User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Siri Sulejmani
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Views:115     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:14/10/2012 04:04)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

SIRI SULEJMANI


Siri Sulejmani u lind në fshatin Tragjas të Vlorës më 25 Mars, 1937. Pas mbarimit të një shkolle teknike punoi Buldozerist. Nipi i avokatit të famshëm Skënder Muço, antikomunist, bashkëkohës dhe shok i Isuf Luzajt. Më 1971 botoi vëllimin e parë me tregime, “Gjëmimet e para”, pastaj vijuan: “Në rrjedhën e jetës”, “Njeriu i njohur në udhë”, “Udhëve nga kemi ardhur”, “Zemra e shokut” dhe në vitin 1981 u botua vëllimi “Një ndodhi në kafen Kursal”, pas të cilit iu mbyll porta e shtëpisë botuese. Ka botuar nëpër organet e shtypit deri më sot rreth 200 shkrime të gjinive të ndryshme Në vitin 1996 botoi novelën “Gjaku rënkon”, në 2003-shin vëllimin me tregime dhe novela “Udhëtim në botën e imponuar”, kurse në vitin 2006 librin me disa gjini “Dëshmitari i qiellit”.
Duke lexuar kohët e fundit shkrime dhe tregime të shumta të autorit në mendje më shkruhej ideja se fjala e tij filozofike herët a vonë do t’i ngjitet majave të munguara të letërsisë shqipe. Shkrime e tregime si “Ankthi i së vërtetës së hidhur”, “Për një gotë ujë”, “E fshehta e një krimi”, “Tundimi i Djallit” e mjaft të tjera janë thesare të kulturës sonë dhe krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Autori me këto shkrime dhe me këtë stil dëshmon se është një kapës filozofik i gjërave që prodhojnë mesazh për kohërat.

Nga Fatmir Terziu




TUNDIMI I DJALLIT



Ai ishte shtrirë në një divan përbri dritares dhe po shfletonte gazetën e ditës. Ndërkohë e bija tetëmbëdhjetëvjeçare u ngjit në parvazin e dritares dhe po pastronte xhamat. Krejt instinktivisht atij i shkuan sytë poshtë fustanit të saj, gjatë kofshëve të bukura e deri te mbathjet rozë. E largoi shikimin me nervozizëm, por për habinë e tij në çast ndjeu reagimin e menjëhershëm të organit seksual. Kjo gjë e tronditi dhe në çast u ngrit dhe kaloi nxituar në kuzhinë ku e shoqja po merrej me përgatitjen e darkës. E rrëmbeu për krahu gruan dhe e kaloi në dhomën e punës së tij. Ndërsa ajo po e shikonte e habitur, ai hapi sirtarin e një komodine, nxori që aty pistoletën dhe pasi ia mbështeti tytën në ballë i tha me kërcënim dhe një pamje të frikshme:
-Më thuaj se me kë e ke vajzën, përndryshe të hodha trutë në erë.
E shoqja tepër e trembur nga e papritura, u orvat t’i kapte dorën duke i thënë:
-Çfarë ke burrë, ç’po më thua, ç’bën me këtë pistoletë, je në vete apo jo?
Por ai i mbështeti tytën e pistoletës në ballë duke iu hakërryer me tërbim:
-Më thuaj në çast se me kë e ke zënë vajzën, përndryshe e tërhoqa këmbëzën e të lashë të vdekur në vend. Fol po të them e mos ma bëj fjalën dy.
Gruaja e ndjeu se e priste vdekja, në ndërgjegje i lindi rrufeshëm ideja se i shoqi diçka kishte zbuluar nga tradhtia e saj dhe iu lut e tronditur të largonte pistoletën për t’iu rrëfyer, por më parë iu lut që ai t’i tregonte se përse e kishte atë dyshim të papritur kur në mes tyre asnjëherë nuk ishte shfaqur stresi i xhelozisë.
I shoqi i tregoi se çfarë i kishte ndodhur me të bijën, duke i shprehur habinë se si ai të reagonte seksualisht pas pamjes së trupit të së bijës. E shoqja, e shtangur, e zbehtë, e trembur i tha:
-Këtu nuk ka gjë për t’u çuditur, i dashur, mashkulli mund të reagojë edhe jashtë ndërgjegjes së tij, përse të tronditesh kaq shumë, pse të arrish deri këtu?!
Por i shoqi duke i shtrënguar krahun deri në dhembje, i tha me të njëjtin inat e këmbëngulje:
-Jo. Kurrë nuk mund të reagojë në mënyrë të tillë babai për vajzën e tij. Reagimi seksual është i varur nga sistemi nervor, duhet pikërisht frymëzimi i trurit që të reagojë organizmi. E nëse vajza është gjaku im, është geni im, pra substanca ime, nuk ka si të reagojë organizmi kur ky reagim nuk mund të ekzistoj në sistemin nervor për pjellën time. Kanali i këtij reagimi është origjinalisht i paqenë në vetëdijen e njeriut. E nëse do ta pranojmë normale këtë sipas teje, familjes i ka ardhur fundi. Prandaj tregomë se vajza nuk është geni im, më thuaj me kë e ke nëse do të jetosh, në të kundërt e tërhoqa gishtin, - i tha ai duke ia zbritur armën në zemër. Këmbëngulja e tij pa asnjë shenjë zbutjeje e detyroi gruan t’i tregonte të vërtetën:
Ç’kishte ndodhur në jetën e saj?
Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, pas dy vjet martese, i shoqi, bashkë me një mikun e tij, kishte ndërmarrë një udhëtim jashtë vendit për punë tregtie. Ishte nisur për një javë, por qëndrimi i tij kishte vazhduar plot një muaj. E shoqja e shuante mallin me telegrame ku ai i premtonte kthimin sa më parë, por ja që punët nuk po mbaronin. Një ditë teksa ajo po kthehej në shtëpi, i doli përpara një burrë elegant ish - shok i fëmijërisë i cili i kërkoi miqësinë e saj intime. Ajo e kundërshtoi duke ia prerë çdo shpresë, por, për çudi ai nuk iu nda. Një tjetër ditë i preu rrugën dhe i tha i përgjëruar:
-Më beso, më është ngulitur në tru dëshira për të të patur në krahët e mi qoftë edhe një çast, të lutem, më jep një orë nga jeta jote, në kujtim të dashurisë fëmijnore që kemi patur. E ndiej se ndoshta bëj gabim nga që ti je e martuar, por më është fiksuar dëshira për të të patur në krahët e mi, edhe ta di sikur për këtë të humbas jetën. Përsëri ajo e kundërshtoi:
-Të lutem, më lër të qetë, mos më prish jetën, unë - nisi ajo t’i fliste e tronditur, por ai e ndërpreu:
-Mos u tremb, moj shpirt, do jemi unë, ti dhe qielli, kurrë nuk do të ndodhë ta marrë vesh njeri këtë miqësi deri në vdekje. Me kujtimin tënd do eci në jetë. Do ta ruaj atë si çastin më të bukur të saj.
Në çast ai i mori dorën dhe nisi t’ia puthte me dashuri si i marrë. Megjithë këtë këmbëngulje tronditëse, ajo u tërhoq dhe u largua prej tij, por pa i lënë atij hijen e urrejtjes. Kështu që pas dy a tri ditësh, ai i shkoi në shtëpi, i sigurt që ajo ishte vetëm. Këtë herë zonja iu nënshtrua këmbënguljes dhe ra në krahët e tij për një natë të tërë duke realizuar kështu tradhtinë e parë ndaj të shoqit…
Pesë ditë pas kthimit të të shoqit ajo kuptoi se kishte ngelur shtatzënë në kontaktin me burrin e huaj. Kjo gjë e tmerroi dhe vendosi të bënte dashuri këmbëngulëse e plot pasion me të shoqin, për t’i thënë më pas se kishte ngelur shtatzënë. Pas një viti lindi vajza tek e cila me kalimin e muajve dhe të viteve i ati nuk vinte re ndonjë ngjashmëri në sojin e tij. “Epo punët e ngjashmërisë janë përgjithësisht të shpërndara nga prindërit, te xhaxhallarët, madje edhe te dajat”, mendonte i ati dhe kështu vitet kaluan deri sa e bija erdhi në atë moshë për ta joshur. Në të vërtetë,vajza ishte bërë gëzimi i tyre. Ajo ishte e bukur, e dashur dhe e zgjuar.
Pas tregimit të së shoqes tejet të tronditur, ai e ndjeu veten tepër ngushtë, aq më tepër kur ajo i kujtoi faktin që ai i kishte premtuar se do të qëndronte jashtë vendit vetëm një javë, por... Ashtu me pistoletën në duar i tha të shoqes:
-Si do ta ndajmë këtë punë, grua, a mund ta duroj unë faktin që po rrit një vajzë që nuk është imja, që ka ardhur në jetë nga një prind tjetër, a mund ta shikojmë tani e tutje njëri - tjetrin në sy dhe të jemi të qetë?
Ajo mbuloi fytyrën me duar dhe nisi të ngashërehej, por ai vazhdoi me të tijën:
-Lëre të qarët, këtë gjë nuk mund ta mbulojnë lotët. A e mendon se unë nuk mund të jem i qetë në shtrat me ty kur të më shfaqet ai tjetri që ka lënë gjurmët në trupin tënd, a e kupton se përpara çfarë dileme më ke vënë?
Ajo iu përgjigj ashtu duke qarë:
-Bëj si të duash, mendoi të gjitha dhe vepro. Ai çast qe fatkeqësia ime, por të lutem këtë gjë nuk duhet ta mësojë njeri tjetër, nuk duhet ta mësojë vajza, përndryshe merrma jetën.
-Hëm… nuk ka aq rëndësi njohja e kësaj historie me të tjerët, sesa ka fakti që unë nuk mund ta përtyp dot këtë gjë për të vazhduar jetën i qetë, - i tha ai dhe u ngrit e doli nga shtëpia duke e lënë atë nën peshën e mundimshme të një faji që nuk mund të ndreqej…
Në mes tyre ra perdja e akullt e pabesisë. Këtë gjë e vuri re vajza e tyre, por natyrisht qe nuk mundi te mësonte asgjë. Ne mbrëmje ai nuk shkoi në shtratin bashkëshortor. U shtri në krevatin portativ që mbante në dhomën e punës dhe humbi në mendime lodhëse. E kishte tejet të vështirë ta anashkalonte faktin që e shoqja e ardhur në jetën e tij ashtu si e kishte lindur e ëma, paskësh bërë dashuri me një tjetër. Njëkohësisht e ndiente thellë në shpirt se dashuria për të nuk ishte shuar. Ata ishin martuar me dashuri dhe koha pranë njëri - tjetrit ishte e mbushur me kujtime të bukura. Ai e donte për bukurinë e veçante, për mençurinë, donte përkëdheljet e saj dehëse.
“Po si ka mundësi, si ka ndodhur të thyhet pas një muaji të mungesës sime, çfarë djalli ia ka futur në shpirt tradhtinë?”
Vriste ai mendjen dhe nuk po i shfaqej një shteg daljeje nga ajo gjendje. I shkoi në mendje krimi dhe ndjeu se nuk mund ta bënte. Ai ishte njeri me kulturë, ishte i vetëdijshëm për hapësirën në mes jetës dhe vdekjes, në mes marrëzisë dhe arsyetimit, por çekani i tradhtisë të së shoqes e godiste dhimbshëm në shpirt. Kishte kaluar mesi i natës kur në dhomë, në vetëdijen e tij, i erdhi papritur një zë i largët”
“Pse e bëni kaq tragjike, zotëri, pse e keni kaq të vështirë t’ia falni gruas suaj dobësinë e një çasti, që nga rrethanat mund t’i ndodhe kujtdo?!!!… A nuk ishte edhe për ju dobësi që më thirrët në dhomën e hotelit në Romë, a nuk ishte edhe ajo një tradhti. Gruaja juaj nuk ka bërë asgjë më tepër se ç’bëtë ju me mua gjatë dy orësh dashuri. A ju kujtohet çasti që pasi shuat pasionin, i shtrirë pranë meje, e kujtuat me pendim gruan tuaj që iu priste? Kjo është jeta, i dashur mik, kështu janë njerëzit…”
Këto fjalë e tronditën, e zunë, si i thonë fjalës, si lepurin në çark. Ishin fjalët e kamerieres së bukur që i shërbeu gjatë një muaji në restorantin e hotelit në Romë. Ai, i ndezur edhe nga vera e ëmbël italiane, e kishte ftuar kamerieren e bukur në dhomën e tij.
Edhe në anën tjetër të murit, të së shoqes i dukej sikur ajo natë nuk do të mbaronte kurrë. Gjumi i ishte zhdukur dhe ajo vërtitej në krevat sikur ta kishin mbërthyer dhimbje në gjithë trupin. As që mund ta merrte me mend se ç’do të ndodhte në mes tyre, ç’ngjarje do të sillte e nesërmja. Ndrydhja e pendimit ia shtrëngonte shpirtin deri në dhembje. Për herë të parë provoi në shpirt dëshirën e vetëmohimit. Të nesërmen ai doli herët për në punë dhe u kthye shumë vonë, gjysmë i dehur. Për të mos i rënë në sy vajzës, u tha se kishte ngrënë darkë jashtë dhe kaloi në vetmi në dhomën e punës. Vajza e tyre e kishte ndier menjëherë se diçka kishte ndodhur në mes të prindërve, por pyetjet e saj merrnin përgjigjen e zakonshme nga e ëma “Epo njerëz jemi, çështje punësh, do kalojnë” Mirëpo ditët kalonin ankthi i banoreve e kishte mbushur shtëpinë me hije. Vajzën e mundonte kureshtja e pashuar. Gjatë tetëmbëdhjetë viteve nuk i kishte parë asnjë herë prindërit të pushtuar nga mëria ndaj njëri tjetrit. E ëma ngrihej çdo ditë e më e zbehtë nga shtrati, nga pagjumësia, poshtë syve të bukur u shfaqën qeskat shenjë kjo e njerëzve të sëmurë. I shoqi u vidhej kontakteve dhe veçanërisht shikimeve të së bijës.. Pra mbi shtëpinë e gëzuar deri atëherë kishte rënë një hall i madh. Pa u mbushur ditët e një jave, gruaja nuk e duroi dot më tej vetminë dhe ndrydhjen e së panjohurës. Në orën një të natës u ngrit dhe kaloi në dhomën e tij të punës e cila ndriçohej nga drita e abazhurit mbi komodinën pranë kokës së krevatit. Ajo e mbylli derën dhe u mbështet pas saj me duart prapa shpinës. Ai e la mënjan një libër të cilin e kishte shfletuar pa u përqëndruar dhe hodhi shikimin mbi trupin e saj të derdhur e të mbuluar nga këmisha e kaltert gati transparente e cila atij i pëlqente aq shumë. Pasi e kundroi një copë herë i heshtur i tha:
-Nuk të rrihet vetëm? – Ajo e ardhur me mendje të mbledhur i tha:
-Të lutem, jepi zgjidhje kësaj gjendjeje, kështu është e tmerrshme… nuk e duroj dot ankthin, pyetjet këmbëngulëse të vajzës më janë bërë të pa përballueshme. Më thuaj ç’të bëj, unë jam gati të pi kokrrën e helmit në praninë tende, pa të vënë ty para asnjë rreziku, por duhet të më premtosh se vajza kurrë nuk do ta mësojë të vërtetën e grindjes tonë, dhe ti duhet ta dish se faji im kurrë nuk ka qenë i vetëdijshëm dhe i paramenduar. Ai çast qe tundimi i djallit.
“Largoje kujtimin e hidhur, falja dobësinë e një çasti gruas që të do shumë, ose pyete se ç’do të mendonte ajo për dobësinë tënde në krahët e mia në hotel në Romë?” E goditi burrin në shpirt zëri i largët i kamerieres së bukur italiane. Iu duk sikur dikush e mbërtheu për fyti dhe nga thellësia e qenies së tij i doli instiktivisht urdhri “hajde de, ti je goxha burrë, bëja edhe vetes gjyqin.” Ashtu i përhumbur lëvizi dorën drejt saj. Ajo i shkoi pranë, u përkul mbi shtrat pranë tij, mbuloi fytyrën me duar dhe u drodh në ngashërima. Ai ia ngriti fytyrën dhe i tha:
-Mblidhe veten dhe përpiqu të arsyetosh e jo të qash, mbase Zoti na mëson të përballim këtë gjendje. - Ajo i ngriti sytë në sytë e tij dhe i tha:
-Më fal të lutem, e më beso që nuk ka qenë kurrë dëshira ime tradhtia… është e tmerrshme ta shkatërrojmë këtë jetë që e kemi ndërtuar kaq të bukur. Më duket sikur nga çasti në çast do çmendem. -Ai u ngrit nga krevati. E kapi të shoqen nga krahu dhe sëbashku kaluan në dhomën e tyre të gjumit. U shtrinë bri njëri tjetrit dhe i mbuloi heshtja. Pas një copë here ai i tha me shikimin e mbërthyer në tavanin e dhomës:
-Duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që vajzën ta shpiem me një bursë studimi jashtë vendit. Faktin që nëpër shtëpi do vërtitet një femër që nuk është vajza ime, nuk do më lerë të qetë për asnjë çast, nuk do ta duroj dot ndrydhjen e kujtimit të hidhur.
-Si ta mendosh vetë, ja, edhe dy muaj ajo mbaron gjimnazin, le të shkojë për studime. Në mos mundesh për jashtë le ta çojmë në një qytet tjetër, të jetojë në konvikt. I tha ajo me zë të mekur si të fliste me vete. Pas fjalëve të saj në dhomë dëgjohej vetëm tiktaku i lehtë i orës elektronike në murin përballë tyre. Ai hodhi dorën mbi ballë i ndrydhur në mendime. Më kot u orvat ajo t’i afrohej me kujdes si për ta kujtuar se ishte aty pranë tij, por hija e së keqes që atij ia kishte mbështjellë prej ditësh shpirtin nuk e la t’ia jepte së shoqes atë natë dashurinë…

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, gusht 2009)
usertype:1
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY LUFFY
LUFFY