Dear members

New Aimoo has already launched. You are now visiting the old version of Aimoo. In old Aimoo, you can only view, but can`t post, reply and do other operations. To access new Aimoo, please contact the forum owner to submit a forum migration(http://old.aimoo.com/newaimooapplication.cfm) or contact the Aimoo administrator on Facebook. 

Welcome to visit the forum on new Aimoo: http://www.aimoo.com
Close it  
User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Faik Konica
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Views:106     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:14/10/2012 04:12)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

PROZË NGA FAIK KONICA




Malli i atdheut



Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut - viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë, po të mos të vejë tek ajo aq dendur mendja. Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S`di ç`të mungon, s`di se ç`të duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dendur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e shokëve, kujtimi i dheut ku u lindem e u rritem, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s`e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jeshë jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç`forcë e ç`bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell si një copë të atdheut...




I urti i malit



Tre miq, të quajtur Rëmbi, Gjëmbi dhe Shkëmbi, mbarojin së ngrëni. Plloska me verë shkoi nga duar në duar. Rëmbi nisi të dredhë cingare, Gjëmbi mori lahutën, Shkëmbi ia nisi këngës. Pastaj folën. Për çka mund të flasin tre miq, kur janë të rinj e kur mblidhen bashkë? Për qëllimet, për shpresat e tyre. Rëmbi, që shumë kohë e kish ndër mend të dilte në vise të huaja për fat, Gjëmbi donte të merrte udhën e Stambolli për të zënë punë. Shkëmbit zemra i thosh ta shkojë jetën e tij në mes të arave, të vreshtave e të bagëtive të veta. Ç’të mira, ç’të liga e prisjin sicilndo në udhë të jetës?
Ç’gëzim, ç’trishtime fshihte në gji të vet koha për të ardhur? Të tre miqve u vate mendja tek i Urti i Malit. Dhe Rëmbi, duke ndezur një cingare të re: “Pse, tha, s’vemi të pyesim magjistarin e madh, të na shfaqë fatin tonë?” I Urti i Malit rrinte në mes të një pylli; një vrimë shpelle ish shtëpia e tij. Magjistari me famë s’kish shok për të kënduar në kohë për të ardhur, dhe dija e tij qaste njerëz nga gjithë anët e Shqipërisë. Kur vanë të tre miqtë në shpellë, dolli t’i presë një plak i çuditshëm: tripëllëmbësh i gjatë, një hundë sa një opingë i ndante tunrinjtë në dy, dhe një mjekër e bardhë porsi bora i briste gjer në dhe e i binte nëpër këmbët; një rrobe e ngjyrë hiri i mbulonte trupin, dhe, në vend të brezit, një gjarpër i shtrëngonte mesin, gjithë jeta e këtij njeriu ishë në sy të tija, dy pishë të ndezira.
I urti i Malit – se ai ish – ua preu fjalën të tre miqve që deshën t’i thonë pse erdhën: - “E dij pse erdhtë. Hyni”” Hyjtin në një odë të skalisur në gur, e të ndritur prej shtatë shandanesh. Shtatë misurë të gjelbër ishin duke zier në mes të odës. Magjistari mori një stap të verdhë: të shtatë qirinjtë u shuan njëri pas tjatrit, dhe misurët pushuan së zieri. Ahere plaku ra me stap tri herë, e, në fund të odës, si në një teatër kur hapet perdja, u hap një qytet i bukur. Një qytet i bukur me pallate të larta, me rrugë të gjera, ku vejin e vinin karroca të ndritshme, kuaj të lehtë, zonja me rroba të hijshme, njerëz të gëzuar a të ndrojtur, të nxituar a të ngadalshëm. Dhe pastaj karroca të tjera e kuaj të tjerë, e automobila, e botë në të gjitha anët. “Si e vini re”, tha plaku, duhet një zakon i madh për të ecur nëpër këto rrugë pa qenë i shkelur njeriu. Një fshatar i ardhur që pak kohë nga katundi i tij është në rrezik të shtypet në ditë të para.
Tani, rruga këtu është pasqyra e jetës: jeta, shoqëria, janë aqë të koklavitura në këto vise, aq të ngatrruara e të errëta, sa duhet një mjeshtri e madhe për të ecur, dhe kush s’është i mësuar me këto zakone, shpejt shtypet. Mos kujtoni se tregtia, punët etj, bëhen në ato vise me atë mënyrë të kulluar që bëhen në Shqipëri! Jo” Aty, tregtia është një shkencë, punët janë një sërë luftash të ashpra e të pamëshirshme. Që të fitosh me të vërtetë, duhet me një mënyrë të jesh një dijetar e një ushtar bashkë. Jeta, aty është një luftë, thashë - dhe në luftë, o djem, ka mundës, vërtetë, po ka dhe shumë të plagosur e të vrarë. Plaku i ra prapë tri herë stapit të verdhë, dhe në vend të qytetit të largmë, dolli një qytet anës detit, me shtëpi prej druri, me minare shumë, e me mijra qen rrugëve. E njohën Stambollin. Plaku shtroi përpara syve të miqve punët, me ç’dredhira me ç’ë unjura, e, shumë herë, me ç’poshtërsira. “Këtu, tha prapë plaku, jeta s’është një luftë, por një lodër”...
“Sa për ty që kërkon ta shkosh jetën tënde në mes të arave, të vreshtave e të bagëtive” tha i Urti i Malit, “si lum ti!” se në qoftë se breshri a vapa a këlbaza, të prishin drithin a të pakësojnë bagëtinë, ajo prishje e ai pakësim s’do jenë të rrënjshme, dhe as këlbaza, as vapa, as breshëri s’mund të vihen më një me ligësinë e njerëzve.”
Rëmbi, Gjëmbi edhe Shkëmbi, si u përshëndoshën me të Urtin e Malit dualën nga shpella e, mejtuar, muarën udhën e katundit. Nata po afrohet...




Nata po afrohet...



Nata po afrohet. Drita e ditës tretet dalë nga dalë: e mbi tjegullat e shtëpive, mbi rrasat e gurëve, mbi fletët e pemëve, përmbi trupat e epta të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqe - një ngjyrë gushëpëllumbi, si thonë në ca male tona - shtrihet e i mpshtjell.
Mbasandej, pak nga pak manushaqet shfletohen. Hijet bëhen të dendura, me të zeza. Njëri pas tjetrit, yjtë çpojnë qiellin, e pikojnë dritë. Nata u afrua. Nata erdhi.
E kur afrohet nata, kur vjen nata, më pëlqen të vete të rri anës liqenit. S'është si liqeni i Ohrit me ujra të kulluara si të një rrëkeje, si liqeni i Janinës që shkëlqen si një fushë e shtruar me pasqyra, si liqeni i Shkodrës, det i vogël i rrahur tej e këtej nga lundra të metshme sa Shkodra e në anë të cilit gjallojnë malsorë të rreptë. Është një liqen jo më i madh se një kopsht, në mes të një pylli të punuar, liqen i ndyrë, i ndyrë sa uji i qelbet, i bukur se pemët që e rrethojnë mvarin degët e tyre gjer mbi faqen e tij, edhe mbi faqe të tij hëna ndrit e lot. Në pushim të natës bretkosat këndojnë. Herë-herë një peshk, një tjetër, e një tjetër, shumë peshq tingëllojnë ujët. Uji përsëri pushon e fle. Po një erë e ngadaltë (oh, shumë e ngadaltë!), unjet mbi liqen e i zubravit faqen.




Në liqen
Murat beg Toptanit



Fletë të thata kanë rënë, nga lista e rreth-e-rrotullma, mbi liqen, edhe duken si njolla ari në një pasqyrë të vjetër.
As erë, as zë zogu. Një pushin i trishtitshëm. Vetëm, larg së largu, ushtimi i çapeve të ndonjë ëndërrimtari... Rremat herë-herë, e në një hop që të dyja, i bien ujit: qark hapen që venë duke u zmadhuar e duke shtyrë fletët; shuli shket duke u shaluar. Përtej u ndez një dritë që rrezon në një copë të liqenit.




Bora



Kthielltësia e qiellit shkoi me diellin, me lulet, me veren. Vjeshta e trishtimshëm erdhi e iku. Tani, po hyn dimëri, edhe qiellin e kanë mbuluar re të qeta e të ftohta. Edhe sot, për të parën herë, zuri të bjerë bora…
Prapa qelqeve të dritores, po shikonj. Ngadalë, ngadalë, si kur ka frikë të ndegjohet, bora fluturon flokë-floke e shtrohet mbi dhe. Bie kudo, e duket se kërkon të ndreqë e të zbukuronjë: Dy çupa të vockëla shkojnë, e, në leshërat e arta të tyre, të lëshuara mbi shpatullat, bora shkruan trëndafile të ergjenda. Djelmtë qeshin, hidhen, lozin, e lëftojnë me topa. Zoqtë vërtiten rreth e rrotull prakeve: ciu, ciu, një thrimë buke! Si në verë, gjithë bota janë veshur në të bardha.
Flokë-flokë, ngadalë, po bie bora…




Dita e verës



Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po ne mos e festuam me trup, do t’a festojmë me zemër.
Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjeter, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë te Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një bare, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajme Dit’ e Verës.
Në pakë ditë, në Shqipëri, besnikët e funtmë të paganismit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do t’rethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t’ këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t’odave.
Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të races s’onë. Nuk i bëjnë dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë.




Çipi i palaçove



“Avropa” dhe “Evropi” janë bisedimet e ditës dhe të orës në Shqipëri. Po Evropa s’përfillet aspak. Ç’është “Avropa” ose “Evropi”? Pas besimit të shqiptarëve, është një vend i çuditshëm, larg nga Shqipëria. Që Shqipëria është edhe ajo një pjesë e “Avropës” ose “Evropit” – asnjë shqiptari nuk ia qas mendja. Një njeri niset nga Vlora të vejë matanë të kanalit, fjala vjen në Pidochisull – Adriatico, dhe miqtë e tij thonë: “Shkoi në Avropë” ose shkoi në Evropi”. Për të zbuluar përsenë e errët të këtij mendimi, u bëra një pyetje katër njerëzve më të kuptuar që ka Shqipëria dhe më patundërisht të sigurt nga vetja e tyre.
Selim Qeroz-Fodulli më përgjigjet:
“Efendëm, çdo vend ku populli mban shapkë dhe ku s’ka bërë hyqm devlet-i-alie-osmanie-ja, është Avropë”.
Napoleoni i Gjirizave më thotë: “Tradhtor, tallesh me mëmëdhetarët! Ti e di shumë mirë ku është Avropa, dhe në ke harruar, të ta përmend unë: Avropa njihet tërë ai vend ku venë kapella, ku ka makina shumë, ku burrat s’kanë trimërinë tonë dhe ku gratë s’janë të ndershme.”
O Anaksagoras Uliksi më shkruan: “En onomati tu patras tu iu, qe tu ajiu pnevmatos, amin.” Ne orthodhoksët besojmë se, atje ku mbaron i panajioteti imon anatoliqi ekslia dhe merr fund kalendari ynë i palajthitur, nis Evropi. Dhila-dhi Evropi është tërë ai vend ku urdhëron Pap dhe kisha latine me protestantët dhe mesonët dhe ku shkon i lajthitur, i cili shkel urdhrin eks anothen dhe i ha 13 ditë hakë Perëndisë. Po më duket, zot, se tallesh, tutesti peripezis. Prosohin, se në Amerikë kemi ton Papa laga Dyztabanin, kampionin e shpifjeve, i cil s'pret veç se një shenjë për të nisur nga zanati i tij, Lipon, prosohin!”
Gazi Punikua hedh nga goja jargë, një erë të qelbur dhe këto fjalë: “Avropa është vendi ku s’hanë mish të mbajtur në akull, pasta dhe shumë gjëra të tjera, që ne, aziatikët e ndershëm, nuk i përfillim. Mesela, pinë verëra të gënjeshtra të Francës, që s’kanë aspak erë rrushi. Nëm verë të Negozhdit që ndjehet një orë lart! Nëm raki! Nëm bozë! Atje ku s’i gjen këto, atje është Avropë.”
Dhe me të mbyllur këto bileta, gjej në tryezë një këngëzë që kisha shkruar pak javë më parë në mes dy shakave me ca “Vatrane”. Këngëza e ka titullin Avropa, Evropi – dhe Evropa, dhe ja ku e shtyp për të zbavitur këndonjësit një minutë:

Lot “Avropa”, me “Evropin”
Njëra-tjetrës i hedh topin
Edhe Evropa bën sehir.

Një të shtën’Avropa topit:
Nëpër dor’i shkoi “Evropit”.
Dhe evropa bën sehir.

Pyet “Avropa”: Ç’u bë topi?
-E ke ti! – i thot’Evropi.
Dhe Evropa bën sehir.

Hop! “Avropa” me “Evropin”
Zihen, goditen për topin.
Dhe Evropa bën sehir.

Bam “Avropa”, bam “Evropi”!
Ulërijnë: Ku ishte topi?
Evropa s’bën sehir –

Po mbledh dhe në xhep vë topin
Dhe pastaj na rrëmben shkopin,
Dhe as qesh, as do sehir!


1922



Ai që është i qytetëruar



E njihni të gjithë atë që “ka parë botë”, që është i qytetëruar. Çdo qytet i Shqipërisë e çdo katund sadomos i madh ka të tijën. “Njeriu që është i qytetëruar” i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta” (ca pak të idikura), mban një stap të lehtë në dorë - e shikon sipër-poshtë gjithë botën.
Vajzat çuditen, pleqtë shkëndallëzohen, djelmtë i bien prapa, duke thirrur e duke vërshëllyer a duke i hedhur gurë, - mjeshtri i shkollës i qaset të lidhë fjalë. Mendjet e larta merren vesh aq udobisht njëra me tjatrën! – “Si vete sot? – Si vini?, - thonë në Evropë! Vërtet, ju kërkoni ndjesë! – Si vini, si shkoni? Si kurdoherë, më pëlcet zemra. Ku rrohet në këtë vend, me këta njerëz që s’dinë të vishen, të hanë, të flasin! Ah, Evropa e shkretë! Kur isha në Evropë...” Kur ish në Evropë, ish si peshku në ujë. Gjithë shijen, gjithë hollësinë e shoqërisë së qytetëruar i ka thëthitur. I ka parë të gjitha sa janë për të parë e ca të tjera, i njeh të gjithë. Ka folur, ka lidhur miqësi me fytyrat e njohura të Evropës së tërë.
Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm? Pa dyshim, do të jetë rritur në “Rue de la Paix” të Parisit, në “Strand” të Londonit a në “Grahen”, të Vjenës. Mos kërko aqë larg... Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në breg të Pulës. Eshtë rritur në mes të bajgave të gomarit a të kakardhisë së deles.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në "Gazeta e Athinës:", mars 2007)
usertype:1
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2018 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY LUFFY LUFFY
LUFFY LUFFY LUFFY LUFFY LUFFY