User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Din Mehmeti
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Views:115     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:13/10/2012 01:26)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

DIN MEHMETI


Lindi në Gjocaj (fshat afër Gjakovës) me 1932. Shkollën fillore e kreu në Junik, kurse Shkollën Normale në Gjakovë. Është magjistër i letërsisë shqipe. Ali D. Jasiqi thotë në mes të tjerash për Din Mehmetin: ”Poet i mendimit të thellë, i ndjenjës së hollë, i shprehjes në fillim të rrëmbyeshme që vjen e bëhet gjithnjë e më e butë”. Din Mehmeti është ndër përfaqësuesit klasikë më të mirënjohur të poezisë së sotme në Kosovë. Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, ai njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 në 12 vëllime.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj

SYTE QE SHKREPIN DASHURI

M'janë shkimë dritat e syve të gjallë
kthinave të mbrëmjeve luginave të nxira
e vragëve të fëtyrës së shterrur
derdhi pust e fryrë të shpiertit
në shtratin ku të rrita, o fëmij.
-Eja, biro,
të mbledhi rreth stomit të gjinjëve të brenjtur,
ti ngrohu brinjët e kërrusura
ulrimave të fërfëllazave të mallkuara
eja, bir-o, ta ndijë gjakun duke vluar!...

Eja në dashurinë e thithmave të rrjepur
se me dhëmbë të rinjë në gjakë mi i ke skurruar
e kurrë s' të kam terratuar ballin
me shuplak mallkimi
e kurrë s'të kam shkrumuar jetën me
me nam e rredhime,
eja bir-o, ta ndijë gjakun duke të vluar!...

Të kam përkundur buzë vatrës
nën flaken e zbehtë të një unë
e shpesh kamë ikur përrenjve
me djepin tand ngarkuar
në tojt e një plunge.

Eja,bir-o, ta ndij gjakun duke vluar!...
bregores sime të lulëzuar
eshtërat le të më kallen nur
për tokë e diell
se në sytë e tu që shkrepin dashuri
është gjaku i vatrës së re
duke vluar...

KENDO OSE VDIS PA KLITHME

Bëhu i blertë si unë
më tha bari një natë
këndo derisa të vallzojnë yjet
rreth diellit

si fëmijët rreth zjarrit në tokë
e pastaj dëgjo oshtimën
pa fjalë nër botë

lart do të mbesin kodrat duarthatë
e gurë breg rrugëve në mendime çarë

Këndo derisa të pëlcasiësh
si kripa në flakë
vajto po të duash

kosave të egra s'do të mundesh t'u ikësh kurrë
kur çmenden kohërat në furtun...

Bari ma tregoi ëndrrën e vet:
-majet më të larta e hëngrën qiellin
e zjarrtë

e shteku i rrezeve kërkon veten në breg...
e bregu bregun pas bregut në breg....

I bukur është vetëm zogu në fluturim
që me puhinë e krahëve të rreshk

këndo ose vdis pa klithmë.....

NATA E POETEVE

Kur heshtja mbulon çdo gjë
Kur të gjithë flenë
Zgjohen poetët
Për t’u djegur nëpër vargje

Ata ia shtrydhin
Gjakun e keq mendimit

Shpirti i tyne shesh betejash

Nga temperatura e fjalëve
Vdesin ngadalë pa klithma

GAZI I LASHTË

Kamarier ma sjell një kafe!

Balli i rrudhur u brydh
Në gaz të lashtë

Dy folje shqipe
Si dy shtylla mesjetare
Bënin përpjekjet e fundit
Për ta shqiptar emrin Nënë

E shkëminjtë e Konicës
Recitonin ofshamat e lumit
Që po zhdukej në det

Jashtë binte shi
Në ballin e kamarierit
Bëhej fërfëllazë...

Konicë, 1976

PA GAZ E PA DRITË

Emigrant i ikur moti
Nga vulat e mercenarëve
Afishe të leckosur fytyrën

Rrëkëllënte gur në diell
Hapte varre në gjinjt e Nënës:

Këmbonë mortare zërin
Kur pagëzohej grek

Vetëvrasje fjalësh
Në ballin e shkretëtuar
Kur pagëzohej shqiptar

Nga sytë e thellë
Pa gaz e pa dritë
Rigonte terr -
Bënte intriga tradhëtia...

Janinë, 1976

PAKEZ NE ENDERR
PAKEZ NE ZHGJENDERR

Jam pakëz i ndrydhur pakëz i çliruar
Duke vrapuar pas emrit
Pakëz i zverdhur pakëz i frikësuar

Jam pakëz i ngrirë pakëz i shkrirë
Duke kënduar për ty
pakëz i rrahur pakëz i ndjekur jam.

Jam pakëz i përbuzur nga Dielli
Kënga jote më ka ndezur
E më ka stërpikur me lot
Pakëz i vrarë edhe nga ylli jam.

Jam në ëndërr pakëz zhgëndërr
Pakëz fëmije kur fluturojnë zogjt

Jam pakëz endacak-shtegtimin e kam në gjak
Duke ecur me ty kalistrok
Pakëz i çuditshëm kur qëlloj retë.

Jam pakëz i dyshimtë pakëz kokëfortë
Kur shqelmoj zotrat që s’dinë të ngopen kurrë

Pakëz diçka nëpër zjarr diçka nëpër ujë
Diçka që hyn në të ardhmen
Për të ikur nga vdekja jam...

ORA

Semaforët klithin
zjarr!...

gozhda dritaret
gjarpërinj rrugët
nga tufa e zezë
e stinëve gjola
sheshet

thirra derisa u bëra
pështymë e ngrirë

kur erdhën zjarrfikësit
ora krenare luftonte
me frymën e fundit
nëpër tym
ora pa akrepa
si fëmijë i çmendur
udhëtonte diku jashtë kohës.

AVULLI I ZI

Bulevardeve të mënyrës dëftore
zjarri e uji luftonin përsëri

maskat engjëj maskat thikë
shkelnin pushtonin çdo pikë

në mesnatë salla mbeti e zbrazur
e karriga mbi karrige
fjalët krijonin ide nëpër shi
plehu i rrugëve avull i zi.

BALADA PER FRAZEN E FRYRE

Nga fraza e fryrë
doli hajni i ri i luleve

u zverdhën parullat

biografia e dekoruar
u fsheh
pas karrigave të lakmive

u rrokatën duartrokitjet

atë dite fjalët morën kokën në dorë
duke vrapuar në oshëtimat e lumenjve

dhe shumë kohë fishkëlluan trenat
para se të hynin në tunelet e reja

atë dite dielli shkuli ferra
varret nxorrën eshtra.

A THUA PSE TROKET ZEMRA

Këmbonat e rrokatura
Thërrasin agimet
E kohërave të vdekura.

Rrugët fishkëllojnë nga pylli
Që përgjon ofshamat e pranverës
Së mërdhirë nga dimri.

E njeriu s'di ç'të bëjë
Me etjen dhe urinë
E dalur vese e rrufeje

Tymi po i del hënës
Toka sinjal i kuq në orbitë.

E tërmete të reja në mëshirë
E rrëkëllimë gurësh mbi gurë.

A thua, pse troket zemra...

QENTE E DIELLIT

Lakuriqësia këndon
Majave të shëmtimit
E sytë rrjedhin gaz të huaj.

Qentë e diellit
Vrapojnë kah grykat
Ku as rrezet s’shpëtojnë.

KONCERT

Te përroi i karramzave gjumashe
Bretkosat në koncert të madh.

Yjet ndezen e fiken
në ritmin e një çmendie.

Shtëpitë e vejushat e llastuara
Përgojohen mes veti.

E fjalët pa zjarr
Të ftohura të ngrira fjalët

Bretkosat lidhin lumenjtë me detet
E pastaj në balte zhyten prapë.

Te përroi i dritave të lodhura
Edhe hëna bën not nëpër baltë...

"QË TË RRITEN LULET E BARDHA"

1.
Flini të qetë,
Se në gjakun tuaj do të shumëzohen
pranverat e pavdekshme
e zogjtë do të ndërtojnë çerdhe
plisave tuaj të tretur.

Ju dhatë gjërat më të shtrenjta
për të ngritur tempuj prej gjaku,
që dielli të mos rrënohet,
që toka të mos digjet.

ju mbollët besimin e jetës
në rrënjët e luleve
dhe me eshtra shkruat
biografinë e dritës....

2.
Flini të qetë!
kjo tokë ju lindi
nga hiri i ëndrrave të lirisë.
që të këtë rreze dita,
që të këtë ujë burimi,
që të rriten lulet e bardha
në mendjen e njerëzimit,
që nga shpirti të shpërthejë bardhësia
që liri të ketë me bollëk,
që të shtrohet buka pa frikë në sofër,
që njeriu mbi tjetrin të mos ngrihet si bishë,
që kopsht lulediejsh të bëhet jeta.

3.
Flini!
Ju ka hije gjumi i përjetshëm,
sepse s'deshët të jetoni të vdekur në jetë,
pa dashuri,
pa gaz në fytyrë,
pa shpresa në zemër,
pa tokë, që mbani si shtrojë
pa qiell, që mbani si mbulojë,
pa lumenj, që ju burojnë në sy,
pa diell, që mbani në duar...

4.
Flini të qetë!
Ju s'keni pse të ankoheni,
gjërat më të shtrenjta
i dhatë për Kosovën,
dhe dashurinë tuaj e shënuat
në çdo lule,
në çdo gur,
në çdo rrugë.

(Botuar në: "Gazeta e Athinës")
usertype:1
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 1# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Din Mehmeti
(Date Posted:13/10/2012 01:27)

MË LËNË E MË MARRIN TËRË JETËN


Më lënë një be për tokë e qiell
Që vran e kthjell

E m'i marrin sytë para se të zbresin në atë gropë
Për t'u dhanë dritë yje për t'i bërë

E m'i lënë porositë e nënës për një palë këpucë
Që nuk rrëshqasin në borë
Për një shall me vija të kuqe
Për ta vënë rreth qafe kur fërfëllazë bëhet ndër male

E ma marrin shpirtin për t'i dhënë hapësirë të blertë
Gaz mëngjesor që pikon nga lulet

E m'i lënë të gjitha frytet e tokës dhe fjalës
Që lidhin e zgjidhin veten kur e do puna
E m'i marrin të gjitha përmendoret e shesheve
Për t'i kënduar dimrave të gjatë
Se kënga do prush do zemër do shpirt

E m'i lënë krahët e shkëmbinjëve të lartë
Kur dragonjtë me kucedra gjuhen si në përrallë
Kur vetëtimat emërojnë njëra-tjetrën
E pastaj nënshkruajnë paqe

E m'i marrin vitrinat e veshëmbathjeve
Depot e miellit fabrikat që prodhojnë traktorë
Lugë pjata kripë

E m'i lënë blegërimat e deleve
Që mes gishtrinjve sjellin gjethin e tharë
E m'i marrin rrugët e asfaltuara para dere
Urat e larta prej cimentos dhe hekurit

E m'i lënë ciftelitë e fyejt për t'i rreshkë Bjeshkët e Nemuna
Me plisa bore edhe në vapën e korrikut

E m'i marrin hipsetëvravat e zbritsetëvravat e jetës

E m'i lënë duart rreth qafe dhe një shuplakë pranverë
për t'm'u gjetur në ditën e vështira

E ma marrin frikën mbi kasafortën e botës nga atomi

E m'i lënë besimet e tyre që s'lëkunden

E m'i marrin të gjitha librat për ta gjetur veten e tyre

Duke u ngjitur kah e nesërmja e pathyeshme
Në atë prehër të madh të Diellit
Që na ruan nga vdekjet
E më marrin
E më lënë
Ditëve të tregut fshatarët
Tërë jetën...
usertype:1 tt= 0
Support us

Create free forum and click the links below and your donations will make a difference here.

www.dinodirect.com

A Huge Online Store for Various Cool Gadgets, Accessories: Laser Pointer, Bluetooth Headset, Cell Phone Jammer, MP3 Players, Spy Cameras, Soccer Jersey, Window Curtains, MP4 Player, E Cigarette, Wedding Dresses, Hearing Aids, eBook Reader, Tattoo Machines, LED Light Bulbs, Bluetooth Stereo Headset, Holiday Gifts, Security Camera and Games Accessories and Hobby Gadgets.  
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 2# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Din Mehmeti
(Date Posted:13/10/2012 01:28)

MALLKIMI I GJAKUT


Zbraze , zbraze një pushkë
në derë të oborrit, o Zeqë Shpati !
Le të zgjohen të përgjumurit
strofujve të gjëmimeve shekullore,
Se sot po na shkon Fata e po shuhet kënga e dashurisë
që këndoi plangjeve tona !
Po te shkon Fatë zeza , o bacë
me sy të qëndisur me ngjyrën e kopshteve ,
me buzë posa të skuqura në bukën e misrit të ri….

O, çikë e pate
E jo fëmijë të gjetur buzë rrugëve !
O, e as rroktare jo
Për të punuar nëpër ara

Pse je shurdhuar , bre bacë ?
A s’kallesh në flakën e krahëve të vogëlushes së dashur
Që e fale pa dëshirën e saj ?

Po të shkon Fata me flokë bishtaleca të shelgjishteve
në zbërthim,
me harqe vetullash—dy krahë lejleku në fluturim ,
me bebëza vizëlluse—dy liqene të fshehura
në pishnajë….

O, ae di , Zeq Shpati,
se për ty vetima hapësirën shpon
lumenjtë dalin nga shtrati me zllapa pikëllimi në brigje,
se mordja mbi pullaze zdirgjet dhe lëpin jetën
E pëllumbave
që ajo ushqyer i ka me troha buke në shtigje

Zbraze fjalën si pushkën dikur, o Zeq Shpati
qëllo hallkën e vargonjve të ndryshkur
duarve të vogëlusheve tona
se
S’është kanu gjaku yt të mallkojë !…
usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 3# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Din Mehmeti
(Date Posted:13/10/2012 01:29)

U nda nga jeta poeti Din Mehmeti



Të premten, në Gjakovë, në moshën 81-vjeçare, pushoi së rrahuri zemra e njërit ndër poetët më të mëdhenj bashkëkohës shqiptar, Din Mehmetit. I lindur më 7 maj 1929 në fshatin Gjocaj të komunës së Junikut, Bacë Loku, siç ka qenë i njohur në Gjakovë, për më shumë se 60 vite veprimtari, botoi 18 vepra, ca prej të cilave, lirisht mund të konsiderohen si antologjike. Për një kohë ishte profesor në Shkollën Pedagogjike të Gjakovës. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare “Jeta e re”. Vepra më të njohura janë: “Në krahët e shkrepave” (1961), “Rini diellore” (1966), “Dridhjet e dritës” (1969), “Heshtja e kallur” (1972-1974), “Fanar në furtuna” (1981) “Agu” (1982), “Prapë fillimi” (1996), “Klithmë është emri im” ( Tiranë 2002), “Mos vdis kur vdiset” (2001). Bashkëmoshatari, bashkëveprimtari dhe miku i tij, akademiku Besim Bokshi, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës(ASHAK), duke folur për jetën dhe veprën e Din Mehmetit, ka potencuar se poezia shqipe sot ka humbur shumë. Varrimi i Din Mehmetit, me nderime dhe me pjesëmarrjen e një numri të madh të qytetarëve të Gjakovës dhe të shumë komunave të tjera, u bë të premten në varrezat e qytetit në Gjakovë, ku, në emër të kolegëve krijues, miqve dhe familjarëve, i fundit nga ai u nda Halil Haxhosaj.

2010
usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 4# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Din Mehmeti
(Date Posted:13/10/2012 01:31)

Rrokjet e murosura


Sa thellë paske qënë,
sa poshtë të gjeta,
zanore e shterur nga vdekja
e dashur për t'i mbetur jetës.

Rrokje e murosur në shtegun e dritës
duke bredhur
besnike për t'i mbetur diellt.

çka do të bësh me emrat e zverdhur në ofshamë,
me jehonat e tërbuara në dejt e lodhur,
me ato plagë të dergjura
që s'ke zemër t'ia tregosh ditës,
çka do të bësh,
gjuha ime?

Sa të përtypur të gjeta
nga dhëmbët e sulltanëve dhe mbretërve!...

Elegji për Azem Shkrelin


Mos e zgjoni!
Nuri i tij shndrit

Trupin e ka në të tashmen
Shpirtin në të ardhmen

Është duke përbiruar
Nëpër shkëmboren e mendimit
Për të arritur në anën tjetër të vetes

Rugovasit e mbështollën
Me shalla të bardhë
E vendosën në shpirtin e tyre
Për të jetuar gjithmonë me të

Drita i tha territ:
Nxima shikimin
Mos ta shoh të heshtur

Terri i tha dritës:
Më bëj edhe më të zi

O miku im më i miri mik
Zi zi zi – ajo ditë
Eh eh eh!...

Mos e zgjoni!

Kosovë zog i diellit


1
Je fjalë e ruajtur nga dheu
Që hyn nëpër gjak
E del nëpër diell

Je kraharor i shpuar nga plumbat
Krua i gjetur në palcën e shkëmbit
Të nxirë nga gjuajtjet nëpër kohë

Kosovë lahutë e djegur këngësh
E thirrjesh ndër revolucione

2
Je emër i pakësuar në luftë
Për të mbetur e bukur
Për gjuhën që s’deshi të këputet
Nga rrënjët e legjendës së vjetër

Je stuhi e vringëllimave të shpatave
Tokë e bleruar ndër ëndrra
Tokë e rritur në gjinj
Nëpër vite e shekuj

Kosovë, pushkë e gjatë e zbrazur
Nga rruga e nga pylli

3
E gurë të thyer mbi gurë
...................................... e mur –
Shpend i vrarë në bebëza

E gurë të ngrënë mbi rrashtë
....................................... e duar –
Durim i gjakut në emër

E rrashtë e shpuar mbi gurë
...........................................e flamur
Lumë i zi, lumë i kuq në zemër

4
Je ylli im dhe vdekja ime
Ke zërin e ninullave
Ninullave të kënduara kryengritjeve

Je gjuha ime dhe ashti im
Ke formën e sofrës –
Sofrës së dasmave të kuqe

Je e tashmja dhe e ardhmja ime
Ke syrin prej lulediellit –
Lulediellit të skuqur nga flaka e pushkës
Nga gjaku e djersa

5
Djepi yt më ka rritur
Djepi yt më ka plakur
........................ Rrugët tymojnë

Në prehrin tënd jemi gjetur
Në prehrin tënd kemi mbetur
............................Këngët jehojnë

Kosovë tokë e paepur

6
Pas teje
Shekujt gurë të shpuar breg rrugëve
........................................ëndërrojnë

Pas teje
Dejtë e tharë rreth zemrave
.................................lotojnë

Pas teje
Kullat e verbuara ditëve të përflakura
........................................recitojnë

Pas teje
Tokë e qiell muze eshtrash e dritash
........................................gjakojnë

Pas teje
Fjalët e mia të gurëzuara në shkëmb
..................................... të kërkojnë

7
Të kërkoj ndër libra
E të gjej në gjuhë –

Rrethatore e ngrirë e brezit

Të kërkoj nëpër dete
E të gjej në shkëmb

Fanar i dritës dhe i gjakut

Të kërkoj ndër varre
E të gjej në tufat e kallinjve
Si mustaqet e rritura të nipave

Kosovë lavër e skuqur e ballit tim

8
Të dua për farën
Që tufoi edhe ndër varre
Edhe mes gishtërinjve
Edhe ndër sy

Të dua për farën
Që s’e kalbi as gjaku
Që s’e mërdheu as acari

Që s’e shteri as thatësia

Të dua për duart
që libra shkruajnë
Për ikjet e kthimet e tua
Nëpër fërfëllaza e të reshura

Të dua për kullat tri herë të kallura
E të ndërtuara sërish nëpër krisma

Të dua për emrin që shkrove
Me majë të briskut nëpër lisa

Për shqiponjat që i qëndise
Shamive të djemve të vetëm
Për ndjekjet rrahjet vdekjet
E Mehmet Dinës
Për yrishet e tij sukave
Për pushkën e tij pa rrip
Për fishekët e tij nëpër xhepa
Të dua për damarët e dritës
Në duart e Din Mehmetit

9
E kullat e djegura të mbikullave –
Lëmsha flake në qiell

E pushkët e heshtura nga pushkët
............................................. për një emër
Për një djep për një qiell –
Recital i gjuhës

Kosovë krismë e gjatë

10
Qëndroj para teje me një pushkë
E me një laps –
Porosia jote më kall
Fryma jote më jep zemër jetë më jep

....

11

....

Të dua për këngët e babait
Mbrëmjeve pa dritë
Për lutjet e nënave vetëtimave
Për pranverat që nxore nga gjoksi
Për yjet diejt tokës së pëlleshme
Të dua për duart që ngrenë ura
Që lidhin në mes veti popujt
Për ato që ndërtojnë shkolla në fshat

Kosovë shqiponjë valltare shkëmbinjsh
Dhe fushash të bleruara

Të dua për një kështjellë eshtrash
Për një shpatë
Për një emër
Për gjithçka që shihet e preket
Për gjithçka në ëndërr e zhgjëndërr

Të dua kur qeshi kur qaj
Kur ngrihem kur zbres
Kur eçtohem kur kam uri
Kur dashuroj kur çmendem

Kosovë zog i Diellit.....

DIN MEHMETI
(proza)



NE THELLESITE JOSHESE




Valët e liqenit i stolis britma e fëmijëve si kundërvlerë për freskin me të cilën ato përkëdhelin trupat e tyre të njomë. Kalamajtë ia zbukurojnë njëri – tjetrit trupin me pika uji, të cilat hijeshojnë lëkurën e tyre si lule të lagështa dhe të ndritshme. E pranishme është edhe kënga e bilbilave e cila herë pas here pushon, thuajse dorëzohet dhe humb betejën që ua ka shpallur qeshjeve dhe britmave lazdrane. Atje larg, një barkë e vogël e cila ka ngarkuar diellin me vete dhe zvarrit rrezet e tij duke i derdhur mbi valët e kaltra si toptha kristali. "Shihni barkën që bart diellin!" – bërtet një vogëlushe bionde. "Ajo nuk bart diellin, por zvarrit rrezet e tij!" – e korrigjon mocaniku i saj dhe merr qëndrimin e burrit i cili nuk lejon fjala t’i bëhet dy. "Mirë de, ajo i bie njësoj!" – tërhiqet vogëlushja ashtu si i ka hije zonjës e cila mund të prek të paprekshmen – sedrën burrërore. Po, dielli pas një kohe u ngjit edhe më lart në qiell, u lodh nga ai lundrim i ngadalshëm në barkën e ngushtë dhe shtoi buzëqeshjen.
Zogjtë këndojnë pandërprerë. Ndalen vetëm sa të hanë mëngjesin e rëndomtë; ndonjë mizë të pakujdesshme në fluturim e sipër e cila, pa ia varur veshin rrezikut që i kanoset dhe joshur nga lartësitë, ishte nisur t’i shohë rrezet e diellit nga më afër. Edhe fëmijët nuk lëshojnë pe; të ledhatuar nga valët e liqenit me mjeshtëri u ikin duarve të nënave dhe qortimeve të prindërve që të kenë kujdes nga thellësitë e errëta.
Përnjëherë këngët e bilbilave e gulçoi britma e një nëne. Ajo jehonte e dhembshme, shtangu qeshjen e lazdranëve të vegjël, frenoi fuqishëm gëzimin e tyre dhe i la të shtangur buzë liqenit.
Gruaja që dëneste buzë liqenit ishte nëna e trimit i cili, i joshur nga freskia dhe thellësitë, kishte vendosur të kridhet deri në fundin e errësisë më të dendur ku rrezet e pakta që depërtojnë i ngjajnë kristalit të copëtuar, xixave që të shkaktojnë marramendje dhe të ndalojnë frymëmarrjen. Pas një kohe, koka e tij e pashpirt u paraqit mbi syprinën e ujit si lule e porsaçelur. Buzëqeshja e tij në fytyrën e shtangur fshehte tërë bukurinë që i kishte parë atje poshtë, aty ko frikoheshin të depërtojnë edhe rrezet e diellit sepse terri i thërrmonte në xixa. Buzëqeshja e tij mori me vete tërë qeshjet e lazdranëve të tjerë që me frikë shikonin trupin e shtangur të atij trimi që pati guxim t’i ndërprejë të gjitha lojërat fëmijërore vetëm që të kënaqet duke soditur lojën që zhvillonin në fund të liqenit terri dhe drita. Sytë e tij të mbyllur shprehnin pamundësinë që ajo lojë të shpjegohet. Dhe e çuan rrugës së qytetit të shoqëruar nga kuja e nënës së tij.
Të gjithë ia lëshonin rrugën sepse ia ishte udhëtimi i fundit i një engjëlli të cilin e shoqëronin fluturat e tejdukshme me flatra të kristalta.
Po, bukuria ende kishte që të tri rrathët e veta të mëparshme; qiellin nëpër të cilin diell nuk ndalte udhëtimin, harkun e largët të liqenit ku kaltërsia e tij derdhej në kaltërsinë qiellore dhe degët e plepave të lartë të mbushur me këngën e bilbilave. Por asaj tani askush nuk i gëzohej e as që e vërente; e mbuloi pëlhura e tejdukshme e vdekjes dhe kukama e një nëne.




TANUSHA




Ajo nuk ishte Tanusha e këngëve popullore, por vashë e vërtetë. Ndoshta edhe më e bukur se ajo e këngëve popullore, sepse ishte e pranishme, hapëronte pranë nesh dhe nuk kishte nevojë t’ia trillonim bukurinë. Erdhi në lagjen tonë si freski mpirëse, si lule në lule, si ëndërr në ëndërr, bukuri që zbukuronte të bukurën. Erdhi dhe na bëri të gjithëve t’i harronim vashat me të cilat me vite kishim thurur kështjellat e kënaqësisë e dashurisë sonë. Prishi foletë e dashurisë rinore me kujdes të thurura. Përnjëherë na bëri me dije se as bukuria e as kënaqësitë kanë fund. Se ne ishim si peshq të cilët as në detin e bukurisë e sa në atë të dashurisë nuk ishin zhytur në thellësitë marramendëse. Ajo na detyroi të pyesnim veten se si kishim mundur t’i dashuronim vashat që donim, si kishim qenë aq të verbër të mos i hetonim të gjitha ata të meta që kishin krahasuar me ecjen e saj, me lëvizjen e shtatit, me ngritjen e duarve që t’i rregullojë flokët..., me rrezatimin magjepsës që na la pa gjumë dhe ua ndryshoi drejtimin ëndrrave tona. Të gjithë ne e dashuronim ndërsa ajo e gjora ishte vetëm një. Në kënd të dashurohej kur ne të gjithë njësoj gjunjëzoheshim dhe ishim në gjendje t’i premtojmë se hëna do ta ndriçonte dhomën tonë të dhëndërisë e jo poçi elektrik vetëm nëse ajo pranonte të bëhej nusja jonë. Dhe nuk ishte premtim i kotë; Tanusha do të ishte hëna që duhej të shndriste dhomën e dhëndërisë.
Sa dashuri shumëvjeçare shkatërroi Tanusha, sa vasha e mallkonin dhe sa djem i dorëzoheshin gjumit dhe zgjoheshin duke përmendur emrin e saj. Tanusha mori përmasat e lutjes së dashurisë, dashuri që na e shuante etjen njësoj si gota e parë e freskisë së mëngjesit pranveror. Ajo ishte lulja nga e cila mblidhnin propolisin shërues bletët e dashurisë dhe shëronin varret tona djaloshare.
Tanushë, moj Tanushë, t’u thefshin ato këmbë që të mundësojnë të ecish si hyjneshë dhe që na i shkatërrove foletë vështirë të ndërtuara të dashurisë! - mallkonin vashat e lëna pas dore nga dashnorët e vet.
Tanushë, moj Tanushë, pse nuk pranon të të më bëhesh lule në shpirt që do të kundërmojë këndshëm nëpër dhomat e qenies sime rinore?, klithnin djemtë.
Vallë kishte ndonjë djalë që nuk ëndërronte Tanushën ta ketë në shtrat? Vallë ekzistonte mashkull që do t’i kishte thënë jo Tanushës sikur ajo t’i kishte propozuar takim?
Ku është nisur Tanusha? Kush e ka lënduar zemrën e saj? - Pyesnin djelmoshat e lagjes sime njëri tjetrin kur e panë Tanushën me valixhet në dorë si largohej drejt stacionit hekurudhor duke dënesur. I bekuar qofsh o Zot që na shpëtove prej saj, murmurisnin vashat duke e shikuar me bisht të syrit.
Unë qëndroja ulur në këndin e rrugës që çonte drejt stacionit hekurudhor. Dënesja në vete. Askush nuk e dinte pse asaj dite qanim unë e Tanusha. Një natë më parë ajo më pyeti se a e dua. Më tha se më dashuronte për së tepërmi. Iu përgjigja se fare nuk mendoj në të, se as që e vërej kur kalon rrugës. Ç’ka nuk i thash, dhe ç’ka nuk gënjeva me qëllim që sa më shumë ta ofendoja dhe ta shuaja zjarrin e dashurisë së saj ndaj meje. Më hutuan fjalët e saj, nuk dija çka të bëjë me tërë atë bukuri verbuese të cilën ajo posedonte. Thjeshtë, bukuria e saj ishte trishtuese, mallkimi më i madh që bartte Tanusha me vete.

Krismë është emri im

Dyzet vjet kam bredhur nëpër Rrafshin e Dukagjinit
Me tupan të plakur mbas shpine,
Prej dasmës në dasmë,
Prej lindjes në lindje,
Duke i madhuar kullat në jehonat e rroshkura,
Duke ngritur zërin e këtij trualli
Mbi re sterrë,
Unë tupanxhiu i djegur.

Hej - krismë është emri im,
Krismë është jeta e vdekja ime.


2
Mos t’u vijë çudi
Që në shumë vende më ka plasur balli
Si gjollës së rjepur në verë
Se kam qenë endacak i pritjeve të ditëve të mëdha
Dhe i përcjelljeve të kohërave të vdekura.


3
Të gjithë këmbësorët e agimeve të djegura
E njohin veten në sytë e mi –
Në damarët e ndrydhur të tupanit tim
Plot ëndrra të idhta të kësaj toke:

-I-
Më kujtohet fare mirë një kohë e hekurt
Kur erdhën një ordi kalorësish të dalë bese
Dhe u ngulën në oborret tona të nemura
Si gurët e varreve.

Erdhën me sy plot urrejtje
Dhe vranë rrugët,
Dhe vranë dritaret plot ëndrra
Dhe në maje të thikave të ndryshkura vunë zogjët e kullave
Zogjtë që shkruanin me sqeptha emrin e oxhaqeve tona

Larg diku mbi re të nxira.

Erdhën...
Shkabën e vdekjeve e vunë
Mbi varret e dërmitura të gjyshërve,
Mbi sofra
Dhe me pikla plumbi shkruan emrin e tyre
Buzë djepave të foshnjave të zverdhura.

Prej asaj dite, hej
Ka mbetur të përplaset një gjëmë nëpër logjet e erërave
Një lemeritje që copëton qiellin
Me fjalët e vdekura.

-II-
Dikush në mes nesh e ngriti gishtin gjer te flaka
Gjer te lartësitë e mospërkuljes –
Shpata e parë ia preu krahun e qëndresës.

Dikush prej nesh e ngriti gjuhën gjer te hiri,
Gjer te fjala e pathënë –
Shpata e dytë ia këputi rrezet e dashura të tokës.

Dhe këngëtari ynë
Mbet të llomotisë për kulmet e errëta,
Për majet e kuqe,
Për kulmet e tymit të dalë nga shpirtrat e vuajtura
Dhe zogjve s’u kishte mbetur tjetër
Veç të cicërojnë në kremtimet e gënjyera të gjakut,
Të ngrenë lart në kreni veten e përbuzur,
Veten e tyre të harruar nga vetja
Diku në shtyllën e një flamuri të djegur
Pushonte kobi.

-III-
E fërkoi syrin e djathtë,
Syrin e terur në një re,
Dhe vërejti oxhaqet e shtëpive
Kah ngrenin në qiell tymin
E shpirtrave tona:

Erdhën me akuj në buzë
Erdhën me hekur ndër zemra.

Hynë me frikën në duar
Dhe pështynë një skelet të gjallë,
Aty ku i binte ai kavallit,
Aty ku u tregonte përralla nipërve të hutuar.

Atë skelet të mbetur në fërfllazë
E lidhën në këmbë e duar
Dhe ballin e vrarë lie ia shëmtuan
Duke kënduar këngë të vjetra gjaku
Në të cilat shembej çdo gjë që kishte krijuar.

Erdhën...
Tërë natën kalëruan nëpër qilerë e ahure
E rrëmihën gjer në ujë,
Gjer te fundi i jetës në rrëmujë.

Diku poshtë u gjetën do teneqe të ndryshkura
Diku poshtë u gjetën do eshtra të thyer
Diku poshtë u gjetën dorëzat e kalbura të lahutave
Dhe do fjalë të përgjakura
Në të cilat ishin thyer dhëmbët e shekujve.
U ndalën e heshtën si vdekja
Ndërsa jashtë vajtonte era...

-IV-
E ngre kokën nga qielli i mrrolur
Rigonte:


Kënga e parë
Nëse doni të dini si e qet tufën bima ndër ara
Vëreni rrudhat e mia si lavra të erërave
Se kjo është toka e tyre e thyer nëpër mote të egra

Nëse doni të dini se cila është dashuria ime
Le të flasë kulla e shpuar
Le të flasë toka e stolisur me varre
Sepse nëpër të çarat e thella një zë ka jehuar:

Për gjuhë,
Për tokë,
Për nderë,

Na kurrë s’jemi ngopur nga vdekjet...


Kënga e dytë
Rrënoni bjeshkët e nemura, rrënoni
Jeta le të shqymbet në vatrat pesëherë të kallura,
Ujë le të dalë aty ku janë shtruar sofrat,
Bollat le të zvarrisen aty ku janë ndezur zjarret,
Mordet le të pushojnë aty ku janë përkundur djepat,

Se dikush e paska plagosur diellin...

-V-
Te Ura e krahëve të djegur
U tërbuan kërramzat e shpirtit.

Te Ura e krahëve të sosur
Të nesërmen e madhe u gjet
Një grumbull skeletesh të përdredhura
Dhe do copëza të harruara të natës
Që shitojnë rrezet e para tëë agimit
Aty zogjtë prore thurin elegjinë e blerimit...

-VI-
E gjuajti duqin e cigares në ujë
Dhe fshani –
Mbi fshat fshihej terri:

Merre tupanin – më pat thënë baba
E dil në kodër të fshatit,
Në kodrën e bjerrjeve
Dhe qëndresave tona.
Rrahe me thupër e mësukë
Gjersa fryma e fundit të ngrihet
Në ballin e tij plot rrudha.

Dil e rrahe e stër-rrahe
Që të mund t’i ngrohësh zemrat e këputura
Të trojeve.
Dil e mbaje fjalën në krisma
Dhe mbaje qiellin
Që të mos rrënohet në kokat tona.


4
Kam thirrur
Gjersa ka pikëluar breshër nga qielli
Kam kërkuar zjarr nga Bjeshkët e Nemuna,
Ato janë kthyer në ujë
Kam kërkuar ujë nga fushat e thata
Ato janë kthyer në zjarr –
Fjala ime fillim e mbarim e kallur.

-VII-
Vetima shtatëkrerëshe shkruante emrin e asaj nate:
Dhe mbrapa mbetnin gjëmimet e shterura të një kohe:

Zëri i parë:

Mbyllni dyert sonte, jehoi një zë i shterur,
Se po vjen një stuhi me vdekje në duar.
Hyni nëpër kullat e hutuara
Dhe vëreni nëpër dritaret e kohës
Se çka po ndodh me ne sonte!...

Zëri i dytë:
Një re sterrë e ka syrgjynosur diellin
Që të fiket fisi ynë i mallkuar
Dhe kurrkush nuk do të dijë nesër
Se këtu janë kënduar këngë për lirinë e dashur,
Për fitoret që janë nxjerrë nga gjaku.

Zëri i tretë:
Më mirë po largohemi nga ky vend i nemur
Nga hupanat e rrugëve të shpuara
Nga ushtarët e pluhrosur rrugëve të gënjyera.
Po ikim më mirë
Le të mbetet mbrapa këmbësorja jonë e kuqe
Se nuk do të kemi vend as ndër varre.

Zëri i katërt:
Po mbytemi në ujë
Pse veten po e vrasim si gjithmonë
Që të mbetemi gjakhumbur
Që të lulëzojnë ferrat nëpër gjurmat tona

Zëri i pestë:
Jo, jo – shkreh një zë i fortë në log,
Këtu do të rrimë
Si gjyshërit tanë më parë
Ku dielli na ka rreshkur fytyrat
Si drithnajat ndër ara,
Ku na kanë bërë në ninulla
Ku nënat na i kanë shkruar sytë tanë
Me puthjet e ngrohta si flaka.

Zëri i gjashtë:
Këtu do të qëndrojmë
Edhe sikur të rrënohet mbi ne murana e qiellit
Se më lehtë është me vdekë ku të njohin,
Ku të përcjellin i madh e i vogël gjer te varri
Ku të përlotin vajtoret për të mirat e bëra,
Ku mbetesh këngë e pashuar
Sesa të kallesh nëpër shtigjet e ngurta të botës

I untë për tokë e varre
Dhe për emrin e shkelur...
usertype:1 tt= 0
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY
LUFFY