User Name  Password
Forumi Amantin
Make a donation click here. Your support will help us remove ads and upload local images, etc.
Title: Eva Lipska
Forumi Amantin   Letërsia e huaj
Hop to: 
Views:178     
New Topic New Poll
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
AuthorComment
Amantin
 Author    



Rank:Diamond Member!

Score: 625
Posts: 625
Registered: 07/10/2012
Time spent: 23 hours

(Date Posted:19/10/2012 15:24)
Share to: Facebook Twitter MSN linkedin google yahoo

EWA LIPSKA


Eva Lipska është pa mëdyshje një nga poeteshat më të shquara të letërsisë bashkëkohëse polake krahas Visllava Shimborskës. U lind më 1945 në Krakov. Kreu filozofinë dhe historinë e artit në Universitetin e famshëm të Jagielloneve në Krakov. Sipas vlerësimeve të kritikës, Eva Lipska është një nga emrat më seriozë dhe më të njohur në poezinë moderne polake në botë. E përkthyer në shumë gjuhë dhe e prezentuar me vëllime të veçanta poetike në SHBA, Angli, Austri, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Hungari, Suedi, Danimarkë, Rumani, Izrael, Kosovë etj; e laureuar me shpërblime dhe mirënjohje të çmuara në fushë të letërsisë në atdhe dhe në botë. Deri sot Eva Lipska shkroi dhe botoi më se 25 libra me përmbajte poetike dhe dramatike. Në mes të tjerash, botoi këta libra me poezi: “Vdekja e gjallë”, “Vëllimi i parë i poezive”, “Vëllimi i dytë i poezive”, “Mësohu me vdekjen”, “Poezi të zgjedhura”, “Pushimet e mizantropit”, “Dyqanet zoologjike”, “Bursistët e kohës”, “Sekwens”(Poezi të zgjedhura), “Kujdes: shkallët”, “Unë”, “Diku Gjetiu” etj.


Përktheu nga polonishtja: Mazllum Saneja


IME MOTËR

Ime motër ende nuk di
Se bota është e dënuar në atlas
Atlasi kjo pjatë e madhe gjithnjë e pangopur
Ky model shtetesh të ndara. Nganjëherë i dalë jashtë mode
Që gjithçka është e qartë atëherë kur del jashtë kinemasë
Sepse idetë më të mira i kanë manekinet
Sepse nuk ka vdekje për shembull
Sepse vdekja është vetëm për natyrën
Sepse po deshe të vështrosh qiellin
Duhet ta bartësh para censurës
Sepse dija më e thellë është në hapësirë bibliotekash
Sepse dashuria kjo është dashuria. Ndërsa kjo dashuri
Është kopsht.
Sepse duhet në këtë kopsht t’i shmangemi vjeshtës
Sepse nuk bën që në kopsht t’i shmangemi vjeshtës
Sepse ndarjen e dhomave të vogla askush nuk e ndal dot
Sepse jeta mbaron atëbotë kur fillon
Sepse Izolda është e moshuar. Vuan nga reumatizmi.
Sepse historia qenka një shportë e madhe mbeturinash
Shërben për zhdukjen e datave dhe frikësimin e fëmijëve

Sepse kur nata sytë tanë për një çast i errëson
Pastaj zgjohen në ne zogjtë duke këlthitur: Toka! Toka!
Dhe zbulojmë pastaj tokën e re: Njeriun
I cili na i vë duart e ngrohta në qepalla…

Tashmë ime motër di
Se Alisa ka mace

QETËSIA

Ankthi im jo më i vogël se Evropa
Dhe dyert prapa meje të kthyera në ankth
Dhe në ankth rri e qëndroj me shpinë të kthyer
Dhe një shi i rrëmbyer bie
Dhe një heshtje mbretëron mes nesh
Në katin e dytë të shtëpisë.

Fytyrës tënde fytyrës sime
Ai shi i rrëmbyer
Nga kati i dytë i shtëpisë
Bart me vete talljet e botës

Net të tëra qëndroje. Edhe unë qëndroja
Dhe ajo qetësi përreth nesh

Gjithnjë e më hidhur të lexoj
Dikush e pret me padurim këtë çast
Si martesën si trenin
Gjithnjë e më hidhur të shikoj
Gjithnjë e më vështirë të kesh qetësi
Të kesh fqinj miq familje

Një qetësi e plotë e thellë mes nesh
Dhe nuk beson se kush e ka fajin.

***
Deri këtu kemi ardhur. Këtu janë zgjidhur
fundi me fillimin. Përkthimet e Homerit
të ulur në breg vështrojnë tani.
Askush nuk noton pas nesh. Oqeane të qeta të zbrazëta.
Një qetësi hijerëndë. Ndoshta tashmë është gushti
Ndoshta mbretëron një ankth. I shpërndarë mes nesh
Një erë e lehtë përshkon tejpërtej e davarit gjithçka
Ndoshta është gushti. Po këtu asnjë dru i blertë
Ndërsa në gusht gjithnjë piqen frutat
Askush nuk noton. Shakaja e Homerit
Dhe një erë hijerëndë nga gurët na parashikon si nga karta
Askush nuk noton.

LETËR

Më shkruaj letër kur të vdes
Një letër të gjatë – si bota e pafund
Më shkruaj si vdiset në jetë. Si pastaj
Kësaj vere janë botuar përmbledhje vjershash.

Pastaj kur hap dritaren një hapësirë e paanë
A e mbërthen pallton në fishkëllimën e erës
Ndërsa lumenjtë a lagen prej shiut me rrëshekë
Apo prore rrjedhin të thatë

A çuditesh më tutje që poeti V.
Shkruan ngjashëm si poeti A.
Dhe ai me këmishë të kuqe dëshiron të flasë me ty
Dhe dy plus dy barazohen me dy

Më shkruaj si vete tani:
Me kujdes? I pikëlluar? Apo me berete?
Më shkruaj si vdiset në jetë
Letrën tënde e pres. Megjithatë ti e di.

Nëse do të mund
Do të të shkruaj dhe në ëndërr ta jap
Ose do të vij. Aq shumë do të doja
Por nuk di koha çfarë do të jetë.

NË BREG

Deti gëlltit violina re dhe ishuj
Magelanin dhe anije arka nëna dhe fëmijë
Kapitenë vathë këpucë kopsa dhe nyje
Dëshpërime dhe ankthe pirunë fotografi familjare
Dhe klithma në ajër.

Në brigje vite të tëra presin
Të afërmit. Në të zeza veshura. Me lule
Dhe mbi varr hedhin nga një grusht dhe

Ata të cilët në thellësi të detit kanë ardhur
Ndërtojnë postën pastaj. Marrin letra
Revista vëllime me vjersha poetësh ende të gjallë
Kufizohen buxhetet lirohen njerëzit
Njerëzit shkojnë dhe zgjedhin vendet
Nën rregullimin e shteteve të reja
Të tejdukshme të papërshkrueshme
Gjithnjë pranohen luftanije dhe anije të reja
Kapitenë kopsa ajër dhe fëmijë
Dëshpërime dhe pirunë arka dhe vathe
Lumë njerëzish të mirëpritur

Dhe në brigje
Vite të tëra presin
Të afërmit.

ASGJË NUK ËSHTË E SIGURT

Mund të bëhesh i çmendur
Valutën e çmendurisë mund ta këmbesh me gjeniun

Asgjë nuk është e sigurt

Prej dhjetë dëshmitarëve
Të pranishëm në sallë
I njëmbëdhjeti dëshmon
Se është fajtor

Mund ta sjellin në valixhe popullin
Mund ta dashurosh nga frika
Apo nga dashuria

Mund të kultivosh zarzavate
Të cilat të helmojnë

Koleksioni i armëve tua
Mund të të qëllojë

E nesërmja vjen fatlume ndoshta
Ndonëse do jetë e martë

Asgjë nuk është e sigurt

Kanceri në indin tim
Madje nuk është i sigurt.

SHTËPIA E FËMIJËVE

Tridhjetë palë pantofla të leshta
Të qepura në mes me lulëkuqe
Tridhjetë përparëse
Me njolla të lëngut me rrush serezi
Tridhjetë mace të palëvizshme
Tridhjetë palë duar të zgjatura
Për të ngrënë sytliaq
Tridhjetë palë sy të zgjuar në ëndrra
Që t’i mbërrijë prindërit në majat e kështjellës

Sikur nëna ime të donte
Do të mund të bëhej mbretëreshë
Po është dashur të vdesë
Sepse babai u shndërrua në ujk.

Nëna ime ka qenë e dobët
Ndaj nuk ka mundur të më dojë
Por nëse do të jetë vetëm pak më e dobët
Do të përfitojë përgjithmonë

Nëna ime është e bukur. Babai im është i fuqishëm
Nëna ime është e pasur. Do të mund të blente
Amerikën Veriore dhe arin e botës. Ndërsa babai
Di të qëllojë nga pushkë e vërtetë.

JOHN KEATS

Kur ai erdhi në botë
Fati humbi mendjen dhe u çmend.

Në shtegun e fshehtë të humnerës
Qeni i ndodhur gënjen.

Fati u fundos në këneta
Moçale kënetishta

U harxhuan
Rezervat e të afërmve
Mbaroi dashuria.

Sepse vërtet
Atë e dashuroi
Vetëm tuberkulozi.

Pastaj koha filloi
Me kurtha përreth
Ndjekjet në poezitë e tij
Me kritikët e shurdhër
(që u zhdukën pa gjurmë).

Sot ai ekziston
Në njëqind qytete
i shkapërderdhur
do të shkruante për të W.H.Audeni
në poezinë e tij të gjatë.

Tashmë jeta e tij e tretë
Kollitet në mua
Duke pështyrë rivalët nga mushkëritë.

KLITHMA E MODËS

Vdesim gjithnjë më bukur
Në koleksionin e Gianno Versace.
Eleganca është fidanishte e estetikës

Vrapojmë pas kishave të modës
Duke besuar se e portokallta na shkon për fytyrë.

Më puth në dhomën e provës
Shiko, në të blertë thjesht disfata e Romës

Zgjidhim rebusa të arketipeve tona.
I ndërrojmë beretat në gjuhë të huaja.

Në mbrëmje na ftojnë
Në vernisazhin e Gjyqit të Fundit.

Hyjmë pa bileta.
Sot hyrja është e vdekur.

KRAKOVI

Çfarë di për vendin tim?
Re e paaftë
Më vjen rrotull
Kur kaloj kufirin
Dhe ndez radion në automobil.
Fashistin djathtist e merr malli për Hitlerin
Lutja mëkatare në listën e hiteve

Admiroj peshqirin e fushës.
Tipare semite të maleve.
Jeta e rëndomtë e qytezave.
Veti shprehëse të perëndimit të diellit.

Çfarë di për vendin tim?
Valëvisin kambanat
Dhe alarmojnë.
Vjen rrotull mbrëmja
Kur arrij në qytet.

Në qytetin
Për të cilin më merr malli
Derisa miqt e mi më thonë:
Në lumturi është lumturia
Dhe këtu mund të jetosh.

DIKU GJETIU

Dëshiroj të jetoj Diku Gjetiu.
Në qyteza të zbukuruara me dorë.

Të takohem me ata.
Të cilët nuk vijnë në botë.

Më në fund do të ishim të vetmuar të lumtur.
Dhe asnjë stacion nuk do të na priste.

Asnjë ardhje. Asnjë vajtje.
Ikën koha në muze.

Asnjë luftë nuk do ta bëjnë për ne
Asnjë njeri. Asnjë ushtri. Asnjë armë.

Vdekja në dehje. Gjithë gaz
Në bibliotekë kohë e pafund.

Dashuria. Kapitull i papërqendruar.
Që do të na kthente me pëshpëritje kartat në zemra.

KOHË TË TILLA

Shkoj oborrit. Dhe befas
Vrapon kah unë djali gjashtë vjeç
Me faqe të kuqe
Në duar mban pistoletën e drunjtë
„Bam! Bam!” – qëllon në drejtim timin
Pastaj fsheh armën në xhep
„Puna ka mbaruar” – thotë dhe shkon

Pastaj njoftoj familjen. Miqtë.
I telefonoj policisë dhe lajmëroj vdekjen time
Po të gjithë shtrijnë duart:
„Kohë të tilla ia behën” – thonë.

PROVË

Atëherë kur provuam të bisedojmë me vetveten
Është dëshmuar
Se kemi gjuhë të ndryshme
Atëherë kur filluam të flasim
Me gjuhë të përbashkët
Na rrëmbyen të folurit
Atëherë kur zbritëm nga lart
Na bashkuan vetëm
Hijet e të vdekurve

POETI? KRIMINELI? I ÇMENDURI?

Ia shpik vetvetes botën prej fillimit deri në fund
Provinca e zbehtë e letrave ku rrit bimët e trëndafilta
Ka frikë para përfytyrimit
Shkretëtirën që mbulon sytë dhe gojën
Atëbotë kur ia përfytyroj vetvetes vërshimet
Ujërat që vërshuan qytetin
Dashuroj poetin dhe tregtarin e armëve
Net të tëra ia lexoj poezitë e tij
Iluminacionet Sezoni në ferr
Vdes bashkë me të
Megjithatë shkurt
Derisa rreth e përqark zien realiteti
Në livadhe rritën arkivole
Në vend të pyllit paruka e pyllit
Në vend të ajrit orkide të tymit
Si dashamir i natyrës
Kujdeset për burimin e lumit
I shmanget fanarit
Që i dërgon shenja profetike
Vdes për herë të dytë
Në sulmin e lirisë
Pastaj edhe njëherë
Kërkon shpëtim në gjuhë
E cila si të gjitha llojet e gjalla
Është e gatshme për krime dhe tradhti
E zgjon britma e së kaluarës
Askush për të nuk di asgjë
Thuhet se duke kaluar përmes luginës së fëmijërisë
Kafshoi gjarpërin

BURSISTËT E KOHËS

Bursistët e tatueshëm të kohës.
Kryengritësit e fshehur në vullkanet e shuara
Të filozofisë.
Duke rendur nëpër shkallë kundër zjarrit
Në rrafshina të bardha të letrës.
Zotërinj të zgjedhur duke u zvarritur me vete
Heronj të zëshëm plot britma:
Vrasës të vajzave të mitura. Eksbicioniste.
Nimfomanka. Dashnorë të braktisur.
Romane të shkruara
Me pseudonim psikik
Edukatori Torless. Jozef K. Leopold Bloom.
Të gjithë jemi të ngjashëm njëri me tjetrin
Dhe dukemi si aksione të rëna
Apo telegrami vdekjeprurës.

HANNAH ARENDT

Ajo
Hannah Arendt
Euro City në trasenë Heidelberg-Hamburg
Dashuria kronike që përshkon
Përmes kuadrateve të shtruara të fushave
Të infektimit kronik të Evropës
Të thjeshtësirës të së keqes.

Martin Heidegger
Fuhrer i filozofisë

Do të ishte tren i saktë
Si dykuptimësia e besimit

Marshim. Marshim. Marshim i largët.
Ndërlikimi fanatik i stacioneve të përshkuara
Vaterland
Nën velat e zbërthyera të fatit.

Ata.
Hannah Arendt
Martin Heidegger
Vdiqën
Duke mos rifituar vdekjen.

Vullnetarët e rinj
Tashmë qëndrojnë në perone
Duke paraqitur bagazhin e vet.

Me kujdes i shpaketojnë ideologjitë
Të cilat i përmbyt ekskavatori ontologjik
Tezja e adoptuar e filozofisë.
usertype:1
<<Previous ThreadNext Thread>>
Page 1 / 1    
New Topic New Poll
Sign Up | Create | About Us | SiteMap | Features | Forums | Show Off | Faq | Help
Copyright © 2000-2019 Aimoo Free Forum All rights reserved.

Get cheapest China Wholesale,  China Wholesale Supplier,  SilkChain 丝链to be a retailer is easy now.
LUFFY