User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Koçi Petriti
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Views:70     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:14/10/2012 02:59)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

POEZI NGA KOÇI PETRITI


Koçi Petriti lindi më 1941 në Korçë, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. Studimet e larta për gjuhe-letërsi shqipe i kreu në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të studimeve, nga vitit 1967 deri në 1990, punoi si mësues i letërsisë në Librazhd. Prej vitit 1990 punon në Tiranë, së pari në Lidhjen e Shkrimtareve, pastaj në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë si pedagog. Ka botuar vëllimet poetike: "Lirikat e majit", "Përsëri në udhë", "Firma e popullit tim", Prush në shekuj", "Të dashurova ty", si dhe përmbledhjen e kolanës "Poezia shqipe". Në Prishtinë është botuar përmbledhja poetike "Lulëkuqet". Vjersha të Koçi Petritit janë botuar nëpër disa antologji shkollore dhe me librin "Prush në shekuj" ka fituar çmimin si libri më i mirë i vitit.

TI DO TË VISH...

Ti do të vish, prapë do të vish
Nga udha ku je nisur
Po flokët më s'do të t'i shprish
Ashtu si t'i kam shprishur

Në gjoksin tim që digjet zjarr
Do rrish pa bërë zë
Po unë prapë si fillestar
S'di do të të puth më

Do desha të isha prapë me ty
Si viteve që s'kthehen
Që kur të shihemi sy ne sy
Të skuqem e të dehem

Pra, bëmë në ëndërr të të shoh
Dhe hidhmë në mendim
Që kurrë fundin mos e njoh
Siç njoh fillimin tim...

PËR TY QË TË DUA

Unë emrin tënd e zë rrallë në gojë
kjo do të thotë që në zemër e ruaj thellë
veç në ndodhtë të kthehem në rrënojë
do të dalësh si legjenda mbi një kështjellë

Unë emrin tënd s'e kam vënë në asnjë vjershë
E s'do ta shkruaj as në vargun më me bujë
Kjo do të thotë që gjërat me peshë
rrinë në thellësi dhe është zor t'i ngresh mbi ujë.

***

S'rri dot me ty,
s'bëj dot pa ty,
nata ka vesh,
dita ka sy.

Fshehur po dal'
vjedhur po hyj,
nata ka vesh,
dita ka sy.

Nën qiell veç,
nën dhe të dy,
s'rri dot me ty,
s'bëj dot pa ty.

PËR TY QË TË DUA

Unë emrin tënd e zë rrallë në gojë
kjo do të thotë që në zemër e ruaj thellë
veç në ndodhtë të kthehem në rrënojë
do të dalësh si legjenda mbi një kështjellë

Unë emrin tënd s'e kam vënë në asnjë vjershë
E s'do ta shkruaj as në vargun më me bujë
Kjo do të thotë që gjërat me peshë
rrinë në thellësi dhe është zor t'i ngresh mbi ujë

NË PUTHJE ISHE KREJT DËBORË

Në puthje ishe krejt dëborë,
sikur më puthte vdekja,
e unë
të shtira kot në dorë,
mos shkonte kot pikpjekja.

Po dhe në ish dorështënia e kotë,
a thjesht pa epsh, pa ëndje,
përse më kap rrënqethja e ftohtë
kur ty të sjell ndërmëndje?

M’u dhe ti mes dëbore e zjarri,
pa ditur ç’ndeze e ç’fike
e mua shpesh kjo puthje varri
më shpon si majë thike.

TËMTHAT MË RRAHIN

Tëmthat më rrahin
zemra më digjet
dua një shekull të rroj
e larg n'u largofsh si ujrat nga brigjet
prapë më dhimbsesh njësoj

Ç'rëntë mbi mua
ç'rrjedhtë nën mua
rrjedhtë e më ktheftë tek ti
unë ç'njeri duhet dashur e dua
ty sa njëqind dashuri

Ç'flasim kështu
ç'heshtim kështu
vallë në ç'ujra po zhytem
ulur në çipin e syve të tu
lermë të pi e të mbytem!

Lermë të pi
lermë të hesht
zemra për zemër të digjet
shekullin tim le ta ngrysja kaq thjesht
n'ujrat ku lozin gjith' brigjet...

Tëmthat më rrahin, zemra më digjet.

LETËR 2

Kam ndënjur vonë për ty, po rri dhe sonte.
Me ç’brejtës t’eshtrën zemër të ta brej?
S’kam dashur që keqardhje të të zgjonte
Një dobësi që tjetrit ia urrej

Ç’të derdh në varg dënesje shpirtsëmuri
kur ty zjarrminë e mallit s’ta ndez dot
Me ç’zog vajtues qan një dhimbje burri
Të ndjellë midis lotit, pika lot?

