojë s' flet edhe na a' smue,
Rat e mjera a' tuj lingue:
Lingon keq n' at shtroje deket
E shpesh paket edhe meket.
Ftyra e sajë porsi flok bore;
Mndash, gjylpanë s' i hjekë prej dore;
Por punon e tuj punue,
Shef pelhuren se a' marue:
I lshon syt mi te me mall
Edhe e puthë e e ven në ball.

Nana vajzen tuj dihatë
Shpesh e ndien e: - Mori e ngratë,
A njimend s'don me m' diftue,
Se pse zemra peshë t' asht cue? -

- Nanë, dashtnija m' ka molisë;
Kjava mjaft-o tuj qindisë!
Kjava mjaft... - Ma desht t'ligjrojë,
Por i u kput ksajë fjala n' gojë.
Si fjalë tjera nuk mund të xori,
Mndash, gjylpanë prap n' dorë i mori;
Por dy duerët, porsi florini,
Mi pelhurë deka i a ngrini.

- Kuku nana kjan me lot,
Se c' me gjet mue t'meren sot!
Se c' e gjet të zezen nanë
Nen ket diell e nen ket hanë! -

Merr pelhuren, qi pat enë
Bija e sajë; kishte pasë kenë
Kuq e zi e m' te qindisë
Gjet dashtnin qi e kisht' molisë.
N' krye t' flamurit kisht' punue,
Per rreth shqypje, m' dorë prarue,
Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:
Se Shqypnia asht e Shqyptarve;
E nder skaje fjalët "liri".
Merr nanë-shkreta e pshtiell at bi,
Qi, pa njofët tjeter dashtni,
Ishte shkri vec per Shqypni.

Eni bija, zana malit,
Ju qi kjani n' dekë t' njij djalit,
E, permysë mi ket bujare,
N' te nderoni bin shqyptare;
E tuj puthë e mall e vajë
Njat flamur, qi dora e sajë
Diejti aq bukur me qindisë,
Pse dashtnija e kisht' molisë;
Lidhniu tok: Per herë dashtnija
Per vend t' uej t' u jet stolija;
Pe, po kje qi, si kjo bi,
Rriten vashat në Shqypni,
N' vend do të shkojë-o fjala e t' Parve,
Se Shqypnia asht e Shqyptarve.
Lidhniu tok, si bajshin motit
Ato bijat e Kastriotit,
E broh'ritni n' gzim e n' vajë:
Rrnofte Shqypnija e flam'ri i sajë


(Message edited by Amantin On 13/10/2012 01:43)
usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 2# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Ndre Mjeda
(Date Posted:13/10/2012 01:44)

Rizbulohet Ndre Mjeda



nga Klajd Kapinova



Libri i parë i këtij seriali “Mjeda 1 - Rinia (1866-1888) i kushtohet rinisë së Ndre Mjedës dhe aktivitetit të hershëm letrar e gjuhësor të tij”. Libri ka gjithsej 640 faqe të numëruara, me 2728 futnota, me 138 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Në tre kapitujt e parë, të këtij libri, autori skrupuloz, Dr.Mentor Quku, me një përkujdesje profesionisti, i jep rëndësi të dorës së parë gjenezës dhe botës së brendshme të Ndre Mjedës, fëmijërisë, familjes, mjedisit dhe shkollës. Për më tepër, studiuesi dr. Quku, përkundet nga ideja se historia e Ndre Mjedës është përsëritje e përshpejtuar e historisë së fisit të tij. Katër kapitujt e tjerë; “Aventura franceze”, “Tre vjet nën diellin spanjoll”, “Tre vjet të tjera në Kroaci” dhe “ Në Itali”, sqarojnë bëmat e poetit tonë gjatë karuzelit të tij të madh, që u detyrua të bënte rreth e qark Evropës. Një kapitull qendror është ai i shtati, që biografi origjinal i mjedeologjisë ia kushton poezisë “Vaji i bylbylit”, si dhe problemeve shumë të diskutueshme: frymëzimit e mënyrës së të shprehurit poetik të Mjedës. Vëllimi tërheqës mbyllet me kapitullin e nëntë “Viti i mbarë 1888”, vit kur Mjeda boton tre libra dhe ka në dorëshkrim shumë vepra të tjera. Ishte vetëm 22 vjeç, kur i pajisur me një inteligjencë të jashtëzakonshme, me një kujtesë fenomenale e një talent të rrallë, kishte arritur të bëhej një nga artistët dhe poliglotët më të shquar të kohës. Brenda një kohe relativisht të shkurtë, Mjeda ishte bërë, në saj të talentit të tij të jashtëzakonshëm, një ndër shqiptarët më të njohur.


“Mjeda-2 Albanologu” (1888-1899)

Vëllimi ndahet në nëntë pjesë. Libri ka gjithsej 642 faqe të numëruara, me 1048 futnota, me 203 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Pjesa e dytë dhe e tretë i kushtohet poezive të Cremonës, që u hartuan nga Mjeda gjatë katër viteve shkollore në Kolegjin De Vida, ku ai ishte profesor muzike dhe bibliotekar: Malli për atdhe, Shtegtari, Uzdaja pa dobi, Meyerling, si dhe dy poezitë kushtuar mikut Pal Moretit. Pastaj vijnë tre pjesë që i kushtohen periudhave kur Mjeda jetoi, studioi dhe krijoi në Krakov, Gorizie dhe Kraljevica. Një vend të veçantë zënë letërkëmbimi Mjeda-Meyer, i cili na jep informacione të shumta dhe interesante lidhur me kontributet e Mjedës në fushat e studimeve albanologjike. Gjithashtu jepen vlerësime shkencore lidhur me poezitë relike të Mjedës: Gjuha shqipe, Iliri dhe Epiri, Nji shoqit t’em qi kthete në Shqipni, i tretuni. Kapitujt shtatë dhe tetë i kushtohen angazhimit të Mjedës me studime të karakterit albanologjik, si dhe lidhjeve të tij me rrethet shkencore të kohës, sidomos me albanologun më të madh të shekullit XIX, Gustav Meyer. Mjeda, ka mbledhur dhe ka përgatitur për botim proverba, shprehje proverbiale shqipe, këngë lirike, humoristike, historike, si dhe legjenda gege. Të gjithë këto u botuan me emrin e Meyerit në Studime shqiptare VI, Viene, 1897, për shkaqe oportuniteti të rrethanave të kohës. Me interes janë kërkimet që bën Quku për të gjetur Fjalorin Etimologjik të gjuhës shqipe. Vëllimi voluminoz mbyllet me pjesën e nëntë, që hedh dritë lidhur me problemin e largimit të Mjedës nga jezuitët dhe për etapën e kthimit të Mjedës në atdhe në atdhe, në pranverën e vitit 1899.


“Mjeda-3 libri i parë

Alfabeti” (1899-1912)
Ky vëllim ka si objekt periudhën e kthimit të Mjedës në atdhe deri në Shpalljen e Pavarësisë dhe i kushtohet ndihmesës së Mjedës për alfabetin e gjuhës shqipe. Hulumtuesi pasionant Dr. Mentor Quku, gjatë gjithë shtrirjes së veprës në fjalë i provon me dokumente dhe silogjizma bindëse punën këmbëngulëse njëzetvjeçare të Mjedës për një alfabet shkencor dhe praktik për të gjithë shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë rolin e tij të shquar në punimet e Kongresit të Manastirit. Libri ka gjithsej 680 faqe të numëruara, me 970 futnota, me 160 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Për një shekull kjo ngjarje madhore kombëtare, u manipulua për shkaqe jashtëshkencore. Kongresin e Manastirit autori e quan prelud i Shpalljes së Pavarësisë, kuvendin më të rëndësishëm të kohëve moderne, ku u realizua ëndrra e shumë brezave të shqiptarëve, pajtimi dhe bashkimi politik i tyre. Autori Dr. Quku, përmes një metodike thellësisht shkencore, ka dhënë një version të ri mbi punimet e Kongresit të Manastirit. Ai ka provuar se secili nga delegatët shkoi në Kongres si dalëzotës i një alfabeti të caktuar dhe se të gjitha rrugët për kompromis, që u provuan ditët e para të punimeve dështuan. Ky vëllim provon punën e madhe që bëri Mjeda ynë, për alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe, se ai ka qenë i aftë të falë punën e tij shumëvjeçare si dhe të ndryshojë qëndrimin e tij, sa herë që këtë gjë ia kanë kërkuar interesat madhore të kombit. Kështu ndodhi në ditën e 20 nëntorit 1908, kur Mjeda bëri kthesën e madhe në momentin e fundit, kur po shihej qartë dështimi i Kongresit të Manastirit. Mjeda, tërhoqi alfabetin e tij me shenja diakritike, për afirmimin e të cilit kishte punuar intensivisht për njëzet vjet me radhë dhe punoi për një alfabet tjetër, alfabetin që kemi sot. Hulumtuesi shkencor Dr. Quku, përmes gjuhës së fakteve historike, ka provuar rolin vendimtar prej negociatori të talentuar të Ndre Mjedës në këtë moment kthese. Studiuesi Mentor Quku ka provuar se alfabeti i Kongresit të Manastirit është alfabet kompromisi, një akt pajtimi për gjithë shqiptarët, është një zgjidhje politike. Paraqet interes gjithashtu kapitulli i fundit i librit me titull: “Pas Manastiri”, i cili tregon se si, në prag të Pavarësisë, Ndre Mjeda u martirizua nga xhonturqit për shkak të pjesëmarrjes dhe rolit shumë aktiv të tij në Kongresin XII Ndërkombëtar të Orientalistëve në Hamburg, në Kongresin e Manastirit 1908, si dhe për transkriptimin e teksteve shkollore shqipe në alfabetin e ri unik për të gjithë shqiptarët, alfabetin e Manastirit.


“Mjeda-3 libri i dytë Liria (1899-1912)”

Në këtë vëllim autori ndriçon jetën dhe veprën shumëpërmasore të Ndre Mjedës, (përjashto ndihmesën për alfabetin e gjuhës shqipe). Libri ka gjithsej 766 faqe të numëruara, me 1087 futnota, me 136 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Në këtë vëllim, Dr. Mentor Quku hedh dritë mbi veprën e poetit gjatë jetës së tij në vende të ndryshme, ku e solli puna të shërbente si famullitar, administrator, sekretar, mësues. Në krye të këtij libri, autori sqaron me dokumente e analiza periudhën katërvjeçare të Vigut të Mirditës ku shërbeu si famullitar (1899-1902). Më tej ai e ndjek fatin e Mjedës në Rubig, Nënshat, Kodhel, Dajç të Zadrimës, Grash, për të përfunduar në Kukel.

“Mjeda-4 Identitet”

Libri hedh dritë mbi etapën e katërt biografike të poetit (1912-1925), që përshin shërbimet e tij si famullitar, si mësues, si deputet, si asamblist, si koordinator. Libri është i pajisur me një aparat shkencor të dendur, me skica, harta, tabela, grafikë, spote, fotografi, fotokopje, frontespice, çka flet për metodën shkencore të autorit, i cili bën krahasime, çel debate, të ngre teza e hipoteza, bën analiza e provokime shkencore. Libri ka gjithsej 634 faqe të numëruara, me 923 futnota, me 96 fotografi, 5 spote, 66 fotokopje dokumentesh, 6 grafika e pasqyra, 4 harta e ilustrime. Vepra e re ndriçon me dokumente e analiza të hollësishme jetën e Dom Ndre Mjedës, në mes të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit shqiptar (28 nëntor 1912) dhe Shpalljes së Republikës së Parë shqiptare (2 mars 1925). Libri tenton të theksojë përpjekjet e shqiptarëve për të formatuar identitetin kombëtar dhe të personazhit kryesor të librit, Dom Ndre Mjedës, për të ruajtur identitetin personal.

“Mjeda-5 Gjuhëtari”

Në periudhën e fundit jetësore, (1925-1937), Mjeda pati një përkushtim të veçantë ndaj veprimtarisë shkencore, letrare, gjuhësore, asketike e pedagogjike. Libri ka gjithsej 733 faqe të numëruara, me 801 futnota, me mbi 200 fotografi, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Në vitet 1925-1929, Mjeda jetoi i mbërthyer në famullinë e tij në Kukel, realisht i dënuar që të mos lëvizte jashtë famullisë.
Në vitet 1930-1937, Mjeda punoi si profesor i gjuhës shqipe në Shkodër, duke mbajtur njëkohësisht edhe postin zyrtar si famullitar i Kuklit. Ai gëzoi përkrahjen dhe nxitjen e një reformatori të madh, siç ishte Gjenerali i Përgjithshëm i Jezuitëve, Wladimir Ledohowsky. Mjeda do të merret kryesisht me studime gjuhësore, si edhe me botime të kësaj natyre, me vëllime të veçanta ose me artikuj problemorë e kritikë. Për këtë edhe do të rigjallërojë letërkëmbimin me shumë albanologë të huaj, miq e dashamirë, nxënës dhe dishepuj të tij të shumtë. Kjo fazë do të karakterizohet nga një intensitet i lartë i angazhimeve të tij të shumta. Megjithëse thuajse i vetmuar dhe i zhgënjyer në planin kombëtar e atë social, ai do të punojë fort deri në fund të jetës. Një ndër projektet e tij të vjetra ishte ngritja e një akademie letrare shqiptare. Mbas përfundimit të ciklit të akademive të kohëve të kaluara që ai krijoi ose punoi, (Shoqëria Agimi, KLSH) ai i rizgjoi planet e tij, duke themeluar në Shkodër shoqërinë letrare Shën Jeronimi. Në kuadrin e kësaj shoqërie letrare, Mjeda do të botojë disa vepra kryesisht të autorëve të vjetër shqiptarë.


“Mjeda-7 Bashkëkohësit”

Libri ka gjithsej 494 faqe të numëruara, me mbi 290 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, skica, harta e ilustrime. Tek ky vëllim, autori përmes gojës së bashkëkohësve të Mjedës, hyn thellë në zemrën e ngjarjeve dhe të jetës së poetit, për të ia paraqitur publikut lexues në mënyrë që gjithçka të shfaqej në vërtetësinë, e me dritë-hijet e veta.
Libri na ka paraqitur një Dom Ndre të dalë prej përshtypjeve e mendimeve të një morie njerëzish, të cilët kanë pasur rastin ta njihnin në jetë. Ky ka qenë nji shestim krejt i posaçëm i autorit. Pjesën më të madhe të tekstit, të përfaqësuar prej intervistave, e plotëson më në fund riprodhimi i disa shkrimeve kushtuar Dom Ndreut në trajtën e portreteve, kujtimeve e të njoftimeve të nxjerruna prej autorësh e veprash të ndryshme të të gjitha kohëve. Autori premton që brenda vitit të na japë vëllimin Mjeda-6, Bibliografia, do na ofrojë aparatin ku është mbështetur monografia. Me përjashtim të vëllimit ‘Mjeda-1’ që ka si redaktor Selami Tabakun dhe korrektor letrar Paulin Perjen, të gjithë vëllimet e tjera të serisë kanë redaktor studiuesin e onomastikës. Dr.Jusuf Shpuza dhe korrektor letrar, Palokë Rrotanin. Libri është përpunuar në studio grafike “Vizion”, me udhëheqës Meritan Spahia.
usertype:1 tt= 0
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY