User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Andi Meçaj
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Views:219     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:13/10/2012 00:24)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

Andi Meçaj


Andi Meçaj u lind më 6 qershor 1975, në Vlorë. Më 1994 ka mbaruar liceun artistik për pikturë po në Vlorë dhe në këtë vit vendoset në Greqi, Athinë, ku hap një ekspozitë pikture vetiake të vlerësuar nga shtypi vendas.

Botime:
“Puthje ujore”, poezi, 2001.
“Tokë e bekuar”, poezi, 2002.
“Nga letërkëmbimi me një fantazmë”, poezi, 2003.
“Qyteti fle në xhepin tim”, poezi, 2006.
“Një stacion si një valixhe”, poezi 2009.

Është përfshirë në antologjitë poetike:
"Portat e Harresës", Tiranë, Toena 2001, (me shkrimtarët shqiptarë në Greqi, 1990-2001.)
“Antologjia e poetëve të Vlorës”, Triptik 2004.
"Qiejt e Shpirtit", Tiranë, Bota Shqiptare & Meda Dea 2006, (me shkrimtarët shqiptarë në Greqi, 1990-2006.)
dhe në antologjitë e tregimit:
"Shtëpia mbi rrota", Tiranë, Toena 2001, (me shkrimtarët shqiptarë në Greqi, 1990-2001.)
"Maska e Ditës", Tiranë, Bota Shqiptare & Meda Dea 2006, (me shkrimtarët shqiptarë në Greqi, 1990-2006.)
“Antologjia me tregime të zgjedhura të autorëve vlonjatë”, Botimet Europrint 2006.

Në vitin 2008 është përfshirë në kapitullin e tekstit universitar për poezinë moderne të pasviteve '90-të, me autor Prof. as. Roland Zisi.
Boton rregullisht në shtypin shqiptar dhe atë të Diasporës.
usertype:1
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 1# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Andi Meçaj
(Date Posted:13/10/2012 00:25)

Poezi të zgedhura nga libri: "QYTETI FLË NË XHEPIN TIM"


KU VETE KËSHTU


Ku vete kështu,
mes ngatërresash kaq e sigurtë
dhe ikën, ikën si ditë nga kafazi i natës,
për të hedhur vellon në krahët e virgjërisë sonë,
duke pirë qiellin në kupë çaji,
rrugicën tonë në çantën e tualetit e fut,
pasqyrë të vogël, e vogël por e lumtur për ne,
për grimcat e rërës që rrëshqasin duarve
si kujtimet,

gjurmët e limonave mbinë të kaltër,
karafili dhe shega mbi buzët e tua puthen.

Ti erë, ku vete kështu?!

GJETHE QË SHKRIHET

Gjethe që shkrihet në gushë
qeshja jote,
sytë qiellorë të vështrojnë,
dhe ndihesh i varfër në vetminë tënde,
instrument i çakorduar,
zemër,
një zemër e bardhë,
ku fjalëve u vjen të vdesin.

Gjethe që shkrihet në gushë!?

ROMANCË

Jam kthyer përsëri, përsëri nuk dihet se ku shkova,
një tjetër që rrobat dhe hapat e mia kishte veshur,
si zakonisht në ora tetë mbërriti. Të hapur e gjeti derën,
zemrën e gruas si zakonisht të mbyllur.
Të parën shqelmoi veten, pastaj muret,
dritaret nga frika shkundën xhamat dhe shkoi të shtrihej
nën zhurmën e ëndrrave, që vetë urdhëroi,
të flinin.

PËRGJIM

Shtëpia rënkon nën kornizat varur mureve
dhe ti një ditë do të mbyllesh atje, muret përsëri
do të ankohen, ti, jo, nuk ke kujt t’i bërtasësh,
fjalën e tyre të fundit dyert e thanë,
të trokiturat ndalohen me ligj,
tashmë ka humbur fletankesa jote,

dhe trupi rebelohet, duart thyejnë kornizat,
këmbët shqelmojnë dyert, mishi trokitjet rikujton,
muret rënkojnë, përsëri rënkojnë muret, nuk ka më korniza,
vetëm sy nëpër dritare.