Po flas dhe hesht, po hesht dhe flas kaq mbytur
Por kot. Ti s’ndien as mall, as ngashërim,
E nuk e di me ç’xhinde jam përfytur
Të fsheh ç’më bren përbrënda burgut tim

12 shtator 1962

***

Unë mund të them një të vërtetë
Të tjerat mund t’i fsheh
Ne shumë mburremi ndaj botës
Por bota për asgjë s’na njeh

Prandaj në këtë natë t’errët çmoj
Nga gjithçka më tepër të vetmuarit
Që pyesin shpesh vetveten : “Përse rroj
kur flenë budallenjtë dhe të zgjuarit?”

JU KUJTOVA TË GJITHAVE

Ju kujtova të gjithave juve që them se ju desha
që nga m'e hershmja
gjer tek e vona,
atë që ish e paputhura,
atë që ish virgjëresha,
atë që ish moll' e sherrit e pelë e harbimeve tona.

Atë që flijoi për tre grosh dashurizen e parë
atë që briroi fill pas muajit të mjaltit nën mua
atë që nguroi n'udhëkryq djall a ëngjëll të marrë
atë që kuptoi që s'e desha, që sapo i thashë "Të dua"

Ja, po më ngjan sikur ngriheni nga heshtja e honeve
të ndryshme, të shumta si ngjyrat, si zogjtë
ju fluturuat mbi prushin epshor të pasioneve
donit të ngroheshit, pendët e bukura dogjët

Vjen perëndish edhe ti që të desha së pari
pikëz e artë, flurorja, si rreze e përthyer mbi lot
të shtrij e të shkoj përmbi buzë serish si dikur një fill bari
ti nis këndon edhe qan: Dashuria bën xhiro në botë!

Prap unë u desha pa ty
ti prapë u puthe pa mua
erdhën pas teje të tjera, shuan ç'rindizet e digjet
erdhën, po s'hyri askush gjer në pronat e tua
mes njëri tjetrit shkon lumi që ndan e bashkon të dy brigjet

Zbriti dhe suta e Veriut
mbërriti edhe krrilla prej Jugut
unë i pranova të gjitha, të gjitha, të gjitha
toka, grua beronjë, palluar prej plugut
qan kur s'ngarkohet me peme
qesh kur mbulohet me drithra

Ja, ku po vjen dhe m'e vona, mjellma e fundit
mjellma e fundit brymuar nga vjeshta
hirin hënor të flijimit kalimthi ma shkundi
brymen e ikjes pa kthim më brymoi përmbi vjersha

Unë kështu dimëroj gjer në flirtet e vona
herë i rishuar, herë i rindezur, sa mund
jam gati çdonjë ta ridua sikur t'ish vërtet Dezdemona
pastaj ta harroj si një libër që s'mund ta lexosh gjer në fund


***

As mundem të të mbaj
as bindem të të ndaj
ndonëse guxim i krisur më jep shtytje
e toka që i zbon avujt e saj
shpesh kërkon shi
e shpesh pëson përmbytje

ÇAST

Dallgë dhe dremitje e mërmërimë
Ç'madhështi pa shpirt, pa dashuri!
Ne të dy buze-ujrave po rrimë
Guaska jonë deti.
...........Ne - perlat e tij.

Dhe kështu i thamë gjithë fjalët
Heshtim me një heshtje që s'na shkon
Po dhe deti i madh, që varros valët
Nganjëherë u bëka monoton

HËNA

Sa here atë e morën nëper gojë
e kush s'u tall me shkak apo pa shkak?
Ajo s'e bëri veten të përçmojë
vetmia e tret, thashethemnaja e mplak

Vejushe, që përcjell e pret të birë
i vjen përjetësisht rreth e qark botës
që udhët të mos mbeten n'errësirë
kandilin që i jep dielli ia fal tokës...

SHKËNDIJA

Shumë ëndërrova të doja një njeri
Kështu më mbeti koka kthyer nga dashuria
Ëndërr pas ëndrre blova dhimbje e vetmi
Në zemër mblodha gjithë muzgjet me shkëndija
Duhet të prisja që veç ty të të desha
I rrethuar kështu përjetësisht me xixëllonja
Jam unë që të dua vërtet gjer në eshtra,
Apo ti të më bësh të të harroj je e pazonja?

16 mars 1972

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, shtator 2008)
usertype:1
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY