User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Ali Podrimja
Forumi Amantin   Letërsia shqipe
Hop to: 
Views:103     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:14/10/2012 02:55)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

Ali Podrimja

Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.
Ali Podrimja lindi e u rrit në Gjakovë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:
Qaj rrafshi im i dashur, qaj! (fjala është për rrafshin e Dukagjinit,)
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një...
Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).
Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.
Poetika
Po të përqendrohemi në rrugën dhe ecurinë krijuese për këto dyzet vjet, mund të themi me plot bindje se Ali Podrimja e filloi rrugën e vet poetike nën ndikimin dhe frymëzimin gati magjepës nga e kaluara e kombit dhe e Kosovës. Në këtë hark kohor poetik, nën fuqinë e brishtë dhe të virgjër të lirikut, poeti ka arritur të njëjëzojë zërin e unit folës, me atë të unit kolektiv. Më pas, sidomos me vëllimin poetik "Torzo", që me të drejtë vlerësohet si kulmi artistik i Ali Podrimjes, uni lirik gradualisht tërhiqet, intimizohet, zhvishet nga patosi i unit kolektiv, personalizohet. Në këtë fazë të rrugës krijuese (rrethi tematik është gjithnjë në valët e lirikës patriotike), uni përthyhet përmes filozofisë dhe botëkuptimit të poetit, tanimë të pjekur dhe të formuar apo gërshetohet me reflekset e përjetimeve intime nga përditshmëria e poetit. Në fazën e tretë, ku mund të radhiten dhe ciklet poetike "Mbi lumin", si lirikë poetike ka prirje për t'u zhveshur nga mbështjellja figurative e artikulimit poetik. Është faza kur poeti, jo domosdoshmërisht dhe jo përherë, botën e vet e shqipton përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (simbolit dhe metaforës).
Në vend të saj kemi një shqiptim të prerë, të drejtpërdrejt, që kryesisht artikulohet përmes shkallëzimit të ironisë dhe, në raste të rralla arrin në sarkazëm dhe anatemë.
Lirikat e Frymëzimit Tematik
Lirikat e frymëzimit tematik politik në krijimtarinë e Ali Podrimjes, (sidomos ato të viteve nëntëdhjetë), degëzohen brenda tri refleksioneve: refleksi i nxitur nga pushtuesi i tokës kosovare; refleksi tjetër, i nxitur nga "hipokrizia e Evropës", qëndrimi i së cilës ndaj fatit shqiptar në çaste të caktuara historike ka qenë fatal dhe tragjik për tërësinë e kombit dhe në fund, refleksi që nxitet nga pjesa e keqe e kombit të vet.
Përballë "hordhisë pushtuese" poeti vë kalanë e tij mbrojtëse, të veshur simbolikisht, si guri, kulla, muri, Rozafa, që përbëjnë korpusin e kështjellës shpirtërore të kombit me rrënjë dhe origjinë antike në këtë truall dhe në këtë hapësirë. Përmes kësaj lirike, edhe pse të frymëzuar nga ngjarjet e ditës, poeti arrin që ta asimilojë artistikisht lëndën nga e cila frymëzohet, të mos bjerë për asnjë çast në banalitet, dhe aq më pak në patriotizëm të rremë dhe folklorizëm shterpë.
Edhe indiferenca dhe dyfytyrësia e Evropës ndaj çështjes dhe fatit shqiptar, është njëra nga vatrat që e ka nxitur, sidomos gjatë viteve të fundit, frymëzimin poetik të Ali Podrimjes. Ai e shpreh
pezmin e vendimeve të padrejta të qendrave evropiane ndaj lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve, duke u bërë thirrje shqiptarëve se duhet t'i dalin vetë për zot çështjes së tyre. Në kuadër të kësaj lirike, që e emërtuam politike, poeti nuk lë pa fshikulluar sjelljen e atyre shqiptarëve që janë indiferentë ndaj dramës, të cilën e përjeton Kosova e aq më pak ndaj atyre që me sjellje a veprime e pengojnë këtë luftë, duke u vënë në shërbim të pushtuesit. Prirjet për grindje dhe përçarje, për vënie kufijsh rajonalë, krahinorë, fisnorë, dhe besimtarë, janë reflekse që i shkaktojnë shqetësim dhe dhimbje poetit. Si dukuri të ditës, në vargun poetik të Ali Podrimjes së talentuar, ato kanë mundur të shndërrohen në vlera poetike që shënojnë kulme të poezisë aktuale shqiptare.
Ciklet Poetike
Me të drejtë mund të thuhet, se Ali Podrimja është ndër poetët më të shquar të lirikës patriotike në poezinë aktuale shqiptare. Poemthi Híja e tokës është matricë e përbashkët frymëzimi poetik dhe e cikleve Guri, Kulla, Cungu, Poema e heshtjes, Kali i Trojës, Dëftore, Pylli, etj. Edhe tek vargjet intime, familiare të poetit, madje dhe tek vargjet e përfshira në vëllimin Lum Lumi, që janë vargje të dhimbjes dhe pikëllimit për vdekjen e të birit (Lumit), shqetësimi krijues për Kosovën dhe etninë është në sfond, prapavijë e përhershme, atmosfere nisëse dhe përmbyllëse. Poetika e vargut të Ali Podrimies, e çliruar nga konvencionet tradizionale, shquhet për gjuhë ekspresive e të pasur figurative, për shqiptim të dendur, dramatik dhe komunikativ. Është një poetikë në kërkim të pandërprerë për mundësi të reja e originale të artikulimit të emocionit, të imagjinatës dhe filozofisë jetësore. Shtylla standarde të korpusit figurativ në këto poezi janë emërtimet: Guri, Kulla, Pylli, Cungu, Muri, Ura... Poetika e Ali Podrimjes është e dendur me dramacitet historik, origjinal, përmes të cilit arrihet unifikimi i plotë mes individit dhe kolektivit, mes vetëdijes individuale dhe asaj kolektive. Përmes simbolikës së tillë mitike dhe antike të fisit, Ali Podrimja arrin vlera universale të përgjithësimit artistik. Pikërisht në mbështetje të ngjyrimit emocional, shpirtëror të fisit të vet, vlera krijuese e kësaj gjuhe arrin të marrë vlerë gjithënjerëzore.
Pylli
Cikli Pylli është një faqe tjetër e udhëtimit nëpër botën e kombit, të fatit të tij. Pylli, simbol i bashkësisë së botës dhe të njerëzimit është shkelur, pushtuar nga dhëmbi i ujkut. Përtej pyllit është lumi që shuan etjet e truallit, tokës etnike, stërgjyshore, por për të ecur lirshëm nëpër pyll duhet të të prijë Ylli (ideali, besimi), i shqiptuar në frymën e një përralle popullore. i tërë cikli "Pylli" është një mikrohistori e rrëfyer poetikisht, me anë simbolesh dhe aluzionesh që sjellin mesazhin për trashëgiminë tonë etnike. Poezia "Dëftore" pak më e gjatë se Pylli është një tjetër perspektivë ligjërimi: ardhja dhe ikja e pushtuesve gjatë shekujve shprehet me gjuhë realiste. Ajo është ardhje pushtuesish si mbretër, sulltanë, kralë, përherë në përsëritje. Ndërsa, njësoj si tek cikli Pylli, edhe tek Dëftore, është i gjallë besimi i poetit, vizioni i hapur drejt të nesërmes, lirisë: një brez i ri, një frymë e re, por edhe një fyell (poetik) zgjon gjakun e arbërit dhe të Kosovës, njësoj si tek rilindasit.
Sikur të isha Djalë (analiza)
Romani "Sikur të isha djalë" ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua më gjerë e në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Romani ka formën e një ditari, të mbajtur nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija. Nëpërmjet shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e gruas në familje, e cila duhet të bëjë një jetë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale. Bota shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja e tyre shkakton skandal në familje dhe në shoqëri. Për sa kohë jeton në familjen e saj, duhet të vendosë për gjithçka babai, e kur të martohet, të vendosë burri. Kështu, ajo është një skllave, që duhet të lindë fëmijë të cilët do të bëhen përsëri viktimë e këtyre ligjevetë egra sunduese në shoqërinë shqiptare të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga këto ligje të egra, që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nis të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave, me protestën për të mos u mbuluar me ferexhe etj. Dashuria për Shpendin, të cilin e njohu rastësisht te shoqja e saj, megjithse duket sikur ia zbukuron e ia pasuron jetën e mjerë prej jetimeje e prej vajze të mbuluar me ferexhe, kthehet në një tragjedi për të. Nga njëra anë dashuria e saj bëhet tepër dramatike për shkak të fanatizmit të egër, izolimit brenda mureve të shtëpisë, nga ana tjetër , mungesa e ndonjë shprese se mund të bashkohej ndonjëherë me Shpendin në kushtet kur për gjithçka duhet të vendoste i ati, i cili as që mendon se vajza mund dhe duhet të ketë ndjenjat dhe dëshirat e saj që duhen nderuar. Vendimi i tij për ta martuar Dijen me një burrë të moshuar, sepse është tregtar i pasur, e shkatërron përfundimisht jetën e saj.
Gjithnjë e hajthme, e dobët, e trishtuar, e zhytur në mendime të zymta e munduar nga pamundësia për t'u takuar me të dashurin e saj Shpendin, dhe me parandjenja se gjithçka do të përfundonte keq, e fyer vazhdimisht nga njerka e saj, e fyer nga i ati, e papërfillur dhe e përbuzur nga shoqëria, ajo sëmuret rëndë nga turbekulozi dhe vdes, pak kohë pasi e kanë martuar me përdhunë. Edhe përpjekjet e disa njerëzve me pikpamje përparimtare të fisit të saj, edhe përpjekjet e Shpendit për ta rrëmbyer e për të kur nga Shqipëria dështojnë. Fati i çdo vajze ishte përcaktuar; nënshtrimi dhe bindja ndaj ligjeve patriarkale, mbytja e dëshirave dhe e dashurisë, ndryshe e priste turpërimi dhe asgjësimi fizik. Por kjo kundërvënie tragjike e humbet, deri diku, forcën e saj për shkak të disa dobësive artistike të romanit siç janë p.sh. mendimet e zgjatura, arsyetimet moralizuese; që janë dhënë nga pozita sentimentale e jo realiste, të cilat shpesh zëvendësojnë veprimin konkret të personazheve me ankime, psherëtima etj. Megjithatë vepra, sidomos në kohën kur doli, e tronditi opinjonin publik dhe pati një jehonë të madhe te lexuesi shqiptar, pasi heroina e tij tregohet e vendosur në luftën e vet kundër botës së vjetër, kundër normave etiko-morale të saj, pavarësisht se nuk arrin dot dhe s'kishte se si, në mënyrë individuale, të gjentë një rrugëzgjidhje për një problem aq të rëndësishëm shoqëror. "Duhet të luftojmë në daçim të rrojmë si njerëz" - shkruan ajo në ditarin e saj. Por dihet që kundërvënia individuale ndaj shoqërisë është gjithmonë dramatike ose tragjike. Asnjë mjet, asnjë motiv që sjell autori në vepër, nuk e shpëton dot. As largimi nga vendi. Kritika ka pohuar disa herë që autori nuk arrin të sjellë një zgjidhje të drejtë me arratisjen e Dijes dhe Shpendit jashtë vendit. Po, në të vërtetë, ky nuk është një gjykim i saktë. Autori pikërisht duke sjellë dështimin e kësaj përpjekjeje, i tregon lexuesit se s'mund kurrsesi që kjo të jetë zgjidhja. Ky motiv është ndoshta nga më realistët në roman. Jo ikja nga e keqja, po përplasja e lufta me të mund të sjellin ndryshime në ligjet dhe opinjonin e egër e të prapambetur shoqëror.
Dija është personazhi më i realizuar në roman, me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare.
Personazhet e tjera si Shpendi, Irena, babai, njerka etj., janë më tepër skicime.
Proza e Stërmillit ka tiparet e një proze sentimentale me meditime të shumta e përshkrime të imta të vuajtjeve e të dashurisë, po edhe me shprehje moralizuese e deklarime retorike, të cilat i japin asaj ngjyra pak artificiale dhe mangësi në zbërthimin psikologjik të personazheve. Megjithatë, aty ka mjaft ndjenjë e dhembje të sinqertë, gjë që e tërheq lexuesin. Këto tipare lidhen, në radhë të parë me natyrën artistike të Stërmillit si shkrimtar sentimental. Po, duke qenë se ato ndihen edhe në disa prozatorë të tjerë të viteve `20-`30 si Postoli, Grameno, deri diku edhe te Spase etj., mund të themi se janë edhe tipare të prozës sonë ende të dobët, e cila në këtë kohë megjithëse përpiqet të trajtojë probleme shoqërore të rëndësishme të realitetit shqiptar, mbeti sentimentale.
Cikli: Pylli (analizë)
Cikli Pylli është një faqe tjetër e udhëtimit nëpër botën e kombit, të fatit të tij. Pylli, simbol i bashkësisë së botës dhe të njerëzimit është shkelur, pushtuar nga dhëmbi i ujkut. Përtej pyllit është lumi që shuan etjet e truallit, tokës etnike, stërgjyshore, por për të ecur lirshëm nëpër pyll duhet të të prijë Ylli (ideali, besimi), i shqiptuar në frymën e një përralle popullore. i tërë cikli "Pylli" është një mikrohistori e rrëfyer poetikisht, me anë simbolesh dhe aluzionesh që sjellin mesazhin për trashëgiminë tonë etnike. Poezia "Dëftore" pak më e gjatë se Pylli është një tjetër perspektivë ligjërimi: ardhja dhe ikja e pushtuesve gjatë shekujve shprehet me gjuhë realiste. Ajo është ardhje pushtuesish si mbretër, sulltanë, kralë, përherë në përsëritje. Ndërsa, njësoj si tek cikli Pylli, edhe tek Dëftore, është i gjallë besimi i poetit, vizioni i hapur drejt të nesërmes, lirisë: një brez i ri, një frymë e re, por edhe një fyell (poetik) zgjon gjakun e arbërit dhe të Kosovës, njësoj si tek rilindasit.
Poema e Heshtjes
Te "Poema e heshtjes", njëra ndër më të realizuarat artistikisht, që në katër vargjet e poezisë së parë ndjehet pesha e rëndë e heshtjes nëpër shekujt tanë. Gjithnjë përmes gjuhës së figurshme, hasim heshtjen e bëmave, historinë e pashkruar: Heshtja emra të harruar. Megjithatë, poeti do të zbulojë një anë të ndritshme dhe të kësaj historie të heshtur; ajo, heshtja jonë nuk është e shurdhër. Përkundrazi ajo gjallëron si dhimbje, si një plagë e gjallë që ëndërron dhe beson se do të shërohet. Nuk është heshtje, se mbi të, megjithatë, është guri, është kulla, pylli e të gjitha këto dëshmi kanë kohën e tyre, kanë dhembjen e tyre. Heshtja është syri i fjetur me fyell në gojë, të cilit i cicërojnë zogjtë. Pikërisht, kjo heshtje është më e vjetër se guri, më e fortë se vdekja. Ja pra edhe një variant për të sfiduar poetikisht kohën kolektive, vazhdimësinë ekzistenciale të qenies. Eshtë po ashtu dëshmi e kërkimit të përhershëm të formave dhe të shprehjes poetike, dëshmi e individualitetit të fuqishëm poetik.
Lum Lumi
Në ciklin e poezive të përfshira në vëllimin "Lum lumi", që me leximin e parë shquan dhimbjen në përmasa totale për sëmundjen e pashërueshme të të birit, por njëkohësisht është e pranishme edhe fryma e krenarisë dhe e qëndresës së fisit. Është e pranishme, gjithashtu edhe dhimbja për syrin e birit të sëmurë, për të cilin ka nevojë frëngjia e kullës në mbrojtjen e truallit dhe të dheut. Edhe tek poezia tjetër "Dhoma e vdekjes" janë të pranishme grimca dhe reflekse të legjendave autoktone: lufta nëpër shekuj e fisit ndaj të keqes në përgjithësi. Në drejtim të ligjërimit artistik, poezitë e vëllimit "Lum lumi" mund të emërtohen si lirikë e pikëllimit, me prirje elegjiake. Në këtë poetikë vërehet shqiptimi i drejtpërdrejtë i emocionit dhe i mesazhit, pa mbështjelljen e domosdoshme me petkun figurativ. Këtë derdhje të drejtpërdrejtë të botës së brendshme të pikëlluar, që vetëpërmbahet nga një tendosie e madhe shpirtërore dhe fizike, do ta hasim edhe më pas në atë pjesë të lirikës së Ali Podrimjes, të cilën mund ta emërtojmë dhe si lirikë politike. Si rrethi tematik, ashtu dhe frymëzimi poetik, vendosen në sfondin e tërësisë lirike me tematikë patriotike, sfond ky që shtrihet si qiell universal në tërë veprën krijuese të Ali Podrimjes. Variacionet e frymëzimit tematik, si dhe perspektiva e soditjes dhe e detajit poetik, modelet dhe ngjyrimi i ngarkesës emocionale dhe filozofike të kësaj poezie apo strukturimi figurativ i vargut, mund të konsiderohen si një prirje bosht apo si prirje në tërësinë poetike shqiptare sot. Janë të shumtë emrat e poetëve të rinj që e pasojnë krijimtarinë e Ali Podrimjes, natyrisht ata që me forcën e talentit arrijnë ta asimilojnë brenda individualitetit të tyre krijues.
Bukuria
Zgjata dorën në livadh lulen me këputë
"Mos - fqiu im i dashur më bërtiti-
-do të vyshket!
Qita hapin, kalin e bardhë me mbërri-
-vashën e ëndërruar kaherë.
"Mos! - përsëri m'u gjegj fqiu.
Unë qava me mall edhe atëherë.
Hodha dorën në gjithësi me pikëllim-
Çel e mshel sytë dritë m'u bë.
"I lumi ti!" - dikush më bërtiti në përqafim
e kurrgjë tjetër s'pashë as ndjeva.
Sot e atë ditë, kudo e kërkoj fqiun tim të mirë.
---------------------------------------
Këtë poezi Ali Podrimja e ka shkruar në vitin 1960, në moshën 18 vjeçare, kur ishte gjimnazist në Gjakovë. Kjo poezi tingëllon si një përrallë e rrëfyer nga ndonjë gjysh i lashtë. Bart me vete një fshehtësi të thellë të njeriut gjatë rrugës së tij të jetës. Mesazhi i saj është pothuaj i hapur; s'ka asgjë të fshehtë, për të cilën rrëfyesi lirik mundohet ta fshehë, përkundrazi. Ai e ka jetuar jetën me të gjitha gëzimet dhe mundimet dhe tani i takon roli i plakut të urtë, që me shumë urti nuk jep këshilla, por i sugjeron ato nëpërmjet përvojës së tij vetiake. Poeti jep mesazhin: po lakmove ta kesh, ta pushtosh "botën" me një hap, me një lëvizje, po lakmove ta zotërosh cakun e fundit me një të goditur, me një të këputur, do të jesh humbës i përjetshëm. Në fillim, mbase në rini mund ta këpusësh lulen ose vashën, por do vijë dita kur të ëndërrosh caqe përmasash të largëta, të pafundme, të përjetshme. Është koha kur të shuhet zjarri për të arritur diku, por të ndizet pendesa që s'ke arritur qëllimin. Dhe ky qëllim jepet si vizion i bukurisë që s'ka fund. Një trajtim filozofik ky, nga ana e poetit, që ndonëse është vetëm 18 - vjeç imagjinata e ndezur dhe talenti poetik e bëjnë të arrijë në mesazhe universal
usertype:1
Amantin
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo 1# 



Rank:Diamond Member!

Score:625
Posts:625
Registered:07/10/2012
Time spent: 23 hours

RE:Ali Podrimja
(Date Posted:14/10/2012 02:57)

Unë, biri yt, Kosovë

Unë, biri yt, Kosovë t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t'pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.

Vetëm ose Hamlet i semure

Pak po më jep, jeta ime,
e tepër po lyp nga Unë.
Të të jap s'mundem më tepër,
se sa të të ngre në këmbë.
S'mundem më tepër se sa të të jap emër,
se sa të të mësoj të ecësh
kah e vërtetë, kah njerëzit,
se sa kohën time për ta falur,
durimin e gurit, zjarrin, kaltrinë.
S'mundem më tepër të të jap
e ti tepër po lyp nga Unë.
Ne mes të verbërve vetëm jam,
në mes të hijeve, perëndive.
Vetëm para vetvetes e hapësisë e murit,
para dashurisë e urrejtjes vetëm.
Po ti tepër po lyp nga Unë
e pak pu më jep, jeta ime.
0 Hamlet, o Harnlet, po vijnë
mjekët me mantele të bardha,
me mantele të zeza po vijnë,
për të të shëruar, kokë e pafjetur e botës.

NJË NATË NGA NETET PA GJUMË

Zgjohu Kosovë!Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj!A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemer,mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
per të përqafuar unë, ashti yt?
Zgjohu,Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cater kush po e le?
Ç`janë keto gjurmë gjaku që po shtohen
nëper fytyren tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rrethë shtëpisë sime?...
Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!...

Sonte vëtem mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në keto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut.....
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet!

MEDITIM PER ZOTIN

Mirë që imzot
është i bardhë
dhe e shoh
edhe në ëndërr

I zi të ishte
do të harroja
se kam pasur perëndi
e atdhe ndonjëherë

Mirë që tim zoti
lëkura i ndrit
e nuk më frikëson
as kur floku i skuqet

`i herë ndoshta zbardh
edhe fqinji të ketë
një zot të bardhë
e kopenë në vathë

Po tim zot atëherë
mes mumieve si ta dalloj
apo edhe më në shpinë
rrasën e varrit të bart unë

UNË DO TA FIK LLAMBËN

Shpirt shndërrohesh
Në llambë drite

Në këtë kohë pa kohë
Kush është nga vjen

Në pyll humba udhën

Lehin qentë e nuk prajnë
Nuk prajnë qentë e lehin

Unë do ta fik llambën

(Ulpianë, Tetor 2010)

GUVE MITIKE

Nënës Terezë

Në guvë egërsirash
U rregullish veza mitike
Diku në kujtesë ndrit natën time

E dëgjova vonë rënien e saj
Tek kërkoja Malin e Shenjtë
Të vë një buqetë lulesh
Për të zhdukurit e mi

Me një shall mbështjell
Planetin e purpurtë
Nëna Tereze nga Dardania

Pëllumbi egër fundin e guvës
Kishte prekur
Dhe çokiste vezën mitike

Do e fsheh zymtësinë e dherave ilire
Krahu i tij i përgjakur
Po qe se pushton dhe qiellin

Majë shpatës

(Ulpianë, tetor 2010)

ODË GJAKUT

M.B.

Fanatik kryeneç e zot
Kurrë s’e fale një gjak
Ngjitesh në Malin e shenjtë
Me një planet të zymtë
Mes shpatullave
Kyç portat në Ulpianë
Para se të rrënojë zjarri kullat

(Ulpianë, 2011)

BALADË PËR NJERIUN E VOGËL

Klyshi do të bëhet Qen
Mjerë kudra që polli

Do qelbet edhe Piramida.
Nga lulimi i kungujve

Ruajna Zot, Bastardët
Marshojnë

(Ulpianë, 2010)

CREDO
Qeni leh kur i bien dhëmbët
Thonë atëherë se dreserët
Kohë të vështira kujtojnë

(Nga libri Torzo)

TËRBIMI

Tmerruar e kishte
Boshllëku

Tokë e Qiell
I u k’in gërditur

Në gjuhë perëndish

Zë e leh
Kur nata bie
Mbi shpirtëra

QENTË

Qentë nuk kanë faj
Ne që na hanë,
Se (ne) po u hamë
Dhe Bukën në kontenjerë

KUSH PREKU FUNDIN E DETIT

Bukuria nuk është bukuri
Nëse nuk e ka shëmtinë e vet
E kush preku fundin e detit
nuk është mes nesh

Vdekja secilit i takon.
Bari rritet e harrimi na arrin
Se kush preku fundin e detit
nuk është mes nesh

Mjaft kurrë nuk është një kohë
Të lindësh, të jetosh
Dhe të vdesësh

Është një det në jetën tonë
Ku lypsen thellësi e vite drite
Të biesh në fund të një shpirti

T’ia zbulosh vetëveten botës, njerëzve
Po kush preku fundin e detit
nuk është mes nesh

MILOSAO

Kadare: Podrimja, një nga poetët shqiptarë më të njohur



Prishtinë, 4 gusht - “Ali Podrimjën e kam njohur shumë, shumë herët! Më duket sikur e kisha njohur gjithmonë, tërë jetën.
Nuk e përcaktoj dot me saktësi kohën e njohjes, por ka qenë një nga poetët, shkrimtarët e parë të Kosovës, me të cilët jam njohur dhe ka vazhduar miqësia gjithë jetën”, thotë shkrimtari Ismail Kadare në një intervistë ekskluzive për
RTK.


- Z. Kadare, si e keni njohur poetin Ali Podrimja?

Ismail Kadare: E kam njohur shumë, shumë herët! Më duket sikur e kisha njohur gjithmonë, tërë jetën. Nuk e përcaktoj dot me saktësi kohën e njohjes, por ka qenë një nga poetët, shkrimtarët e parë të
Kosovës, me të cilët jam njohur dhe ka vazhduar miqësia gjithë jetën.

- Ai, iku nga kjo botë, por poezia e tij ka mbetur. Sa ishit dhe sa jeni në kontakt me poezinë e Ali Podrimja?

Ismail Kadare: Kam qenë gjithmonë, siç thashë. Ç’do të thotë njohja me një shkrimtar? Është ana njerëzore, miqësore, baza është pastaj vepra e tij. Në fillim është vepra që të shtyn tek tjetri. Unë kam
njohur veprën e tij, saktësisht në atë kohë dhe vazhdimisht e kam ndjekur. Ai shkruante përgjithësisht poezi, poema. Herë pas here, më ka qëlluar të kemi pasur bashkëpunim. Ka botuar një libër timin ose dy më duket, për Kosovën, e ka bërë përzgjedhjen. Unë kam bërë një hyrje në një antologji të tij për Çamërinë.
Ishte shumë e bukur ajo antologji. D.m.th, kemi pasur të tilla bashkëpunime. Por, nuk mund të them se kam pasur një bashkëpunim letrar me të, por më tepër letraro–organizativ, ose kur ka ardhur në Francë në ndonjë takim që ka marrë pjesë, kam folur për të, kur ka qenë rasti. Miqësia me të, ka qenë shumë më e madhe sesa ajo që quhet bashkëpunim ose aktivitet letrar. Pra, ana njerëzore e miqësisë, ishte e gjithkohëshme.

- A mendoni se motivet poetike, siç janë ato të Ali Podrimjes, janë një zë i veçantë, ndikues, edhe në botën e jashtme letrare?

Ismail Kadare: Po. Podrimja është nga poetët e përkthyer mirë në botën e jashtme, nga më të njohurit. Natyrisht, poezia gjithmonë krijon një kufizim në përkthim. Është më e paktë se sa proza, për
vetë arsyet sepse botimet poetike vitet e fundit, ka shumë vite njëzet –
tridhjetë, janë pakësuar në botë. E me gjithë këtë kufizim që ka për të gjithë poetët, të gjithë poetët e botës ankohen që njihen pak nëpër vendet e tjera, Podrimja ka qenë nga poetët shqiptarë më të njohur. Është i pranishëm në shumë përmbledhje poetike letrare në gjuhë të rëndësishme të Evropës. Pra, është nga një tufë e paktë poetësh dhe shkrimtarësh, që kanë bërë të njohur letërsinë shqipe jashtë kufijve. Në atë grupin e vogël të shkrimtarëve, të cilët ne përpiqemi me të gjithë organizmat kulturore në Shqipëri ta zgjerojmë, por ai zgjerohet me shumë vështirësi. Nuk është kaq e lehtë të zgjerohet grupi i shkrimtarëve të përkthyer. Është për çdo vend e vështirë. Po të shikoni, të gjitha vendet, sidomos ato që quhen relativisht të vogla, kanë probleme me njohjen. Prandaj, Podrimja nga kjo anë, ka qenë i privilegjuar nga fati, sepse ka kapërcyer këtë pengesën e njohjes.

- Ai, juve, ju çmonte shumë. Në secilën bisedë private dhe zyrtare, ai gjithmonë iu mbante me vete. Bashkë me ju, përpiqej të bëhej ambasador i kulturës kombëtare shqiptare.

Ismail Kadare: Po, e di. Ai ka qenë jashtëzakonisht i ngrohtë me njerëzit. Pavarësisht se shkrimtari e shpreh nganjëherë atë ngrohtësi, ose nuk është i aftë shumë ta shpreh. Por, në thellësi të tij, ai ka qenë jashtëzakonisht i ngrohtë me njerëzit. I donte kolegët e vet, e donte letërsinë, e donte poezinë…e donte tempullin, ta quajmë me një fjalë. Ishte besnik i kësaj dhe e çmonte shumë miqësinë midis poetëve,
që është nga cilësitë më të bukura të kohës. Për fat të keq, në kohën tonë nuk mund të themi se, kjo kultivohet vazhdimisht në botën shqiptare. Për fat të keq, i mungon atmosferës letrare shqiptare, miqësia midis kolegëve. Është një humbje e madhe, unë përmenda fjalën TEMPULLI, është një humbje e madhe e kësaj aureole. Që ta dojë publiku i gjerë, duhet shkrimtarët ta duan njëri tjetrin.
Kam frikë se ka diçka që nuk shkon, ky është dhe mendim i përgjithshëm. Nuk është ajo miqësi që duhej të ishte. E Podrimja, hynte ndër shkrimtarët që e njihte këtë miqësi, e njihte se sa e shenjtë ishte miqësia midis kolegëve, e njihte hyjninë e saj, jo vetëm nevojën e saj, por njihte anën e mistershme që është hyjnia, që duhet t’i bashkojë njerëzit e letrave, njerëzit e tempullit. Dhe, përveç kësaj ishte shumë mirënjohës si natyrë. Them, pavarësisht nga dukja
që mund ta kenë njerëzit, nuk them për atë por në përgjithësi, Podrimja duke qenë natyrë besnike, ka qenë jashtëzakonisht mirënjohës. T’i bëje diçka, ai nuk ta harronte gjithë jetën. Edhe kjo është një cilësi që nganjëherë mungon për fat të keq, në jetën e sotme sidomos shqiptare. Nuk është kaq e shpeshtë, duhej të ishte më e shpeshtë, por është pak e rrallë. Ai, hynte ndër ata që vërtetë mund të jenë kampion të mirënjohjes. Unë kështu e kam njohur gjithë jetën.

- A mund të veçoni ndonjërin nga kontaktet e juaja me poetin, Ali Podrimja?

Ismail Kadare: E kam të vështirë! Atje ku kishte nevojë për të, ai gjendej befas. I gjendshëm dhe i pandryshueshëm gjithmonë.
Prandaj, e kam të vështirë të them se ky është kujtim i paharrueshëm ose ai, sepse të gjitha kujtimet kanë qenë në njëfarë mënyre të paharruara. Po, ngaqë ngjanin me njëri tjetrin, përdora atë topikun, ishte i pandryshueshëm. Ishte po ai gjithmonë. E kam vështirë të dalloj ndonjë. Por, një kujtim kur ishte në Francë një takim për lexuesin francez, sikur ishte emocionuar sepse një takim në Paris është gjithmonë një gjë e bukur, por është edhe pak e ndërlikuar.
Është një publik ku ka gazetarë, është një publik i panjohur, me zakone të tjera edhe ai e ndjeu një gëzim të thellë që e kapërceu me sukses. Ishim bashkë atje, në tryezën ku do të flisnim. U gëzua shumë që unë vajta. I thashë, po pse gëzohesh kaq shumë, patjetër do vija?! E më tha: gjithë ky Paris, si erdhe…?!
Iu duk si e pazakonshme në fakt. Nuk ishte e pazakonshme. Ishte shkrimtar shqiptar i njohur, ishte miku im, do të veja patjetër. Prandaj thashë ishte shumë mirënjohës për një gjë të tillë. Ishte prekëse mirënjohja e tij dhe nuk e harronte kurrë. Dhe, jo vetëm këtë rast por edhe raste më të vogla, më të parëndësishme, i mbante mend…

- Vdekja e tij në largësi të vendit, në shumë mënyra u shfaq shumë misterioze. Si e përjetuat ju?

Ismail Kadare: Ta them realisht si e mora vesh vdekjen e tij, kam njëfarë frike mos keqkuptohem nga publiku. Por, mua m'u duk
e bukur ajo mënyrë se si e mora vesh këtë lajm, që ishte aq i hidhur, e që në fillim nuk e kuptova. Dikush në telefon, duke thënë lajmet e ditës, më tha po të them dhe një gjë. Në Francë, ka humbur Ali Podrimja! Ai nuk e dinte si kishte ndodhur, as që i shkonte mendja, dhe ma tha me një zë gazmor, zbavitës dhe unë ashtu e perceptova. Dhe qesha. Qeshëm të dy, me kuptimin e mirë të fjalës. Pra, Aliu poet, ka bërë ndonjë ekstravagancë të rastit, ka ikur nga delegacioni, nga forumi, kushedi ku i ka shkrepur në kokë… siç ndodh me poetët, i lënë mbledhjet e mërzitshme kur iu duken atyre të mërzitshme dhe e mora si një gjë zbavitëse. Mirëpo, më vonë e mora vesh se shumë njerëz e kanë kuptuar kështu. Tashti e kam menduar, a është e hidhur kjo, ta marrësh një lajm kaq të rëndë, ta perceptosh në fillim pa dashur duke mos e ditur, si një gjë me një muzikë të gëzueshme të thuash. M’u duk gati një gjë simbolike kjo gjë siç është vërtetë vdekja e poetit, që është edhe hidhërim por është edhe një afirmim i dashurisë së të tjerëve për të. Unë e mora vesh në mënyrë krejt kundërthënëse.
Nuk e kuptova, dhe shumë njerëz nuk e kanë kuptuar dhe më vonë kur e kam menduar këtë gjë, kam thënë m’u duk si diçka simbolike, e bukur në trishtimin e saj. E bukur që ndodh e pazakonshme. Nuk them se mund t’i ndodh vetëm poetëve, por i ndodh në radhë të parë poetëve si ai. Pastaj e morëm vesh se kjo nuk ishte as një shaka e tij, as një rrenë që bëri Podrimja. Kjo ka qenë e veçanta e lajmit. Siç e mora vesh më vonë, është marrë vesh nga shumë njerëz në këtë
mënyrë, e veçantë dhe kështu do të mbahet mend. Ishte si një teatër në fillim, pa të keq, si një lodër, si një shaka që ua bëri të gjithëve…unë do të bëjë një ikje nga bota në fillim, ta merrni kështu të gëzueshme…iu kujtohet, ka shpesh në kronikën e kujtimeve popullore amanete njerëzish që thonë: kur të iki unë, qeshni, mos qani. E mbaj mend këtë. Shpesh kjo thuhet, se njerëzve me përvojë të madhe jetësore, iu bëhet kjo obsesion në fund. Këndoni thotë, kur të iki unë. Dhe është e vërtetë, Ali Podrimjes i ndodhi kjo gjë padashur. Njerëzit e
pritën si një gjë gazmore. Lajmi që ishte i keq në fakt, i hidhur, por se
kishte prapa, siç ka vdekja e një shkrimtari, mirënjohjen e njerëzve, dashurinë e tyre që nuk është e paktë. Është një gjë e madhe në jetë.

koha.net
usertype:1 tt= 0
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY
LUFFY