NINULLË

Ai iku, mbylli derën,
jo, dera e mbylli atë.
Rruga me shami në duar, (duke e tundur),
e përcolli gjer tek deti,
jo, shamia me rrugën në duar, (duke e tundur),
e përcolli gjer tek deti.
Deti me pulëbardhat e zeza dhe
kapelen e kuqe, e futi në anije,
jo, pulëbardhat e zeza dhe kapelja e kuqe
me detin, e futën në anije.

Anija u përkund,
u përkundën dhe duart e nënës.

VOGËLUSHI DHE DETI

Ecën duke u lëkundur,
nga hapat që qeshin lëkundet toka.
Putrën zgjat qenushi pullali,
me gjuhën e gjatë, të kuqe.
Detin godasin,
guralecët në duart e vogla.

Tre marinarë kërcejnë nga deti
dhe tre anije me lodra në duar.

FJALËT VDESIN NATËN

Dëgjoji fjalët e erës,
mbirë mes gjethesh,
statuja peisazhesh drithëruese.
Është ora e dritareve të çelen,
gonxhe dritash dhe hijesh.
Të vjen t’i shtrihesh barit të gjelbër,
lagur fjalë që natën vdesin.

SHTËPIA


Kam hapur krahët,
sigurisht duhet të përqafoj dikë,
ndoshta shtëpinë e viteve që ikin sëprapthi,
ndoshta shiun që do t’u rikthehet réve,
apo atë qenin e zi të zotit Andon,
kur flet në tre gjuhë të huaja kafshësh.
Zgjas krahët, i hap, i hap, i hap,
përqafoj shtëpinë, e shkul dhe rrënjët
ia hedh.

Mbi dhé
bien lodra, lodra, lodra
dhe koka ëndrrash të prera
mbi dhé.

PIKTURË SUREALISTE

Anës rrugëve do të gjesh sy
varur nëpër pemë, frutat i hëngri toka
duke na goditur me farat e tyre.

Do të gjesh njerëz të mbirë fushave,
lulëkuqet i hëngri toka
duke na konturuar me të kuqen e tyre.

Anës rrugëve do të gjesh sy të pjekur,
të kuq, që u rëndohen pemëve.

FRIKA QË BËN PËR TË QESHUR

E vesha krahëve
këtë ngjarje të vrarë,
jo se kam ftohtë,
por tështij
dhe nëse tështij,
nxjerr ndodhira
me arinj dhe njerëz,
dhelpra dhe jashtokësorë,
domethënë kam frikë,
frika të bën për të qeshur,
unë qaj,
dhe iki me kokën në duar,
ta nxjerr shëtitje.

Ç’DHËMBË TË TMERRSHËM

Duke parë një buburezë të balsamosur
në dritare, loti qau, bashkë me të unë.

E di, një ditë do të kthehet, ushtria
milionëshe do të shqyejë mishin.

Ndërsa ne mbas dritareve do të mërmërisim
“Ç’dhëmbë të tmerrshëm paskan buburezat?”

PLAKU LODËR

Çapon, godet bastunin
në rrugën drejt kishës,
troket orët e tij të mbetura,
asfaltin e zi që hap derën,
nga del e bukura e dheut
shndërruar në flutur,
krahët e ylbertë përplas,
në flokët e tij shekullorë vendos,
të jetojë dhe të vdesë.
Dora kurdis zemrekun,
ecën dy hapa, ndalon,
rikurdiset, vazhdon.
Nga qoshja del fëmija kaçurrel,
me sytë e dielltë,
duke bërtitur, duke ulëritur
nga gëzimi për plakun lodër,
për këtë gjigand të rrudhur,
me tesha të ngrëna kohëve,
me këtë bastun që ka hedhur
rrënjë në shpirt.

Kujdes biri im,
ka nevojë për shumë dashuri
dhe pak kurdisje.

KUR BIE SHI

Bie shi në oborr dhe në
shpirtin tim, nuk kam ombrellë,
strehë nuk kam, vetëm një qiell
dhe katër mure që ma rrethojnë
qenien, duke u vyshkur,
tkurrur brenda meje.
Macen e zezë e shoh të laget,
tavolinën të gjëmojë si tambur,
mbulesat, fantazma të vallëzojnë,
krevatin të ngrihet, të shkundet si qen,
nga pikturat të dalin njerëzit-hije,
me sytë dhe duart e ndritshme.
Ndërsa erën të shtrihet mbi dysheme,
të lotojë nga dhimbja dhe trishtimi.

ËNDËRR BRENDA FËMIJËS

Dikur ëndërr
brenda fëmijës
ngrija kështjella,
kujtoj pemët
tek i ngjyrosja,
gomën që i fshinte
dhe gishtat kur dhembnin
nga gëzimi i balonës
që era ngrinte,
brenda saj
fusja dhomën,
oborrin me cicërimat,
rrugicat fytyrzverdhura
dhe qytetin gjigand
me njerëzit
milingona.

FEMIJERIA

Përplaset dera, hyn ai,
sytë i ka të verdhë,
duart jeshile,
kokën katrore,
brënda xhepave rri fshehur fëmija,
e nxjerr, i blen akullore,
lodra, të puthura,
rrotullon botën në karuzel,
tregon rrugën ku u rrit,
shtëpinë e vogël me baçen e madhe,
qënin larush tek bredhërinte
dhe gjyshen topolake që rrudhte kohën.
usertype:1 tt= 0
Support us

Create free forum and click the links below and your donations will make a difference here.

www.dinodirect.com

A Huge Online Store for Various Cool Gadgets, Accessories: Laser Pointer, Bluetooth Headset, Cell Phone Jammer, MP3 Players, Spy Cameras, Soccer Jersey, Window Curtains, MP4 Player, E Cigarette, Wedding Dresses, Hearing Aids, eBook Reader, Tattoo Machines, LED Light Bulbs, Bluetooth Stereo Headset, Holiday Gifts, Security Camera and Games Accessories and Hobby Gadgets.  
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 2# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Andi Meçaj
(Date Posted:13/10/2012 00:26)

Andi Meçaj është thellësisht poet i rrafshit intelektual*



Andi Meçaj u lind në Vlorë më 6 qershor 1975. Në qytetin e lindjes mbaroi liceun artistik për pikturë dhe më vonë emigron në Greqi, ku merret me ekspozita pikture, të cilat janë vlerësuar pozitivisht nga shtypi kulturor grek. A. Meçaj, veç pikturës shkruan edhe shumë poezi. Vëllimin e parë me vjersha të titulluar: “Puthje ujore” e botoi në vitin 2001. Shumë nga poezitë e këtij autori janë përfshirë në antologjinë poetike “Portat e harresës”. Më pas ka botuar librat: “Tokë e bekuar”, poezi, 2002; “Nga letërkëmbimi me një fantazmë”, poezi, 2003 dhe “Qyteti fle në xhepin tim”, poezi, 2006. Këto përmbledhje poetike janë pritur ngrohtë nga kritika letrare dhe lexuesit e shtresave të ndryshme. Andi Meçaj lëvron edhe gjininë e prozës, shkruan tregime të cilat pjesërisht tyre janë botuar në shtypin letrar dhe në antologji të ndryshme. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Megjithëse nuk jeton në Shqipëri, ai është i pranishëm e boton periodikisht në shtypin letrar të Tiranës. Për krijimtarinë e tij dhe vlerat e saj, A. Meçaj është nderuar e është vlerësuar me disa çmime letrare. Boton vazhdimisht edhe në revistën letrare “Admet”.
Në krijimtarinë poetike të A. Meçajt formësohen dhjetëra motive metafizike e universale, si: malli për njeriun e dashur që ndodhet larg, adhurimi për format, emocionet, ngjyrat dhe vlerat e bukura të njeriut e të natyrës, rivlerësimi i kujtimeve dhe sjellja e tyre në jetën e përditshme, me qëllim përditësimin e çasteve të paharruara, meditimi për jetën që shkon dhe atë që vjen pas saj etj. Në poezitë e A. Meçajt, sidomos në ato peizazhiste, shkrihen e kombinohen në një të vetme pëlhura e vargjeve me ngjyrat e pikturës, tonet dhe dritëhijet e ditës apo të natës me metaforat sugjestive, aq karakteristike e të dashura për frymëzimin e tij. Të qënurit larg Atdheut që domethënë larg vatrës familjare, larg fëmijërisë, larg dashurisë, larg detit apo ullinjve, kanë ngjizur tek ky poet kultin e shtëpisë, jo vetëm si objekt banimi, por dhe si institucion shpirtëror, prandaj në poezinë e tij emërtohen vazhdimisht pjesë të saj, si p.sh.: muret, dyert, dritaret, kornizat, xhamat, e të tjera elemente si këto, të cilat krijojnë emocion poetik të fortë, bazal dhe ekzistencial. Kjo “shtëpi poetike” e A. Meçajt asnjëherë nuk është bosh, aty do të jenë gjithmonë të pranishëm herë e dashura e herë nëna, herë një mik apo shok, herë vetë ai, i malluar e i lektisur, herë gruaja e dashur e herë “miq-mikesha” të tillë(a) si era, trishtimi, zbrazëtia, vetmia, heshtja, etj, komponente që e bëjnë poezinë e tij aq të ngrohtë, medituese e tërheqëse. Madje kërkimi i ekzistencës si qënie njerëzore tek këto detaje korrelative të shtëpisë të kuptuar jo vetëm si objekt banimi, është kthyer për këtë poet në një obsesion të përhershëm dhe parakusht artistik. A. Meçaj është thellësisht poet i rrafshit intelektual. Në poetikën e tij ndërthuren shenja të kulturës së tij letrare me ato filozofike, të pikturës, të arteve të aplikuara. Figura letrare më e përdoruar e poetit duket se është metafora, një metaforë e plotësuar me detaje e elemente nga fantazia e tij e pasur, nisur gjithmonë nga një pikë reale, e thjeshtë dhe natyrale. Një nga vëllimet më të bukura dhe që është pritur nxehtësisht nga opinioni letrar është pikërisht libri me poezi “Qyteti Fle Në Xhepin Tim” i botuar në Athinë, në vitin 2006. Meritojnë të veçojmë nga ky vëllim poezitë: “ROMANCË”, “FJALËT QË VDESIN NATËN”, “SHTËPIA”, “KU VETE KËSHTU...”, “GJETHE QË SHKRIHET NË GUSHË”, “KUR BIE SHI”, “MUHAMEDIN”, “PLAKUN LODËR”, “PËRGJIMI”, “NINULLA”, “VOGËLUSHI DHE DETI”, “PIKTURË SURREALISTE”, “FRIKA QË TË BËN PËR TË QESHUR”, etj., të cilat spikasin për figuracion origjinal, për thellësinë e ideve e të mesazheve, si dhe për ngarkesën e lartë emocionale që të krijojnë përgjatë procesit të leximit. Poeti Andi Meçaj, me paraqitjen e deritanishme poetike, premton të realizojë në të ardhmen një profil artistik më të zhvilluar e më të plotësuar, në përputhje me mundësitë e mëdha që sugjeron talenti i tij.

Nga libri “Qyteti Fle Në Xhepin Tim” kemi përzgjedhur vjershën e mëposhtëme:

NINULLË*

Ai iku, mbylli derën,
jo, dera e mbylli atë.
Rruga me shami në duar, (duke e tundur),
e përcolli gjer tek deti,
jo, shamia me rrugën në duar, (duke e tundur),
e përcolli gjer tek deti.
Deti me pulëbardhat e zeza dhe
kapelen e kuqe, e futi në anije,
jo, pulëbardhat e zeza dhe kapelja e kuqe
me detin, e futën në anije.

Anija u përkund,
u përkundën dhe duart e nënës.


---------------------------------------------------------------------------
*Në origjinal është pa titull (A.M.).
**Meçaj A. “QYTETI FLE NË XHEPIN TIM”, poezi, Athinë, 2006.


Roland Zisi
Letërsi Bashkëkohore Shqipe – Poezia.
Shtëpia Botuese e Librit Universitar – Tiranë, 2008.
Miratuar nga departamenti i gjuhës dhe letërsisë shqipe
më datë 30. 05. 2008.
usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 3# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Andi Meçaj
(Date Posted:13/10/2012 00:26)

Kritike
MENDIME RRETH LIBRIT POETIK “PUTHJE UJORE” TË ANDI MEÇAJT
nga ROMEO ÇOLLAKU




Në tre nga vargjet e librit të tij të parë, Andi Meçaj thotë: “Dua të vij / aromën tënde / të përkëdhel”. Kjo është poezi. Poqese do kishte thënë: “Dua të vij / flokun tënd të përkëdhel”, nuk do kishim të bënim me poezi, por me pëshpërima telefonike apo epistolare mes dy të dashuruarish. Ja pra sesi shpërfillet, në poezinë tonë të re, logjika prozaike e jetës së përditshme, për t'i lënë vendin elementit poetik, i cili ka logjikën e vet, një logjikë kjo, vërtet, e ndërlikuar, por, nga ana tjetër, nuk i bëhet dhe ndryshe. Edhe tek poezia e Meçajt pikasen një sërë tiparesh nga ata që e bëjnë poezinë tonë të re të dallojë së tepërmi nga e mëparshmja. Vargjet e këtij poeti aplikohen në sajë të një gjuhe të pasur, e cila mbërrin dikur në neologjizma të njëpasnjëshme, neologjizma këto që, me siguri, i lind këmbëngulja për të mënjanuar barbarizmat e tmerrshme, me prejardhje lindore e perëndimore, që e kanë mbuluar nga të gjitha anët pasurinë më të madhe kombëtare që na është dhuruar, gjuhën. Për sa i përket formës, mendoj se vargu i lirë i Meçajt rrjedh natyrshëm dhe, për të mos u shndërruar në prozë, ai përmban një ritëm e harmoni të admirueshme. Gjithashtu, Andi Meçaj duket sikur është në gjendje ta përdorë dobishëm peshoren e lëndës që duhet të përdorë çdo poet: ndjenja dhe mendimi, në poezinë e tij, gëzojnë barazpeshën e nevojshme, gjë që e bën ligjërimin të mos anohet, të mos shfaqë shenja rrëzimi. Poezia e Andi Meçajt, në pjesën më të madhe të saj, është një poezi imazhesh, gjë që e bën të ngjasojë njëfarësoj e vështirë dhe, për rrjedhojë, të lypë një edukatë të stërvitur leximesh. Nëse do na lejohej të flisnim për motive, ai që hasim më dendur në poezinë e Meçajt është, padyshim, një motiv i përkorë erotik që ftillohet me manierat e së ashtuquajturës poezi e kulluar. Si mbyllje, për këtë poet, do thoshja se një tjetër tipar që e afron me disa nga zërat më përfaqësues të brezit të tij, është përkushtimi ndaj shqipërimeve.
usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 4# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Andi Meçaj
(Date Posted:13/10/2012 00:27)

kritike

nga Faruk Myrtaj



ANDI MEÇAJ E KA SHKRUAR “PËRGJIMIN” SIKUR TË KËNDONTE “MAMMY BLUE”


Në librin me poezi "Qyteti Fle Në Xhepin Tim", të Andi Meçajt*, botuar në Athinë 2006, është edhe poezia:

PËRGJIM

Shtëpia rënkon nën kornizat varur mureve
dhe ti një ditë do të mbyllesh atje, muret përsëri
do të ankohen, ti, jo, nuk ke kujt t’i bërtasësh,
fjalën e tyre të fundit dyert e thanë,
të trokiturat ndalohen me ligj,
tashmë ka humbur fletankesa jote,

dhe trupi rebelohet, duart thyejnë kornizat,
këmbët shqelmojnë dyert, mishi trokitjet rikujton,
muret rënkojnë, përsëri rënkojnë muret, nuk ka më korniza,
vetëm sy nëpër dritare.


I jam rikthyer shpesh krijimtarisë së Andit. Jo veç si “shpresë e pohuar”, por edhe si pashmangshmëri e Hiqmet Meçajt. Prishin punë Etërit, ndonjëherë, por më shumë ndreqin! Raporti jo i kollajshëm më kujton Anil Frashërin, djalin e aktorit të madh Naim Frashëri (aktorit). Ia kujtonin babanë, vend e pa vend, ia kthyen në makth: “Naimi është Naim, e kështu ka për të qenë”, “babai Yt ishte tjetër Ai, aha...!”, “Nuk bëhemi dot si Ai ne, as ti...”! Po lexoja “Përgjim-in” sot dhe (a thua intuitivisht) klikova në google për “Mammy Blue”. Thjesht si emigrant me nënën larg, pafundësisht larg... Aq larg sa mund të përkufizosh ndryshe ekzistencën fizike... Për disa minuta dhe disa minuta të tjera, sërish edhe disa minuta, dëgjova këtë këngë prej Demmis Roussos, pastaj në interpretimin e grupit spanjoll Pop Tops, pastaj Ricky Shayne, Bernd Cluver, prej Dalida dhe Nicoletta, prej Julio Iglesias, më pastaj të Celine Dion, interpretim i hershëm i saj, Roger Whittaker, Brother Louie group, Franck Pourcel, Juan Torres, Ian Lloyd dhe s’ndenja dot pa iu kthyer Demmis Roussos që i ngrè himn tokës greke, mesdhetare, diellit dhe dashurisë aty!

Oh Mammy, oh Mammy Mammy Blue
Oh Mammy Blue
.............
I may be your forgotten son
Who Wandered off at twenty-one
It's sad to find myself at home
Without you
If I could only hold your hand
And say I'm sorry, yes I am
I'm sure you'll really understand
Oh Mammy...
...............
...........


Po e lexoja poezinë e Andit si gjendje-afërt me Mammy Blue?!
Në të gjitha gjuhët, në të gjitha zërat, “shtëpia e ndjenjës rënkon nën kornizat varur mureve të zemrës” perifrazojmë poezinë. Në të gjitha kohët, në të gjitha moshët, në të gjitha poemat dhe në secilin prej vargjeve, prej të gjithë lexuesve, prej njerëzve, të gjithë të vdekshëm, të shndërrueshëm në blue... Në përgjim të qenies njerëzore brenda vetes, brenda shtëpisë, brenda e jashtë atdheut, si i bëhet paracaktimit që Njeriu “një ditë do të mbyllet atje, në njërën nga kornizat” dhe Jeta, ajo që e ke lindur Ti? Ti, Mammy që (si mund të) bëhesh Blue, Ti Mëkëmbësja e Zotit në Tokë, Ti Krijuesja që kurrë nuk e ke ngritur zërin për tu lëvduar si e tillë... si mund të pranojmë kornizash? Nëse jeta mbetet pas, është thjesht provë e dëshmi jotja, por pa Ty...E këngës, pavarësisht këngëtarëve, gjuhëve, ndjenja që prej së gjalli ka siguruar përjetësinë dhe që së vdekuri bëhet qenie e të gjallit... Muret, si gjithë gjërat e palëvizshme, ankohen për fatin e tyre, e përcjellin mërinë në përplasjet e dyerve që mbyllen e hapen, prej trokitjeve të të panjohurve dhe hyrjes pa trokitur të Njerëzve të Shtëpisë. Këta mbeten without You, më dhimbshëm se You without them. Ndjehen kështu. I shohim kështu. E dinë ligjin e jetës, e dinë që “të trokiturat në Botën Andej ndalohen me ligj”, madje eh, bëjnë gjithçka që të qetësojnë merakun e Mammy të ngjyruar në Blue, në të gjithë zërat, në të gjitha figurat letrare, përjetësisht të lidhura me lindjen, me Nënën... “Rebelohet”, aq më shumë kur ka joshur veten në kahen e krijuesit, muret e zemrës që gjithnjë ashtu kanë rrahur për të Dërguarën e Posaçme të Zotit për Të, rënkojnë duke këngëzuar fjalësh, rimash, “s’ka korniza” dhe lotët me se s’bën duhen ndaluar me ligj, si gjithë gjërat që përbëjnë Lirinë e njeriut!
Andi Meçaj e ka shkruar “Përgjimin” sikur të këndonte “Mammy Blue”. Them kështu për gjendjen. Së paku siç e lexova sonte.

E premte, 11 prill 2008, Toronto, Kanada.

----------------------------------------------------------------
*Andi Meçaj u lind në Vlorë më 6.06.1975. Aty mbaroi liceun artistik për pikturë. Në Greqi, një ekspozitë pikture vetjake, iu vlerësua nga shtypi vendas. Në vitin 2001 boton librin poetik “PUTHJE UJORE”. Më pas boton: “Tokë e bekuar”, poezi, 2002, “Nga letërkëmbimi me një fantazmë”, poezi, 2003; “Qyteti fle në xhepin tim”, poezi, 2006. Është përfshirë në disa antologji dhe përmbledhje dhe është vlerësuar me disa çmime letrare.





Nga ARIAN LEKA




MBI LIBRIN POETIK TE ANDI MEÇAJT: “QYTETI FLE NE XHEPIN TIM”, ATHINE 2006




I dashur Andi, po të shkruaj edhe një herë për poezitë e tua dhe po të risjell sërish ato që shkruajta mbrëmë natën, paçka se siç thotë edhe Herakliti nuk mund të pijmë dy herë ujë në të njëjtin lumë. Por sot, kur më erdhën edhe fotot e pikturave të tua, më vjen mirë që kam përdorur edhe fjalën sy edhe fjalën figuracion surrealist edhe pamje dhe vargje të kompresuara, të ngjeshura në një pamje.
Urime, miku im se vërtet më dhe kënaqësi me poezitë për të më hequr etjen se si shkruaje ti. Ajo që më pëlqen mënjanë është natyralizimi yt i plotë me tekstin poetik, aty nuk ka fraza as kërkime figurash që të çmendin me befasinë e kërkuar për të të habitur. Aty ka natyrshmëri dhe kjo, sipas meje vjen nga ambientimi me atë çka është e jotja dhe që nuk e ke vështirë ta thuash. Ke vënë re, se për shumë njerëz është mjaft e vështirë të bëjnë një rreth, ndërkohë që për rrethin mendojnë se është forma më e thjeshtë në botë. Ti këtë ke bërë me këto poezi. Pikasoja thoshte unë nuk kërkoj, unë gjej dhe më duket se ti e ke gjetur në këto poezi atë që ke dashur të shprehësh. Më shumë se çdo shqisë tjetër poezia jote ka sy, një sy që të ndjek, të tregon si i sheh pamjet dhe të fton të shohësh pamje të tjera, herë ireale, herë surreale, herë gjysmëkubiste e herë të ngjeshura, pa ajër, që të marrin shpirtin dhe frymën nga ajo që ofrojnë. Veçmas më pëlqyen forma dhe befasia e “KU VETE KESHTU...”, “GJETHE QE SHKRIHET NE GUSHE”, “ROMANCE” (romancë më të paqetë nuk kam mundur të lexoj) “PERGJIMI” me sytë nëpër dritare..., “NINULLA” veçmas fare (por këtë dhe të tjerat, “MOHAMEDIN”, “PLAKUN LODER”... Të kam shkruar kur m'i nise fillimisht), “VOGËLUSHI DHE DETI” me anijet që dhurojnë lodra..., “FJALET QE VDESIN NATEN”, “SHTEPIA”... (sa e pranishme kjo temë tek ti, me të gjitha elementet e saj, mure, dritare, lloj lloj rrugësh, korniza dhe paksa det diku në cep) pikturë surrealiste, “FRIKA QE TE BEN PER TE QESHUR” me atë ikje balade me kokë ndër duar, horrorin prej buburezave si thyerje të tipologjisë dhe estetikës së tyre... “KUR BIE SHI”... Me aq detaje si nje film neorealist.
Nuk kam fjalë tjetër veç urimeve për ty.

4 gusht, 2006
usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 5# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Andi Meçaj
(Date Posted:13/10/2012 00:28)

Poezia-SHTEPIA e Andi Meçajt, reciton Gentian Banaj - TV APOLLON


Me këtë rast dua të falënderoj fort mikun dhe poetin tim të mirë Gentin, për punën e palodhur, këmbëngulese dhe tepër pasionante për promovimin e poezisë cilësore së sotme shqipe.

FALEMINDERIT!

Poezia: SHTEPIA e Andi Meçaj-t: Punoi dhe reciton Gentjan Banaj, në emisionin "Poeticum, TV Apollon, Fier 2011.



usertype:1 tt= 0
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 6# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Andi Meçaj
(Date Posted:13/10/2012 00:29)

QYTETI

Dalin tre zonjusha
nga toka,
tre fantazma
zbresin nën det,
kafshët
njollosen gjak,
bërtasin
me zëra fëmijësh,
thikat
kullojnë duar,
bien erë parfum,
parfum
veshur peliçe,
dhe zëra
foshnjash
që ulurijnë
bukur.

E TRISHTE

Shkallët ngjiten,
njerëzit zbresin,
ré i hipin
ashensorit të parajsës.
Fantazma
palos këmbët,
pishtarët ndizen,
shuhen,
fryn një erë
psherëtimash,
fëmijët nxjerrin
armët-lodra
dhe fillojnë
të vrasin.

usertype:1 tt= 0
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY